SKANDALI/ Artan Hoxha & Dorina Hoxha me Doktoratura “Copy Paste”, Muka: Ja si i zbulova plagjiaturat e tyre! Profesorët e së drejtës kanë mashtruar, të merren masa ndaj tyre
Ish-Zëvendës-Ministri i Arsimit dhe studiuesi shkencor Taulant Muka ka bërë një kallëzim penal ndaj kryetarit të Senatit Akademik të UT-së, Rektor i UT-së dhe anëtar i Departamentit të së Drejtës Penale pranë Fakultetit të Drejtësisë Artan Hoxha dhe ndaj anëtares së Senatit Akademik të UT-së, Dekane e Fakultetit të Drejtësisë dhe anëtare e Departamentit të së Drejtës Penale pranë Fakultetit të Drejtësisë, Dorina Hoxha.
Rektori Artan Hoxha dhe Dekania e Jurdikut, Dorina Hoxha, sipas Mukës, ka kryer veprën penale të plagjiaturës në punimet e tyre doktorale ku dhe kanë marrë titujt respektivë “Doktor Shkencash”.
Ajo që bie në sy në padinë e studiuesit shkencor Taulant Muka është fakti se si Artan Hoxha ashtu edhe Dorina Hoxha kanë të njëjtin pedagog udhëheqës Prof. Dr. Skënder Kaçupi.
I ftuar në studion e lajmeve në “Ora News”, Taulant Muka hodhi dritë me mënyrën se si u zbuluan këto “vjedhje” të pretenduara nga Muka të punës së dikujt tjetër, duke përfituar titujt e lartë shkencorë dhe akademikë, pikërisht nga dy njerëz të sistemit të drejtësisë.
Ky është një nga fenomenet më vrastare të shoqërisë shqiptare. Praktikisht kemi të bëjmë me plagjiatura të nivelit të lartë akademikë. Janë ata të cilët duhej të ishin modeli oi të rinjve shqiptarë, me qëllimin për t’u bërë profesionistë të denjë në shoqërinë ku ne jetojmë.
Kemi z. Artan Hoxha, i cili është Rektor dhe kandidat i vetëm për Universitetin e Tiranës, i cili ka një doktoraturë të kryer me plagjiaturë.
Ai ka kopjuar një doktoraturë tjetër në Rumani dhe e ka kopjuar fjalë për fjalë. Pra, ka bërë si të thuash një “copy-paste” dhe “google translate”.
Kisha 3 javë që jam marrë me materialin e z. Hoxha dhe shikoja që nuk kishte asnjë mundësi që të ishte origjinal, kisha dyshimet e mia, kërkoja në gjuhën italiane, angleze si gjuhë që z. Hoxha i njeh, dhe nuk ma merrte mendja që z. Hoxha do të kishte një material në një tjetër gjuhë që nuk e njeh.
Pra, të vësh emrin në një përkthim të cilin ti nuk di madje as ta lexosh, është një skandal më vete.
Edhe referencat i punimit i kishin kopjuar të gjitha njëlloj. Është skandal edhe më i madh se z. Hoxha ka publikuar dhe një libër të cilin ua jep dhe studentëve dhe nuk ka asnjë garanci që është i denjë pasi edhe ai mund të jetë i kopjuar.
Të kthehemi tek punimi është një material i kopjuar fjalë për fjalë, pa asnjë kontribut shkencor apo akademik të z. Hoxha dhe ky është një turp shumë i madh për shkencën shqiptare dhe për gjendjen e arsimit që ne kemi në Shqipëri.
Mos harrojmë se kemi 6 vite që flasim për plagjiatura dhe e kemi ngritur nivelin tek politikanët, dhe pritej që të kishte një reformë të thellë në këtë drejtim dhe një vizion të ri për mënyrën se si shikohet shkenca në Shqipëri, por shikojmë sot që kemi një përsëritje të rasteve dhe fenomeneve që kanë ndodhur gjatë këtyre 30 viteve. Z. Hoxha ka përkthyer fletë të tëra, dhe nuk është se ka përkthyer një fragment. Dhe doktoratura e autores rumune gjendet online, ndërsa doktoratura e z. Hoxha nuk është online, siç dhe ka ndodhur edhe me kandidatë të tjerë për dekanë e rektorë në këtë vend.
Po ashtu në këtë shembull është dhe znj. Dorina Hoxha, Dekane e Juridikut dhe mos harroni që po flasim për Artan Hoxhën dhe Dorina Hoxhën që janë profesorë të së drejtës dhe ligjit dhe rrjedhimisht këta të dy kanë mashtruar me karrierën e tyre akademike.
