Konvertimi i patentë shoferëve në RKS deri më 9 gusht, Kurti apel serbëve të Kosovës: Përfitoni nga kjo mundësi
Kryeministri Albin Kurti, ka folur për konvertimin e patent shoferëve nga të lëshuar nga strukturat ilegale dhe paralele nga Serbia, në patentë legjitime dhe zyrtare të Republikës së Kosovës.
Në një shkrim në platformën “X”, Kurti bëri të ditur se gjerë tani 3,941 qytetarë serbë të Kosovës, nga të gjitha komunat, kanë aplikuar për konvertim në RKS.
Që nga 9 maji, kur filloi ky proces, nuk është regjistruar asnjë incident”.
Ai ka ftuar të gjithë ata që ende nuk kanë aplikuar, të përfitojnë nga kjo mundësi deri më 9 gusht.
“Falënderoj bashkëqytetarët e mi për bashkëpunimin e vazhdueshëm me institucionet tona, të cilat janë në shërbim të secilit prej nesh”, shkroi Kurti.
Ndërkaq, të gjithë qytetarët që posedojnë patentë shoferi të lëshuar nga strukturat jo legale serbe mund të aplikojnë për patentë shoferi zyrtar të Republikës së Kosovës përmes aplikimit formularit elektronik në ueb faqen https://patentshoferonline.rks-gov.net/ apo edhe fizikisht në Qendrën për Pajisje me Dokumente në të gjitha komunat e Kosovës.
Në rast të paraqitjes fizike për aplikim në sportelet e Qendrave për Pajisje me Dokumente, qytetarët duhet të posedojnë këto dokumente: Letërnjoftimin e Republikës së Kosovës, Origjinalin e patentë shoferit të lëshuar nga ana e autoriteteve serbe, Certifikatën e gjendjes shëndetësore për pajisje me patentë shofer, Certifikata shëndetësore lëshohet nga institucionet shëndetësore të licencuara nga Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës, në tërë territorin e Republikës së Kosovës; Çmimi për certifikatë shëndetësore varion nga kategoria e mjetit për të cilin posedon patentë shoferin dhe atë si në vijim: Për kategorinë B/BE çmimi i certifikatës shëndetësore është njëzetë euro (20.00€); Për kategorinë C dhe kategorinë D çmimi i certifikatës shëndetësore është pesëdhjetë euro (50.00€).
Dëshmi të pagesës së taksës vlera e së cilës është pesëmbëdhjetë euro (15.00€) dhe Origjinalin e patentë shoferit të lëshuar nga UNMIK apo RKS në qoftë se bëhet aplikimi për shtimin e kategorive, gjë e cila po ashtu është mundësuar përmes këtij vendimi të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Procedura për pajisje me patentë shoferi të Republikës së Kosovës zgjatë pesëmbëdhjetë (15) ditë.
Patentë shoferi i lëshuar nga strukturat serbe i kthehet aplikuesit si dokument i pavlefshëm dhe i njëjti pajiset me patentë shoferin e Republikës së Kosovës./Telegrafi/