Kategoria e pensionistëve që do të marrë më shumë para pas tetorit
Pas 1 tetorit të këtij viti pritet që më shumë para të shkojnë në xhepat e mbi 700 mijë pensionistëve në Shqipëri dhe kategoria që do të përfitojë më shumë para do të jetë ajo që i ka pensionin shumë të ulët. E jo vetëm kaq, një tjetër kategori e shtresave në nevojë që pritet të trajtohet me bonus, janë pikërisht qytetarët të cilët trajtohen në ndihmë ekonomike. Së shpejti pritet të aplikohen ndryshimet e propozuara në skemën e pensioneve për të cilat po punohet prej kohësh nga qeveria shqiptare, në bashkëpunim me Bankën Botërore e grupet e interesit. Sakaq, në tetor pritet të bëhet indeksimi i radhës për moshën e tretë.
Por sa para më shumë pritet të marrin pensionistët? Ekspertja e ekonomisë dhe njëkohësisht pedagogia Eriola Hoxha tregon se metoda e indeksimit së pensioneve do të ndryshohet me një fokus në përfitimin e atyre që kanë pensione të ulëta. Ajo thekson më tej se po mendohet aplikimi i një formule, që do të rezultojë në një rritje më të madhe për pensionet më të ulëta krahasuar me ato më të lartat. Nga ana tjetër, përballë çmimeve që vijojnë të rriten dhe kostove të shtuara të jetesës, ndihma ekonomike është e pamjaftueshme.
Ky fakt pranohet edhe nga vetë Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes sociale, e cila propozon ndryshim të kësaj skeme. Në Strategjinë Kombëtare 2024-2030, thuhet se pavarësisht rritjeve ndër vite të vlerës së ndihmës ekonomike, përsëri ajo mbetet e pamjaftueshme për të shmangur rrezikun për të qenë i varfër. Në strategji thuhet se pavarësisht të gjitha përpjekjeve, duke përfshirë edhe punësimin e të rinjve në moshë pune, vetëm 3% e popullsisë u nxor nga rreziku i varfërisë. Aktualisht buxheti që shkon për ndihmën ekonomike është 0.3% e PBB, dhe në vitin 2022 mbështeti 64 mijë familje me 226.530 individë̈ anëtarë.
Përllogaritja e indeksimit
Ekspertja e ekonomisë, Eriola Hoxha, ndër të tjera ka treguar gjithashtu mënyrën se si përllogaritet indeksimi i pensioneve dhe se cilat janë pritshmëritë për pensionistët e thjeshtë. “Llogaritet duke nisur me vlerën e pensionit që një pensionist merr mbi pensionin bazë por ka një përqindje që e vendos shteti në varësi të fondit total që ka vendosur dhe miratuar në fillim viti në buxhetin e vitit 2024, vlerë kjo e cila shpërndahet në mënyrë të barabartë tek të gjithë pensionistët”, tha ajo.
Kompensimi i dritave
Përmes skemës së kompensimit të dritave, pensionistët mund të përfitojnë deri 1288 shtesë mbi masën e përfitimit mujor. Aktualisht, janë tre vendime qeverie që janë në fuqi për rimbursimin e dritave. Konkretisht është vendimi i vitit 2006, i ndryshuar në vitin 2009, me të cilin pensionistët marrin 140 lekë dhe 500 lekë, ose 640 lekë në muaj. Dhe vendimi i fundit i vitit 2014, ku pensionistët marrin kompensim të energjisë në masën 648 lekë në muaj. Pra, gjithsej janë 1288 lekë në muaj, ose 15 456 lekë që pensionistët kryefamiljarë marrin si kompensim për dritat në harkun e një viti.
Në skemë janë mbi 140 mijë pensionistë që çdo muaj bashkë me pensionin marrin edhe rimbursimin. Në harkun e 8 viteve, pra që pas ndryshimeve ligjore në 2015, numri i përfituesve thuajse është dyfishuar. Vitin e parë të aplikimit të skemës ishin rreth 80 mijë të moshuar, por aktualisht janë mbi 140 mijë pensionistë që përfitojnë rimbusim. Pjesë e skemës mund të bëhen edhe ata të cilët dalin rishtazi në pension, mjaftojnë të plotësojnë kushtet që kërkohen, si edhe të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm pranë zyrës rajonale të sigurimeve shoqërore.
Kushtet e dokumentet
Por, cilat janë kushtet dhe dokumentet që duhet të dorëzohen? Për të marrë rimbursimin në vlerën e 1288 lekëve, duhet që pensionisti të jetë kryefamiljar, të jetë i vetëm ose pjesëtarët e tjerë të familjes të jenë pensionistë (në këtë rast bashkëshorti apo bashkëshortja) ose të jenë të papunë punëkërkues. Pra, duhet që asnjë prej anëtarëve të familjes të mos jetë në marrëdhënie pune. Për të provuar këtë duhet që të dorëzohet certifikata familjare ku janë të shënuar pjesëtarët e familjes. Në rastin kur janë dy pensionistë, pra, burrë e grua, kompensimin e përfiton vetëm njëri prej tyre. Kjo pasi dokumenti tjetër që duhet është libreza e dritave në emër të aplikuesit për të marrë kompensimin.
Por, edhe nëse përfituesi plotëson kriteret, kompensimi nuk përfitohet nëse nuk ka konsum të energjisë elektrike dhe paguhet vetëm tarifa fikse e shërbimit. Për të përfituar shtesën, pensionistët duhet të aplikojnë pranë drejtorive rajonale të Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Veç formularit duhet të dorëzojnë një fotokopje të kartës së identitetit, kopje e kontratës me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë në emrin e vet, kopje e librezës ose faturës së likuiduar që vërteton që e paguajnë energjinë e konsumuar, si edhe certifikatë familjare për të vërtetuar që janë kryefamiljarë të vetëm ose kanë persona të tjerë të familjes në moshë pune.
Kategoritë
Veç pensionistëve, në skemën e rimbursimit të dritave janë edhe familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, si edhe familjet që kanë në përbërje anëtarë me aftësi të kufizuar, të lindur ose të bërë të tillë, të cilët deklarohen të paaftë për punë me vendim të KMCAPit, si edhe kryefamiljarët, që përfitojnë pension invaliditeti shtetëror dhe pension invaliditeti të plotë në fshat dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar.
Në vendimin e miratuar në 2014 “Për mbrojtjen e shtresave në nevojë për efekt të heqjes së fashës deri në 300 KwH në muaj” të drejtën për t’u kompensuar me 648 lekë në muaj e kanë edhe familjet e punonjësve buxhetorë, me pagë mujore bruto nën 35 mijë lekë në muaj, kur punonjësi është kryefamiljar dhe nuk ka asnjë anëtar të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar, të verbrit, si edhe personat paraplegjikë e tetraplegjikë./gsh