Vendi

Vendimi/ Sigurimi i makinës nuk do të kushtojë më njëlloj për të gjithë

Duke filluar nga viti i ardhshëm, çmimet e sigurimit të detyrueshëm të mjeteve nuk do të jenë të njëjta për të gjithë.

Tarifat e reja do të jenë të diferencuara, bazuar në një listë faktorësh që ndikojnë në rrezikun për të shkaktuar dëme nga drejtuesit e mjeteve.

Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka miratuar këtë muaj rregulloren “Për përcaktimin e faktorëve të riskut që përfshihen në përllogaritjen e primit për produktet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”.

Në përllogaritjen e primit të sigurimit, kompanitë duhet të zbatojnë disa faktorë kryesorë risku, si historiku i dëmeve, përfshirë edhe rastet kur shkaktari i aksidentit nuk është i shënuar në policën e sigurimit; fuqia motorike e mjetit; mosha e të siguruarit; eksperienca në drejtimin e mjetit motorik; përdorimi i mjetit nga një subjekt apo nga një individ; qarku i regjistrimit të mjetit; vjetërsia e mjetit.

Përveç faktorëve të mësipërm, rregullorja parashikon që shoqëritë e sigurimit mund të zbatojnë edhe faktorë të tjerë risku, të përcaktuara prej tyre.

Këta faktorë risku do të përdoren në përllogaritjen e primit të sigurimit për kategorinë e

autoveturave, në produktin e sigurimit të detyrueshëm motorik për përgjegjësitë e brendshme ndaj palëve të treta (MTPL e brendshme), por jo për produktet e sigurimit kufitar dhe të kartonit jeshil.

Shoqëritë e sigurimit do t’i përcaktojnë vetë tarifat e primit të sigurimit, sipas metodologjisë së përcaktuar, por janë të detyruara të njoftojnë AMF-në të paktën 30 ditë kalendarike përpara aplikimit të tarifave të reja të primit.

Së bashku me njoftimin për aplikimin e tarifave të reja të primit, shoqëritë e sigurimit duhet të depozitojnë pranë Autoritetit bazën teknike të të dhënave, faktorët e riskut dhe vlerësimet aktuariale të përdorura për llogaritjen e primeve të sigurimit, të shoqëruara me opinionin e aktuarit të autorizuar të shoqërisë, të paraqitur në formën e një raporti me shkrim.

Autoriteti, në funksion të mbikëqyrjes së veprimtarisë së shoqërisë së sigurimit, mund të urdhërojë rishikimin e tarifave të reja të primeve, nëse konstaton se baza e të dhënave për hartimin e tabelave të primit të sigurimit nuk është e saktë, ose shoqëria e sigurimit nuk ka vepruar në përputhje me parimet aktuariale dhe metodologjinë e përdorur për përfshirjen e faktorëve të riskut të përcaktuar me këtë rregullore.

Shoqëritë e sigurimit nuk mund të aplikojnë tarifa të primit të sigurimit të ndryshme nga ato të raportuara në Autoritet dhe nuk mund t’i ndryshojnë tarifat e primit të sigurimit të detyrueshëm më shumë se dy herë brenda një viti kalendarik.

Shoqëritë e sigurimit duhet të publikojnë në faqen zyrtare të internetit, gjatë gjithë periudhës së zbatimit, koeficientët e faktorëve të riskut, shoqëruar me raste të zbatimit të tyre në praktikë, si dhe primet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit.

Shoqëritë e sigurimit gjithashtu duhet të mbajnë të afishuara në çdo pikë shitjeje tabelat me primet e sigurimit, të miratuara gjatë periudhës së zbatimit të tyre.

Rregullorja e re do të hyjë në fuqi në 1 janar 2025. /MONITOR/OraNews

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button