“Në 2011 i nxorëm shifrat për 5 javë”/ Ish-drejtoresha e INSTAT: Të dhënat e censit janë manipuluar
Të dhënat zyrtare të censit të publikuara sot treguan se popullsia e Shqipërisë është tkurrur në 2,4 milion banorë, ndërsa mosha mesatare e popullsisë është rritur në 42 vjeç.
Ines Nurja, ish-drejtoresha e INSTAT tha në emisionin Review në Euronews Albania se shifrat e censit të popullsisë janë manipuluar pasi numri i përgjithshëm i popullsisë në vend për 2023 është më i vogël.
Ajo tregoi se kur ishte në krye të institucionit që regjistron popullsinë të dhënat e censit të zhvilluar në 2011 u publikuan brenda 5 javëve.
Nga ajo që kam informacion nga brenda INSTAT në qytetet e mëdha Tiranë dhe Durrës nuk ka pasur një ecuri të mirë të punës, Shqipëria ka ndryshuar në 11 vjet, nuk kthehet më njëri në shtëpi para orësh 5 dhe anketuesi ka pasur një orar pune dhe nuk vjen të të pyesë në orën 9 të darkës. Shifra mund të jetë rritur në mënyrë fiktive, është shtuar numri, ka një gënjeshtër të madhe, janë manipuluar. Para 12 vjetësh ka qenë edhe më i vështirë regjistrimi se teknologjia nuk ka qenë kaq e zhvilluar dhe është nxjerrë për 5 javë rezultati. Dhe në 2001, që është bërë në mënyrën më tradicionale të mundshme, është bërë me letër, është nxjerrë rezultati për 2 muaj. Ndërkohë, 12 vjet më pas i nxjerr për 8 muaj dhe kjo mua më bëj të dyshoj, mendoj se numri ka qenë shumë i vogël dhe të dhënat janë manipuluar”, tha Nurja.
Ajo tha se censusi duhej të ishte publikuar pas disa ditës nga përfundimi. Nurja tha se për sa kohë që censusi është bëre më tableta, ai duhej të publikohej po aq shpejt sa fqinjët tanë Kosova.
“INSTAT e ka bërë censusin me tablet. E ka bërë në këtë mënyrë Serbia, Kosova dhe Mali i Zi. Kosova e ka nxjerrë popullsinë e regjistruar për dy ditë, Serbia me të njëjtën mënyrë dhe Mali i zi. I kanë nxjerrë këto rezultate për 5 javë. INSTAT ka një server të brendshëm dhe kjo nuk ka lidhje me sulmin dhe censusi duhej të publikohej për 5 ditë” tha Nurja.
Ish-drejtoresha e INSTAT shton se numri është manipuluar dhe procesi ka dështuar në Tiranë dhe Durrës.
Shifra nuk është dhënë e saktë. Është shtuar numri. Është një gënjeshtër e madhe dhe ne Tiranë dhe në Durrës ka dështuar procesi nga të dhënat që unë kam. Manipulimi i një shifre të tillë bëhet për shkak të fondeve të BE, për arsye politike” tha ajo./OraNews