Edhe znj. Hoxha ashtu si dhe Artan Hoxha, ka marrë fragmente të tëra nga dy doktoratura italiane, por kryesisht nga njëra prej tyre që është një doktoranti në Napoli dhe është gjithashtu një material i përkthyer fjalë për fjalë”, u shpreh ndër të tjera studiuesit Taulant Muka në studion e lajmeve në “Ora News”.
ARGUMENTET E TAULANT MUKËS PËR PLAGJIATURËN E PRETENDUAR TË REKTORIT ARTAN HOXHA
Në cilësinë e kërkuesit shkencor, pas zbulimit të plagjaturëssë z. Artan Hoxha, kryetar i Senatit Akademik të UT-së, Rektor i UT-së dhe anëtar i Departamentit të së Drejtës Penale pranë Fakultetit të Drejtësisë, si qytetar i Republikës së Shqipërisë dhe kërkues shkencor, kam detyrimin ligjor të respektoj legjislacionin në fuqi në lidhje me këtë çështje.
Në këtë kuadër, përmes këtij kallëzimi do të parashtroj rrethanat e faktit dhe duke u mbështetur në aktet rregullatore në fuqi kërkoj nga ana juaj që të procedohet respektivisht.
z. Artan Hoxha në vitin 2009 ka përfunduar studimet doktorale dhe i është akorduar titulli “Doktor Shkencash”, bazuar në temën e doktoraturës së titulluar: “Bashkëpunimi Gjyqësor Ndërkombëtar në fushën Penale” me udhëheqës shkencor Prof. Dr. Skënder Kaçupi.
Disertacioni është i arkivuar në bibliotekën e Fakultetit të Drejtësisë me nr. inventari 14724, ku mund të gjendet me këto të dhëna: “341.4 (043.3) H 833”.
z. Hoxha, sipas gjetjeve të Aneksit nr.1, ka kopjuar fjalë-për-fjalë, idenë, strukturën, mendimet dhe bibliografinë e Dr. Stănilă, duke e trajtuar si vepër autentike/origjinale të tij, pa e cituar, duke konsumuar kështu një mori shkeljesh të kuadrit rregullator në fuqi në Republikën e Shqipërisë:
Së pari, bazuar në Urdhrin nr. 105, datë 23.3.2012 “Për miratimin e rregullores “Për etikën në veprimtarinë̈ kërkimore dhe botuese”” të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, lind e nevojshme të shqyrtohet etika e z. Hoxha në kërkimin shkencor. Specifikisht, z. Hoxha është në shkelje flagrante të parashikimeve të sanksionuara në Kreu I pika 3, 3.1, 3.2 dhe 3.3. Konkretisht pika 3, parashikon se: “kultura kërkimore kërkon: (3.1) nivel të lartë shkencor (ekselencë); (3.2) ndershmëri; (3.3) kompetencë dhe integritet”.
Së dyti, bazuar në nenin 33/7 të Statutit të UT-së, Ministrja e Arsimit znj. Manastirliu dhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Begaj, bazuar në kuadrin rregullator në fuqi dhe duke konsideruar këtë kallëzim, duhet të ndërmarrin veprime të menjëhershme për vlerësimin e shkarkimit dhe ndalimit të kandidimit të z. Hoxha si Rektor në UT.
Së treti, bazuar në nenin 75/2/ç të Statutit të UT-së, shkelja e të drejtave që burojnë nga pronësia intelektuale konsiderohen shkelje e rëndë dhe përbëjnë shkak për mbajtjen e përgjegjësisë disiplinore. Në këtë kuadër, përmes këtij kallëzimi, Senati Akademik, bazuar në nenin 76/5 të Statutit të UT-së ka detyrimin ligjor të ngrejë një komision disiplinor ad hoc me qellim që bazuar në nenin 76/7 të vlerësojë masën disiplinore të largimit të menjëhershëm nga puna të personelit akademik me kohë të plotë z. Hoxha, në përputhje me parashikimet e Kodit të Punës. Gjithashtu, Senati akademik duhet të ndërmarrë të gjitha masat e menjëhershme në bashkëpunim me organet/komisionet e tjera të UT-së, për vlerësimnin e shfuqizimit të gradës shkencore “Doktor Shkencash” që i është akorduar z. Hoxha.
