“Aber Alert” e autorit shqiptar Odise Plaku trondit skenën e teatrit “Viktoria” në Athinë
ATHINE
Në skenën kryesore të teatrit “Viktoria” ngjitet në skenë për herë të parë në Greqi vepra e një autori shqiptar. “Amber Alert”, shkruar nga dramaturgu Odise Plaku, u kushtohet viktimave të trafikuara për qëllime prostitucioni dhe shfrytëzimit seksual në mbarë botën.
Me interpretimin e aktores shumëdimensionale Georgia Zoi, me regji të Giota Koundourakis, falë punës së një stafi shumë profesional, në datën 9 shkurt u shfaq premiera e kësaj vepre, e cila solli emocione të fuqishme tek të gjithë ndjekësit e kësaj nate.
Gjatë shtatëdhjetë minutave aktorja Georgia Zoi arriti të përcillte mesazhet e fuqishme të kësaj vepre kundër plagës sociale të shfrytëzimit të vajzave në moshë fare të mitur për qëllime trafikimi.
Në një botë makthi, një NËNË, nënë simbol, ka vite që kërkon vajzën e saj. Një vajzë 14-vjeçare, që duket si një engjëll, e humbur prej kohësh. Në një botë ku tregtia e mishit lulëzon dhe pushteti mbulon krimet masive të korrupsionit dhe epshit kanibalesk, NËNA do të flasë, do të denoncojë. Nëse zemra e saj shpërthen, dhimbja do të mbytë të gjithë botën, sepse tani kjo grua e thjeshtë, e shtypur nga një mjedis patriarkal, shndërrohet në një figurë tragjike arketipe, që rebelohet kundër korrupsionit të pushtetit.
Në premierën e shfaqjes ishin të pranishëm shkrimtari Odise Plaku, vepra e të cilit vihet për herë të parë në Greqi, dhe ambasadorja e Shqipërisë, znj. Luela Hajdaraga së bashku me stafin e saj.
Kjo shfaqje është ndjekur me shumë interes nga një numër i konsiderueshëm shqiptarësh që jetojnë dhe punojnë në Greqi.
Vënia në skenë e monodramës “Amber Alert” është mundësuar nga kompania kulturore “DIONIS ANIGMA” me mbështetjen e organizatës vullnetare jofitimprurëse “Buzëqeshja e Fëmijës” dhe të ambasadës së Shqipërisë.
Shkrimtari Odise Plaku lindi në qytetin e Fierit dhe aktualisht jeton në Tiranë.
Sot punon si shef i Departamentit të Botimeve Parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë.
Nga kritika letrare ai është cilësuar si një prej zërave të veçantë të poezisë së sotme shqipe. Në listën e krijimtarisë së tij në gjininë e poezisë numërohen një sërë vëllimesh, ku gërshetimi i tematikave krijon një tablo tërheqëse për lexuesin, duke i bërë ata pjesë të gjithë kësaj bote emocionale dhe artistike. Ai është një krijues që i ka kushtuar jo pak vëmendje edhe krijimtarisë në prozë për fëmijë dhe të rritur me tema të ndjeshme nga realiteti i jetës së përditshme. Në bagazhin e tij krijues numërohem mbi 20 botime të gjinive të ndryshme.
Por pasioni që mbizotëron në krijimtarinë e tij letrare është gjinia skenike e dramës, monodramës, komedisë për të rritur dhe për fëmijë. Tashmë në jetëshkrimin e tij krijues numërohen mbi dhjetë vepra skenike të vlerësuara nga spektatori dhe kritika.
Një ndër veprat e tij, monodrama “Klithma e një nënë të marrë”, mbetet më e suksesshmja ndër vite dhe është vënë në skenë jo vetëm në Shqipëri, por dhe në vende të tjera, ku ka marrë vlerësime të merituara.
Në qendër të kësaj vepre qëndron trafikimi i qenieve njerëzore, një plagë e mprehtë sociale me karakter jo vetëm lokal, por në një prizën më të gjerë, atë global. Janë me miliona njerëz në botë, fëmijë, vajza, djem, gra e burra, fati i të cilëve endet nëpër labirintet e dhimbjes e të harresës.
Me këtë botim autori Odise Plaku ecën i sigurt dhe me dinjitet në urën e bashkëpunimit të ndërtuar tashmë kaq qartësisht në marrëdhëniet kulturore mes Shqipërisë dhe Greqisë, duke iu dhënë atyre më shumë mundësi për të njohur një tjetër zë dhe emër krijues në panteonin e letërsisë./bw