U drogua nga bashkëshorti dhe u përdhunua nga 51 burra, dëshmon në gjyq francezja që tronditi botën me historinë e saj
Një grua franceze, e cila u përdhunua nga disa burra të panjohur për mbi dhjetë vjet, pasi u drogua nga bashkëshorti i saj, tregoi në gjykatë për tmerrin që përjetoi kur mësoi se si ishte abuzuar me të.
Gisèle Pélicot, 72 vjeçe, dha dëshmi në ditën e tretë të gjyqit, se si 51 burra, përfshirë burrin e saj 50-vjeçar, Dominique, e përdhunan, duke thënë për këtë të fundit se kënaqej kur shihte burrat e tjerë që bënin seks me gruan e tij pa ndjenja, shkruan BBC.
Shumë të pandehur në këtë rast kundërshtojnë akuzën e përdhunimit kundër tyre, duke pretenduar se ata mendonin se po merrnin pjesë në një lojë seksuale konsensuale. Ky është një rast që ka tronditur Francën, aq më tepër që gjyqi po zhvillohet publikisht.
Gisèle Pélicot hoqi dorë nga e drejta e saj për anonimitet dhe për të zhvilluar procedurat me dyer të mbyllura. Ajo kujtoi momentin në nëntor 2020 kur asaj iu kërkua nga policia të merrte pjesë në një intervistë së bashku me bashkëshortin e saj.
“Oficeri i policisë më pyeti për jetën time seksuale,” tha ajo në gjykatë. “I thashë se nuk kisha praktikuar kurrë shkëmbimin e partnerëve apo treshe dhe se nuk mund t’a pranoja të më prekte dikush tjetër.
“Por pas një ore oficeri hapi një dosje dhe më tregoi një fotografi. Nuk e njoha as burrin as gruan që flinte në shtrat. Oficeri pyeti: ‘Zonjë, a është ky shtrati dhe komodina juaj?’
“Ishte e vështirë ta dalloja veten të veshur në atë mënyrë. Pastaj më tregoi dy foto të tjera. I kërkova të ndalonte. Ishte e padurueshme. Unë isha pa vetëdije, në shtratin tim dhe një burrë po më përdhunonte. Bota ime u shkatërrua”, ka thënë ajo.
Gisèle tha se deri atëherë martesa e tyre kishte qenë e lumtur dhe ajo dhe burri i saj kishin kapërcyer një sërë vështirësish financiare dhe shëndetësore.
“Unë thjesht doja të zhdukesha. Por më duhej t’u thosha fëmijëve të mi se babai i tyre ishte i arrestuar.”
Në ditët në vijim, gjykata do të dëgjojë më shumë prova nga hetimi, se si Dominique dyshohet se ka kontaktuar burra përmes faqeve të internetit të seksit dhe i ka ftuar në shtëpinë e tij periferike në Mazan, një qytet në veri-lindje të Avignon./LIVING