Qëlloi me automatik banesën e krushkut, arrestohet 63-vjeçari
63-vjeçari Petraq Sotiri ka rënë në prangat e Policisë së Fierit pasi qëlloi me automatik drejt banesës së vjehrrit të djalit të tij pas konflikteve të vazhdueshme familjare.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë së Fierit, pas kallëzimit të marrë nga ana e krushkut, se dikush ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së tij, kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Pas kërkimit dhe bashkëpunimit me policinë e Divjakës ra në pranga Petraq Sotiri, 63 vjeç, banues në fshatin Karavasta e Re, Divjakë.
Ai dyshohet se pas konflikteve të vazhdueshme familjare me vjehrrin e djalit të tij, ka qëlluar drejt banesës së këtij të fundit me automatik duke kanosur atë dhe familjarët.
Pas kontrollit të banesës së shtetasit Petraq Sotiri, shërbimet e policisë kanë gjetur dhe sekuestruar armën e zjarrit dhe municion luftarak.”– njofton policia. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.