Vrasja në Velipojë/ Gazetari i trembet hakmarrjes: Zjarri është ndezur, s’mund të ngujosh një fis
Një ngjarje e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme në Velipojë, ku 33-vjeçari Ersild Ishmi dhe kunatin i tij, Arsid Hoxha, 22 vjeç, u vranë me armë zjarri nga dy vëllezërit Edmir dhe Gëzim Frroku.
Gazetari Artan Hoxha tha në Euronews Albania se i trembej hakmarrjes që mund të pasojë kjo ngjarje. Kjo pasi sipas Hoxhës, rrjeti fisnor në ato zona është i madh dhe është e vështirë që të kontrollohen veprimet e tyre, prandaj ai bëri thirrje që të qetësohen sa më shumë gjërat, që të mos kalohet në veprime të tjera ekstreme.
Janë humbur jetë njerëzisht 22-vjeç, 33-vjeç. Janë mosha të reja. Ajo që unë kam më shumë frikën aty është të mos i hidhet më shumë benzinë zjarrit dhe të qetësohen sa më shumë që të jetë e mundur, sepse rrjeti fisnor aty… kalon në një zinxhir që zgjerohet.
Dhe nëse hyjmë në atë zinxhirin e frikshëm të hakmarrjes i cili nuk godet më vetëm personat përgjegjës, por edhe personat afër tyre. Ti mund të ruash një familje, por nuk mund të ruash dot një fis të tërë. Nuk mund të çosh në ngujim një fis të tërë.
Megjithatë thashë që jemi në hapat e para të hetimit dhe zbardhjes së kësaj ngjarjeje. E para për të kuptuar qartësisht se me çfarë kishin të bënin dhe si përfunduam në këtë situatë dhe së dyti kush janë personat përgjegjës që lejuan që kjo situatë të vinte në këtë pikë që është dhe me pasoja kaq të rënda”, tha Hoxha./OraNews