Së katërti, bazuar në gjetjet e parashtruara në Aneksin nr.1, KPPA duhet të veprojë menjëherë për shfuqizimin e titullit akademik “Profesor” të z. Hoxha, në përputhje me parashikimet e nenit 30 të Vendimit nr.21/2022 “Për miratimin e rregullores “Për organizimin dhe funksionimin e Komisionit të Promovimit të Personelit Akademik të Universitetit të Tiranës””, ose rregullores së aplikueshme në kohën kur z. Hoxha ka marrë titullin akademik. KPPA duhet të bëjë një hetim të thelluar edhe për dokumentacionin që z. Hoxha ka depozituar për marrjen e titullit. Kështu, teksti mësimor “Ekstradimi dhe Urdhëri Europian i Ndalimit”, i publikuar nga Botimet Morava në Tiranë 2011, nga f.299-e në vijim, janë materiale të marra nga disertacioni plagjaturë dhe është/mund të jetë përdorur për marrjen e titullit “Prof.asoc” apo “Prof”.
Së pesti, Senati Akademik i UT-së dhe strukturat e tjera të UT-së kanë detyrimin ligjor që sa kohë janë vënë në dijeni të këtij fakti i cili mund të përbëjë edhe kundërvajtje penale në kuadër të nenit 148 të Kodit Penal, sipas të cilit “botimi ose përdorimi tërësisht apo pjesërisht me emrin e vet të një vepre letrare, muzikore, artistike ose shkencore që i përket një tjetri, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet”, t’i drejtohen Prokurorisë dhe/ose organeve të tjera që i çmon të arsyeshme me qëllim vendosjen e drejtësisë.
Së gjashti, Komisioni Institucional i Zgjedhjeve, me marrjen dijeni të kësaj shkrese, bazuar në Vendimin nr.5/2020, “Për miratimin e rregullores “Për organizimin e zgjedhjeve për autoritetet drejtuese dhe Senatin Akademik në Universitetin e Tiranës””, duhet të veprojë menjëherë duke vlerësuar (i) përjashtimin e kandidatit për Rektor të UT-së z. Hoxha; (ii) anulimin e zgjedhjeve dhe (iii) fillimin e procesit zgjedhor nga fillimi.
Së shtati, Institucionet që do të marrin dijeni mbi këtë shkresë duhet të tregojnë vigjilencën maksimale lidhur me procesin zgjedhor në Universitetin e Tiranës dhe ligjshmërinë e tij.
ARGUMENTET E TAULANT MUKËS PËR PLAGJIATURËN E PRETENDUAR TË DEKANES DORINA HOXHA
Në cilësinë e kërkuesit shkencor, pas zbulimit të plagjaturës së zj. Dorina Hoxha, anëtare e Senatit Akademik të UT-së, Dekane e Fakultetit të Drejtësisë dhe anëtare e Departamentit të së Drejtës Penale pranë Fakultetit të Drejtësisë, si qytetar i Republikës së Shqipërisë dhe kërkues shkencor, kam detyrimin ligjor të respektoj legjislacionin në fuqi në lidhje me këtë çështje.
Në këtë kuadër, përmes këtij kallëzimi do të parashtroj rrethanat e faktit dhe duke u mbështetur në aktet rregullatore në fuqi kërkoj nga ana juaj që të procedohet respektivisht.
Znj. Dorina Hoxha në vitin 2013 ka përfunduar studimet doktorale dhe i është akorduar titulli “Doktor Shkencash”, bazuar në temën e doktoraturës së titulluar: “Elementi Kohë dhe Vepra Penale” me udhëheqës shkencor Prof. Dr. Skënder Kaçupi.
Bazuar në kontrollin që i është bërë temës së doktoraturës së znj. Hoxha, konstatoj se disertacioni i zj. Hoxha, bazuar në gjetjet e kopjes sipas Aneksit nr. 1 bashkëlidhur dhe pjesë integrale e këtij kallëzimi, përbën plagjiaturë. Bazuar në ballafaqimin e versionit origjinal dhe versionit plagjaturë referuar Aneksit nr. 1 të këtij relacioni, vërtetohet se versioni plagjaturë është marrë nga një temë doktorature e mbrojtur pranë Università Degli Studi di Napoli Federico II, Facoltà di Giurisprudenza, Dipartimento di Scienze Penalistiche, Criminologiche e Penitenziarie, e titulluar: “La Prescrizione del Reato: Profili di Diritto Sostanziale e Riflessi Processuali”, e mbrojtur nga Dr. Aldo Franceschini, me udhëheqës shkencor Prof. Giuseppe Riçio, në vitin akademik 2007-2008. Gjithashtu, nga ekzaminimi i detajuar, janë gjetur gjurmë plagjature edhe nga një material tjetër, të cilin e kemi inkorporuar në Aneksin nr.1. Kështu, kam konstatuar se materiali tjetër nga ku është bërë kopja është: Giulia Riondato, ““Favor” e suoi limiti nella suçessione di leggi penali nel tempo”, temë doktorature nga Universiteti i Padovas.
