Autoritetet në Kosovë ndalojnë në kufi hyrjen e dinarëve serb
Banka Popullore e Serbisë njoftoi të mërkurën se autoritetet në Prishtinë nuk kanë lejuar të hyjnë në territorin e Kosovës një shumë të parave në dinarë që kanë pas për qëllim kryerjen e pagesave për qytetarët serbë.
Autoritetet në Kosovë thanë ndërkaq se ky veprim i institucioneve të Serbisë është shkelje e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës dhe po synon krijimin e tensioneve artificiale.
Ndalimi i hyrjes së dinarëve serbë, pasoi një rregullore të re të Bankës Qendrore të Kosovës që hyri në fuqi më 1 shkurt, sipas së cilës monedha e vetme që lejohet për kryerjen e pagesave me para të gatshme në Kosovë është euro.
Sipas kësaj rregulloreje, vetëm institucionet e licencuara në Kosovë mund të kryejnë importin dhe eksportin e valutave.
Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci i tha Zërit të Amerikës se përfaqësues të palës serbe në vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Jarinje janë interesuar për dërgimin e parave në Kosovë.
Ne ua kemi sqaruar se pa pasur autorizim nga Banka Qendrore e Kosovës nuk lejohet qarkullimi i mjeteve monetare”, tha zoti Stavileci.
Banka Popullore e Serbisë tha se paratë që janë ndaluar kanë qenë të parapara për paga, pensione, përfitime sociale dhe pagesa tjera për serbët.
“Dënojmë ashpër incidentin e sotëm dhe rithekson se është e nevojshme që menjëherë të shfuqizohen masat diskriminuese, të paligjshme dhe të egra të ndërmarra nga institucionet në Prishtinë për të mundësuar transportin dhe shpërndarjen pa probleme të dinarëve dhe për të parandaluar mohimin e kushtet për jetën e popullatës serbe në Kosovë”, thuhet në reagimin e Bankës Popullore të Serbisë.
Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi shkroi në rrjetet sociale se veprimi i Bankës Popullore të Serbisë paraqet njё hap të njëanshëm me qёllim tё siç tha shkeljes flagrante tё funksionalitetit tё institucioneve tё Kosovёs.
“Sot Banka ekuivalente e Serbisё (njё ditё para mbledhjes sё thirrur tё Kёshillit tё Sigurimit), ka dёrguar njё kamion me para (plot 117.000.000 dinarё) nё kufi, nё pёrcjellje tё individёve qё prezantohen me kredenciale tё njё kompanie inekzistente, me pretendimin qё paratё duan t’i dёrgojnё tek njё entitet poashtu inekzistent nё Kosovё dhe pёr interes tё pёrfituesve, emrat e tё cilёve as i dijnё e as nuk i kanё”, shkroi ai.
Zoti Bislimi tha se Kosova është e përkushtuar qё tё punojё dhe ndihmojё nё gjetjen e mekanizmit qё siguron qё mjetet e tilla tё dёrgohen nё mёnyrё ligjore tek pёrfituesit dhe atё nё afatin sa mё tё shpejtё tё mundur.
Qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë i marrin pagat dhe pensionet nga Serbia në dinarë serbë i cili përdoret për pagesa në mjediset me shumicë serbe, posaçërisht në veri.
Ndalimi i këtyre përfitimeve në dinarë serb ka ngritur shqetësimin e diplomatëve perëndimorë se çështja mund të nxisë tensione të reja.
Autoritetet në Prishtinë kanë kërkuar të hapen kanalet e komunikimit ndërmjet Bankës Qendrore të Kosovës dhe asaj të Serbisë për këtë çështje, por udhëheqësit serbë kanë hedhur poshtë një mundësi të tillë, duke theksuar se kjo do të nënkuptonte njohje të pavarësisë së Kosovës që Serbia vazhdon ta kundërshtojë/VOA