Birra shqiptare, drejt “zhdukjes”. Prodhuesit po kthehen në importues
Çmimet e shitjes së birrës vendase janë barazuar me birrat e importit prej rritjes së kostove pas dyfishimit të akcizës. Sipas të dhënave të Doganave në muajt janar-korrik 2024, pesha e birrës së importit në treg arriti në 60%. Shumë prodhues po shndërrohen në importues dhe shpërndarës të markave të huaja, për shkak të humbjes së konkurrueshmërisë. Për 7 mujorin, prodhimi i birrës ra me 9% në krahasim me 2016-n, ndërsa importet janë rritur me 88% për të njëjtën periudhë. Prodhuesit i bëjnë thirrje qeverisë që t’i mbështesë
Birrat e importit vijojnë të zgjerojnë terrenin në tregun shqiptar, teksa kërkesa për birrën vendase edhe në muajt e nxehtë mbetet e vakët.
Për 7-mujorin 2024, pesha e birrës së importit në tregun shqiptar ka arritur në 60%, nga 42% që ishte në vitin 2016, sipas të dhënave të Doganave. Rreth 40% e kërkesës për birrë mbulohet nga prodhimi shqiptar. Situata ishte e ngjashme edhe një vit më parë.
Në muajt janar-korrik 2023, birrat e importit zinin 59% të tregut dhe 41% e produkteve erdhën nga importi.
Rritja e peshës së birrës së importit është ndikuar nga humbja e konkurrueshmërisë të birrës vendase, sipas prodhuesve vendas. Adrian Kostaqi, administratori i fabrikave të birrave “Korça” dhe“Tirana”, tha për “Monitor” se me rritjen e akcizës, çmimet e shitjes janë pothuajse të njëjta me çmimet e birrave të importit.
Sipas tij, me këto çmime shitjeje prodhuesit nuk i mbulojnë dot kostot, teksa shtrenjtimi i çmimeve do të reduktonte automatikisht konsumin. Ai pohon se kjo po e çon prodhimin vendas drejt kolapsit të plotë.
“Në asnjë vend nuk përbën problem prania e birrave të importit në treg, por të jep një shtysë që gjithmonë të kërkosh më të mirën e cilësisë nga vetja për t’u përballur me një konkurrencë të fortë.
Dyfishimi i akcizës ka bërë që tendenca e rritjes së birrave të importit të jetë e të frikshme në krahasim me birrat vendase. Në 2015, birrat e importit zinin 40% të tregut, në vitin 2022, 51% të tregut, kurse në vitin 2023, 60% të tregut.
Deri në fund të 2024-s, pritet që birrat e importit do të zënë gati 70% të tregut. Kjo do të thotë që po e çojnë prodhimin vendas në një kolaps të plotë.
Mbajtja e çmimit në këto nivele nga prodhuesit vendas, duke pasur parasysh të gjitha vështirësitë që përmendëm më sipër, nuk sjell fitime dhe e bën të pamundur mbulimin e kostove. Rritja e çmimit nga prodhuesit e birrave vendase, e nevojshme për mbulimin e kostove të prodhimit, do të sillte automatikisht reduktimin e konsumit të birrës vendase”, pohon ai.
Edhe Artan Stroka, CEO i kompanisë T.E.A dhe birrës “Kaon”, që prodhohet në vend prej vitit 1996, tha për “Monitor” se prodhuesit vendas e kanë të pamundur të mbijetojnë në kushtet kur 60% e birrës së shitur është nga importi.
Z. Stroka tha se teksa prodhuesit po arrijnë të mbijetojnë me çdo kusht në muajt e verës, gjatë periudhës së dimrit nuk ka shitje dhe do të përballen me vështirësi për mbajtjen e punonjësve.
“Gjatë muajve të verës po arrijmë të mbajmë me çdo kusht aktivitetin në këmbë. Kërkesa në këtë periudhë është më e lartë sesa në dimër, kur aktiviteti pothuajse është ‘i vdekur’ dhe jemi në vështirësi të madhe për të paguar punonjësit.
Ndërsa gjatë tre muajve të verës shtohet kërkesa, por kur birra vendase kushton 150 lekë për shishe, në të njëjtën vlerë sa kushton edhe një birrë e importit, konsumatori zgjedh birrën e huaj”, pohon ai.
Prodhues të tjerë pohuan se industria e birrës është në vështirësi dhe prodhimi vendas po zëvendësohet nga marka të lira të birrave italiane, si “Peroni” apo edhe birra “Peja”.
