Kulturë

E DHIMBSHME: “KAÇURRELAT E TU”, KËNGA PËR DASHURINË E HUMBUR U KRIJUA NË DITËT E FUNDIT TË JETËS SË TIJ… VDIQ NË BURGUN KOMUNIST

Fati tragjik i kompozitorit shkodran Gac Çuni dhe disa vargje dhimbjeje të Arshi Pipës: Gac, o shok i vuejtjes, nxânsi im i lashtë; mâ s’ta gjegja zanin, mâ nuk t’ndesha jashtë! N’imshtën e Burrelit vorrin ku ta banë;Kur ushton gjethnaja, Gac ti ndoshta fshân?;Fshâj nji kangë lirije qi t’u mbyll n’krahanuer!

Disa tinguj të lehtë, me një melodi melankolike, nisin të thyejnë ngadalë heshtjen nëpër qelitë e burgut të Burrelit, një natë pranvere të vitit 1956. 

Ishte zëri i Gac Çunit, djali shkodran që po jetonte ditët e fundit të jetës së tij, në qelinë e burgut të Burrelit. 

Kënga nisi të ngjallë shpirtrat e burgosur të atyre njerëzve, që po vuanin pa faj nëpër qelitë e atij burgu. 

Kënga e fundit, melodia e fundit e djalit të ri. 

I kushtohej dashurisë së tij të humbur, vajzës shkodrane me kaçurrela, që kishte mbetur imazh i largët për zemrën e djalit të burgosur. 

Kaçurrelat e vajzës së bukur që kishte qenë dashuria e tij platonike, që do të mbetej në mendjen dhe zemrën e tij, si një hije që endej nëpër rrugicat e bukura të qytetit, atje ku Gaci kishte jetuar ato pak vite rinie, i lirë.

Unë pa ty jam i vetëm…. 
Unë pa ty jam i tretun…. 
Gjithmonë kam me të kujtu… 
Skam me te harru moj kaçurrele 
Kaçurelat e tu…

Përmes vuajtjeve që i sillte tuberkulozi, kur villte gjak e rënkonte papushim nga dhimbja, ai kompozoi aty nëpër qeli, këngën për dashurinë e humbur “Kaçurrelat e tu”. 

E këndoi menjëherë, duke e ndarë me bashkëvuajtësit e tij brengën për dashurinë e tij të humbur.

Ai ishte mësues dhe kompozitor i talentuar i brezit të tij. Gac Çuni lindi në vitin 1926, në Shkodër. Kreu Seminarin Jezuit dhe Liceun e Shtetit në Shkodër. 

Pas diplomimit, punoi si mësues në Bajzë të Kastratit, ku dhe u arrestua me akuzën se kishte takuar të vëllanë e arratisur dhe se kishte komunikuar dhe ndihmuar dajën e tij, që ishte asokohe i arratisur si antikomunist, në malet e Dukagjinit.

Akuzohej gjithashtu, se kishte pasur lidhje me një klerik patriot, si Pader Çiril Cani, kur ai ishte me shërbim në Koplik, atje ku Gaci kishte qenë mësues.

Në akuzën e sigurimit të shtetit, thuhej se Gac Çuni nuk e kishte dashur komunizmin… Se i kishte shkruar një letër dajës së tij në malet e Dukagjinit dhe e kishte ndihmuar atë, me ushqim e rroba për të mbijetuar nëpë ato male.

Arshi Pipa kishte qenë mësues i tij, por edhe bashkëvuajtës, nëpër kampet e burgjet komuniste. 

Gac Çuni dha shpirt në burgun e Burrelit, përmes dhimbjes së papërshkrueshme nga sëmundja e rëndë e tuberkulozit, për të cilën autoritetet e burgut, ndaluan ndihmën mjekësore. 

Dha shpirt, ashtu i drobitur nga sëmundja e rëndë, larg familjes e shoqërisë, larg “kaçurrelave të saj”.

Kur vdiq Gac Çuni, mësuesi dhe bashkëvuajtësi i tij Arshi Pipa, shkroi:

«Elegji për Gac Çunin».

Vdiq edhe nji tjetër! Qanje shokë, të ngratin! 
Banja t’madhe gjamën! Vdiq tue sosë afatin! 
Si, pat hjekë e vuejtun, mbasi shumë qe rrekë 
Tue luftue me morden! Vdiq: e lanë me vdekë! 
Shtrydhë e shterrun forcash djerreve t’Bedenit, 
fill andej përplasun brrakave t’liqenit; 
ra e u’mek djaloshi… Vinte i imët kah shtati, 
s’ishte për tê kazma, s’ishte për tê shati 
Se ktij qielli i fali çka s’i dha secilit: 
frymën e muzikës, zanin e bilbilit. 
Oh sa herë ndër muzgjet e robnis ai zâ 
Zemrën qi lëngonte balçëm ai ju bâ 
Dridhej nën zâ letas, mallshëm, melodija, 
tash ndër kangë shkodrane, tash n’Ave Maria. 
Prante zhurma e dhomës, që të gjithë veshtojshin 
Tretun ndër kujtime t’ambla qi ato zgjojshin… 
Gac, o shok i vuejtjes, nxânsi im i lashtë, 
mâ s’ta gjegja zanin, mâ nuk t’ndesha jashtë! 
N’imshtën e Burrelit vorrin ku ta banë 
Kur ushton gjethnaja, Gac ti ndoshta fshân? 
Fshâj nji kangë lirije qi t’u mbyll n’krahanuer! 
nji jetë artisti qi pa fryt u-buer! 
Fshâj e përmbas teje le t’ankojë shoqnija 
qe na njofti vlerën, mbarë t’ankojë rinija!

Shënim: Informacioni është marrë në artikullin me titull: Requiem për Gac Çunin, botuar nga: adiandradia.com, me autor Pjetër Pepa./Kujto.al/ObserverKult

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button