Lajme

LUFTA MBYLLET SOT/ Pas 3 vitesh Apeli “vulos” fatin e  PD-së, palët apelojnë për drejtësi

Kalvari në dyert e drejtësisë për Partinë Demokratike pritet të marrë fund në 11 Qershor, pasi Gjykata e Apelit ka caktuar seancën që mund të jetë dhe e fundit për zgjidhjen përfundimtare të luftës brenda kampit blu, e nisur në fundin e vitit 2021.

Dy palët që kërkojnë të njihen përfundimisht si Partia Demokratike, Rithemelimi dhe pjesa që mbështet Lulzim Bashën kërkojnë drejtësi nga togat e zeza në Apel.

Dhe për këtë arsye sot në ora 10:00, Gjykata e Apelit pritet të vendosë për fatin e drejtimit të Partisë Demokratike, me treshen gjykuese që përbëhet nga Alma Ahmeti, Iliba Bezati dhe Elona Toro.

Ishte Gjykata e Lartë që ktheu çështjen në Apel, dhe në vendimin e zbardhur në 27 dhjetor të vitit të kaluar udhëzon shkallën e dytë të gjyqësorit që të japë zgjidhje përfundimtare për këtë çështje.

PRETENDIMET E PALËVE

Përfaqësuesit e dy PD-ve gjatë kësaj kohe kanë apeluar për vendimmarrje të drejtë.

Nga ana e tyre përfaqësuesit e Rithemelimit vlerësojnë se Apeli të vendosë bazuar në ligjin për partitë politike dhe mbi të gjitha të zbatojë udhëzimet e datës 27 Dhjetor 2023, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i ka përcaktuar.

Të njëjtën gjë kërkojnë dhe vartësit e Bashës, të cilët kërkojnë nga Gjykata e Apelit të zbatojë me përpikmëri çdo detyrë që ka lënë Gjykata e Lartë dhe se  vendimmarrja e Apelit të jetë në frymën e vendimit të Gjykatës së Lartë.

Sipas tyre Gjykata e Lartë ka lënë disa detyra që duhet të zbatohen nga Apeli dhe përfundimisht të japë një zgjidhje përfundimtare për legjitimitetin e organeve drejtuese të Partisë Demokratike.

Por pavarësisht se prej datës 27 Dhjetor të vitit të kaluar kanë në duar arsyetimin e Gjykatës së Lartë, të dyja palët janë rezervuar të shprehen se nga do të anojë peshorja e drejtësisë këtë herë, pasi dhe vetë praktika gjyqësore është shumë specifike dhe Gjykata e Lartë e kaorientuar drejt zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshjeje.

Për “Ora News” pak ditë më parë përfaqësuesi ligjor i PD-së së Bashës, Indrit Sefa pohoi se Partia Demokratike zyrtare është gati të pranojë çdo vendim të shkallës së dytë të gjyqësorit, ndërsa zyrtarët e Rithemelimit janë shprehur se nëse drejtësia do diktohet nga politika nuk do rrinë gojë kyçur./OraNews

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button