Në këtë situatë të vështirë, prodhuesit kërkojnë ndërhyrjen e qeverisë, duke bërë thirrje për nisje diskutimesh dhe analizim konkret të gjendjes së fabrikave vendase.
“Ka ardhur koha, që qeveria shqiptare të ulet në një tryezë të përbashkët me prodhuesit e birrave të vendit dhe me mendje të hapur, pa asnjë paragjykim dhe me shifra të sakta që ata i disponojnë nga institucionet e tyre, të gjejnë rrugët e duhura për t’i dhënë mbështetje prodhimit vendas”, thekson ndër të tjera Adrian Kostaqi, administratori i fabrikës së birrës “Korça”.
Para ndryshimeve fiskale, prodhimi i vendit ka qenë i tarifuar me 360 lekë/HL për prodhuesit nën 200,000 Hl, ndërsa për prodhimin mbi këtë nivel akciza ishte 710 lekë. Pas ndryshimeve në ligjin “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, nga 1 janari 2023, taksa u unifikua në 710 lekë të prodhuesve nën dhe mbi 200,000 Hl, si vendas dhe të huaj.
Ligji i ri u ankimua në Gjykatën Kushtetuese, ku Shoqata e Prodhuesve dhe Tregtuesve të Pijeve Alkoolike kërkoi shfuqizimin e pjesshëm të ligjeve nr. 81/2022 dhe nr. 94/2023 për akcizat, për pjesën që parashikon unifikimin e akcizës së birrës nga malto për të gjithë prodhuesit, pavarësisht sasisë së prodhimit vjetor.
Pas shqyrtimit të çështjes, Gjykata Kushtetuese vendosi më 16 korrik 2024 të mbajë në fuqi ligjin e ri “Për akcizat”, pasi çmoi se gjatë gjykimit nuk u provua se ndryshimet ligjore kanë cenuar thelbin e lirisë së veprimtarisë ekonomike apo e kanë vënë në rrezik atë deri në atë masë që të vihet në dyshim ekzistenca e saj.
“Në këtë këndvështrim, unifikimi i akcizës nuk përbën një mjet joproporcional”, thuhej në njoftimin e Kushtetueses.
Në muajt janar-korrik 2024, sasia e prodhimit të birrës shqiptare ishte 21,4 milionë litra, sipas të dhënave të Doganave. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm, prodhimi është rritur me 13%.
Prodhuesit e mëdhenj dhe të vegjël të birrës artizanale pohojnë se deri në 6-mujorin e parë të vitit, kërkesa për birrën vendase ka qenë e lartë. Ndërsa nga muaji korrik dhe në vazhdim, sipas tyre ka pasur rënie të kërkesës. Enzo Panteqi, administratori i fabrikës së birrës “Stela”, pohon se dy janë arsyet kryesore të rënies së kërkesës.
“Së pari, gjatë këtij sezoni turistik, ka më pak turistë, sidomos vendas dhe shqiptarë të Kosovës, të cilët për shkak të liberalizimit të vizave po largohen për pushime në shtete të tjera. Gjithashtu janë të pakët në numër edhe pushuesit nga Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Së dyti, ka edhe birra importi me çmim oferte dhe nga ato premium që rivalizojnë me çmim herë pas here.
Ndërsa prodhuesit vendas nuk mund të dalin me çmime të lira sesa importi, për shkak të kostos së lartë të prodhimit, veçanërisht pas dyfishimit të akcizës. Duke prodhuar më pak, vjen më shtrenjtë ambalazhi, lënda e parë, si dhe kostot fikse për njësi janë duke u rritur. Prandaj e gjithë Europa ka fasha te taksimi i prodhuesve të birrës”, pohon ai.
Administratori i dy fabrikave të prodhimit të birrës “Korça” dhe “Tirana”, Adrian Kostaqi, tha se konsumi i birrës për vitin 2024 është në të njëjtin trend, si në vitet e kaluara. Kjo ka ardhur si rezultat i rritjes së numrit të turistëve, të cilët vizitojnë Shqipërinë.
Sipas tij, faktori kryesor që po ndikon në konsumin e birrës vendase, është rritja e kostove të prodhimit dhe dyfishimit të akcizës, e cila çon në rritjen e çmimit të blerjes nga konsumatori final dhe si rrjedhojë, edhe uljen konsumit.