znj. Hoxha, sipas gjetjeve të Aneksit nr.1, ka kopjuar fjalë për fjalë, idenë, strukturën, mendimet dhe bibliografinë e Dr. Franceschini dhe pjesërisht Dr. Riondato, duke e trajtuar si vepër autentike/origjinale të saj, pa e cituar apo qenë e autorizuar (elemement i cili nuk është cituar/specifikuar në doktoraturën e publikuar), e për pasojë mund të përbëjë një mori shkeljesh të kuadrit rregullator në fuqi në Republikën e Shqipërisë:
Së pari, bazuar në Urdhrin nr. 105, datë 23.3.2012 “Për miratimin e rregullores “Për etikën në veprimtarinë̈ kërkimore dhe botuese”” të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, lind e nevojshme të shqyrtohet etika e zj. Hoxha në kërkimin shkencor. Specifikisht, znj. Hoxha është në shkelje flagrante të parashikimeve të sanksionuara në Kreu I pika 3, 3.1, 3.2 dhe 3.3. Konkretisht pika 3, parashikon se: “kultura kërkimore kërkon: (3.1) nivel të lartë shkencor (ekselencë); (3.2) ndershmëri; (3.3) kompetencë dhe integritet”.
Së dyti, bazuar në nenin 75/2/ç të Statutit të UT-së, shkelja e të drejtave që burojnë nga pronësia intelektuale konsiderohen shkelje e rëndë dhe përbëjnë shkak për mbajtjen e përgjegjësisë disiplinore. Në këtë kuadër, përmes këtij kallëzimi Senati Akademik, bazuar në nenin 76/5 të Statutit të UT-së ka detyrimin ligjor të ngrejë një komision disiplinor ad hoc me qellim që bazuar në nenin 76/7 të vlerësojë masën disiplinore të largimit të menjëhershëm nga puna, në përputhje me parashikimet e Kodit të Punës. Në kushtet kur personi i akuzuar për plagjaturë është vetë Drejtuesi i Njësisë Kryesore, Senati duhet të derogojë nga aplikimi i rigoroz i procedurës së parashikuar nga neni 76/4 dhe të iniciojë procedurën menjëherë. Gjithashtu, Senati akademik duhet të vlërësojë të gjitha masat e menjëhershme në bashkëpunim me organet e tjera kompetente të UT-së për shfuqizimin e gradës shkencore “Doktor Shkencash” që i është akorduar znj. Hoxha.
Së treti, bazuar në gjetjet e parashtruara në Aneksin nr.1, KPPA duhet të vlerësojë menjëherë për shfuqizimin e titullit akademik “Profesor i asociuar” të znj. Hoxha, në përputhje me parashikimet e nenit 30 të Vendimit nr.21/2022 “Për miratimin e rregullores “Për organizimin dhe funksionimin e Komisionit të Promovimit të Personelit Akademik të Universitetit të Tiranës””, ose rregullores së aplikueshme në kohën kur znj. Hoxha ka marrë titullin akademik. KPPA duhet të bëjë një hetim të thelluar edhe për dokumentacionin që znj. Hoxha ka depozituar për marrjen e titullit, për të cilin kemi indicie objektive që ka plagjiaturë.
Së katërti, Rektori i UT-së dhe strukturat e tjera të UT-së kanë detyrimin ligjor që sa kohë janë vënë në dijeni të këtij fakti i cili mund të përbëjë edhe kundërvajtje penale në kuadër të nenit 148 të Kodit Penal, sipas të cilit “botimi ose përdorimi tërësisht apo pjesërisht me emrin e vet të një vepre letrare, muzikore, artistike ose shkencore që i përket një tjetri, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet”, t’i drejtohet Prokurorisë dhe/ose organeve të tjera që i çmon të arsyeshme me qëllim vendosjen e drejtësisë.
Së pesti, Komisioni Institucional i Zgjedhjeve dhe Komisioni i Zgjedhjeve në Fakultetin e Drejtësisë, me marrjen dijeni të kësaj shkrese, bazuar në Vendimin nr.5/2020, “Për miratimin e rregullores “Për organizimin e zgjedhjeve për autoritetet drejtuese dhe Senatin Akademik në Universitetin e Tiranës””, duhet të veprojë menjëherë duke vlerësuar (i) përjashtimin e kandidates për Dekane në Fakultetin e Drejtësisë zj. Hoxha; (ii) anulimin e zgjedhjeve dhe (iii) fillimin e procesit zgjedhor nga fillimi.
Së gjashti, Institucionet që do të marrin dijeni mbi këtë shkresë duhet të tregojnë vigjilencën maksimale lidhur me procesin zgjedhor në Universitetin e Tiranës dhe ligjshmërinë e tij./OraNews