“Gjatë periudhës vjeshtë-pranverë, periudhë në të cilën konsumi i birrave vendase ka qenë më i madh se ato të importit, për arsye të çmimit më të lirë në treg, vihet re ulje e ndjeshme e konsumit të birrës nga konsumatorët vendas, për shkak të çmimit të lartë si rezultat i dyfishimit të akcizës dhe rritjeve të kostove të prodhimit.
Për sa u përket turistëve të huaj, gjatë periudhës së sipërpërmendur, Shqipëria vizitohet më shumë nga mosha e tretë, mbi 70 vjeç, që i konsumojnë në mënyrë të limituar pijet alkoolike, ku përfshihet dhe birra”.
Ai thotë se me përfundimin e sezonit turistik do të ketë rënie të ndjeshme të konsumit të birrave në përgjithësi dhe të atyre shqiptare në veçanti. Edhe prodhuesit e birrës artizanale, përveç kostove të lartave të prodhimit të ndikuara nga dyfishimi i akcizës, në pikun e sezonit turistik po vuajnë rënien e shitjeve.
Kryetari i Shoqatës së Mikrobirrave Shqiptare, Xhim Begeja, tha më herët për “Monitor” se pas rritjes së konsumit në muajt maj-qershor, nga zhvillimi i Kampionatit Europian të Futbollit, për muajt korrik dhe fillimin e muajit gusht në tërësi konsumi i birrës artizanale është në rënie krahasuar me vjet.
Z. Begeja theksoi se arsyeja kryesore që ka ndikuar tek ulja e konsumit është shtrenjtimi i çmimeve të shitjes së birrës jo nga prodhuesit e birrës artizanale, por nga baret dhe restorantet në zonat bregdetare dhe Tiranës drejt konsumatorit fundor.
“Ne si prodhues nuk i kemi shtrenjtuar çmimet e shitjes së birrës, pavarësisht se vijojmë të përballemi me rritje të lartë të kostove nga ndryshimet e akcizës. Në muajt e sezonit turistik konstatohet se nga shitësit fundorë, sidomos baret, ka pasur rritje të lartë të çmimeve të birrës artizanale. Nëse ne e shesim një gotë birrë te ta me çmim 100 lekë, nga baret po shitet 350 deri në 400 lekë për gotë për konsumatorin.
Pra çmimi është rritur 4 herë më shumë te fundori në zonat bregdetare dhe deri në 3 herë më shumë në Tiranë. Këto nuk janë çmime normale dhe kanë ndikuar te konsumi. Për shkak të çmimeve të larta, konsumatorët po shkojnë të blejnë birra te supermarketi për t’i pirë në plazh, nëse i lejojnë t’i konsumojnë, pasi në Shqipëri plazhi funksionon vetëm me shezlong”, pohoi ai.
Faktor i rëndësishëm që theksohet nga prodhuesit si disavantazh në konsum, përveç humbjes së konkurrueshmërisë, është edhe emigrimi, veçanërisht i grupmoshës 25 deri në 40 vjeç që janë edhe konsumatorët më të mëdhenj të pijeve alkoolike.
“Shitjet e birrës janë vetëm në qytetet e Tiranës dhe Durrësit. Në rrethe si Elbasani, Berati, Fushë-Kruja etj., pothuajse nuk kemi shitje, kjo për shkak të emigrimit të banorëve”, nënvizon drejtuesi i fabrikës së birrës “Kaon”, z. Artan Stroka.
Pse prodhuesit shqiptarë prodhojnë me kosto të lartë?
Prodhuesit e birrës shqiptare vijojnë të jenë në gjendje të rënduar nga shtimi i kostove, për shkak të dyfishimit të akcizës që nisi zbatimin nga 1 janari 2023. Përveç shtrenjtimit të kostos nga akciza, prodhuesit vendas vuajnë edhe nga çmimet e larta të furnizimit të lëndës së parë që është birra malto dhe ambalazhimi.
Në analizën që bën administratori i fabrikës së birrës “Korça” dhe “Tirana”, Adrian Kostaqi, nënvizon se rritja e kostove të prodhimit është bërë një problem i madh për të gjithë prodhuesit vendas.
“Dyfishimi i akcizës, i shoqëruar me rritjen e menjëhershme të lëndëve të para të prodhimit të birrës dhe ambalazhimit ka shkaktuar lëkundje të fortë në mbajtjen e pandryshueshme të kostove.
Lëvizja e paparashikuar e tregjeve të huaja, (duke marrë parasysh që Shqipëria nuk ka asnjë prodhim vendas të lëndëve të para apo të ambalazhimit) shkakton çekuilibër të kostove bazë të prodhimit. Gjithashtu, duke marrë parasysh që fabrikat tona kanë kapacitet prodhimi të kufizuar në krahasim me kompanitë ndërkombëtare, kostot e blerjeve dhe të prodhimit janë shumë më të larta në krahasim me këto kompani shumëkombëshe.
Një problem tjetër është edhe rritja e çmimit të energjisë, gazit, ujit, të cilët janë faktorë që ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e kostos së prodhimit”.
Z. Kostaqi thekson se nga ana e shtetit shqiptar nuk ka asnjë subvencion që do na ndihmonte në reduktimin e këtyre kostove. Në shumë vende të tjera të rajonit ndodh e kundërta, ku shteti aplikon subvencione të ndryshme për të ndihmuar prodhimin vendas.
“Nëse shohim vendet e rajonit si Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kosova, etj., konsumi i birrave vendase është më i madh se ai i birrave të importit, pikërisht nga subvencionet shtetërore, të cilat mbajnë një treg të ekuilibruar me çmime të pranueshme për të gjitha shtresat e shoqërisë.
Gjithashtu, rritja e pagës maksimale, ose të pagave të tjera në sektorin shtetëror, një hap shumë i rëndësishëm dhe pozitiv, ka shkaktuar efekt zinxhir dhe në industritë prodhuese.
Përveç vështirësisë shumë të madhe për të gjetur krah pune nga ai më pak i kualifikuar deri në gradat më të larta, duhen ofruar paga më të larta nga administrata shtetërore, në mënyrë që të mos kemi largime të punonjësve apo të kemi mundësi punësimi në një treg shumë të varfër të krahut të punës.
Të gjitha sa u përmendën më sipër, kanë ndikuar në shtrenjtimin e kostos së prodhimit dhe si rezultat, dhe çmimet e shitjes së birrës në klientin final”, nënvizon ai.
Importet po rriten shumë më shpejt se prodhimi
Në periudhën janar-korrik 2024 u importuan rreth 32,2 milionë litra birrë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës, sasia e birrës së importuar u rrit me 16%. Kjo është sasia më e lartë e importeve për 7-mujorin që prej vitit 2016. Tendenca rritëse e importeve ka nisur që pas periudhës së pandemisë Covid-19.
Të dhënat e Doganave tregojnë se ritmet e rritjes së importeve janë shumë të të shpejta sesa të prodhimit vendas, i cili është nën nivelet e një dekade më parë.
Për 7 mujorin, nga fabrikat vendase u prodhuan 21.4 milionë litra, sasi që është 9% më e ulët sesa në vitin 2016.
Për të njëjtën periudhë, importet e birrës janë 88% më të larta.
Humbja e konkurrueshmërisë, e ndikuar nga rritja e kostove po detyron shumë prodhues shqiptarë që gradualisht të shndërrohen në importues për të mbijetuar.
“Kemi shtuar produkte të importuara ‘premium’ si lëngje frutash dhe birrë importi, për të rritur xhiron. Qeveria aktuale nuk e ka prioritet prodhimin, kështu që duhet të përshtatemi të gjithë”, thotë Enzo Panteqi, administratori i fabrikës së birrës “Stela”.
Edhe drejtuesi i fabrikës prodhuese të birrës, “Kaon”, Artan Stroka, tha se po studion mundësinë për të importuar një birrë të markës gjermane që më pas do të shpërndahet nga rrjeti i kompanisë që ai drejton.
Z. Kostaqi thotë se rritja e kostove nga dyfishimi i akcizës dhe mungesa e subvencioneve shtetërore për prodhuesit vendas do të ketë ndikim shumë të madh në konsumin e birrës vendase në vazhdimësi.
“Efektet e rritjes së kostove të prodhimit po çojnë në probleme të mëdha financiare deri në mbylljen sezonale të shumë fabrikave të prodhimit vendas të birrave, dhe pothuajse kalimin e tregut në duart e importuesve të birrave të huaja.
Me qëllim diversifikimin e tregut, nga ana e shoqërisë “Birra Korça” sh.p.k. sipas z. Kostaqi po bëhet e mundur ofrimi i një game më të gjerë të llojeve të birrave, përveç atyre tradicionale.
“Po ashtu po shihen mundësi të tjera për mbajtjen në nivele të pranueshme të prodhimit, duke synuar dhe tregje ndërkombëtare, të cilat do të krijojnë mundësinë për mbulimin e kostove dhe çuarjen përpara të birrës më të vjetër dhe me emër shqiptare”./ Monitor/OraNews