EDHE PAS 100 VITESH QË NUK ËSHTË, AI VËRSHON ENDE NË GJAKUN E KOHËS/ Franc Kafka, ai që i çorri maskën iluzioneve dhe zbuloi mjerimin real të shoqërisë njerëzore
Franc Kafka u lind në Pragë më 3 korrik 1883. Ai ishte nënshtetas austro-hungarez, me prejardhje hebraike. Rridhte nga një familje relativisht e kamur. Një penë e jashtëzakonshme dhe një personalitet, gjithashtu i jashtëzakonshëm. Njëri me një zemër që mund të trokiste vetëm në kraharorin e një shenjtori, siç ishte ai.
U nda nga jeta më 3 qershor, 1924 në Vjenë, ende pa i mbushur 41 vjeç, prej një tuberkulozit, i cili e përndoqi për 7 vite radhazi, deri sa e shuajti përgjithmonë.
Marrëdhëniet e tij intime dhe tekstshkruese ishin të ndërlikuara, të garrametshme, dashuroi dhe shkroi, jetoi dhe kontribuoi me zemër dhe mendime, si ai e pakkush tjetër në mënyrën e tij. Krijimtaria; tregime të shkurtra, romane që kurrë nuk i përfundoi. Shumicën e dorëshkrimeve i dogji, pjesën që mbeti e la me amanet të kishte të njëjtin fat, por jo çdo amanet meritonte të respektohej, si dhe ky. Si shumë personazhe të artit avangard, edhe për krijimtarinë e Kafkës do të zgjohej interes dhe do të korrte famë pas vdekjes. Ai u cilësua si një nga autorët më me ndikim, apo Dante i shekullit të njëzetë. Franc Kafka fali gjithçka prej vetes, si njeri dhe si penë. Jetoi i përkorë dhe u sakrifikua si një hyjlindur. Kthjelltësia si loti, i gjykimit të tij e transformojnë në një akuzator, por gishtin nuk e drejtoi askurrë ndaj askujt. Ishte ajo që jetoi, ajo që mëtoi, gjithçfarë mund të përbënte lëndën e pamjaftueshmërisë dhe papajtueshmërisë . Nëse nuk do ta kishim njohur si shkrimtar, pa asnjë mëdyshje do ta pranonim si shenjt. I tillë ishte ai, i devotshëm dhe shëlbyes.
Fali gjithçka prej vetes, si njeri dhe si penë. Jetoi i përkorë dhe u sakrifikua si një hyjlindur. Kthjelltësia si loti e gjykimit të tij e transformojnë në një akuzator, por gishtin nuk e drejtoi askurrë ndaj askujt. Ishte ajo që jetoi, ajo që mëtoi, gjithçfarë mund të përbënte lëndën e pamjaftueshmërisë dhe papajtueshmërisë .
Franc Kafka erdhi në letërsi si një nevojë e brendshme e një individi gjithnjë i papajtueshëm me realitetin. Ndoshta jo vetëm sëmundja, prej së cilës ai ishte i dënuar me vdekje, por edhe njeriu delikat e shpirtmirë, cilësi këto të përftuara nga e ëma një grua hebre, bënë që kjo penë ta ngjynte majën në zjarrin e vetëtimave. I ndryshtë, shumëçka tjetërqysh nga të tjerët, ishte kumti që mëtoi në një vepër, e cila për pak do të shuhej bashkë me të, nëse miku i tij do të ishte aq shpirtkazëm sa të çonte në vend amanetin e tij, asgjesimin e dorshkrimeve.
Historia e letrave do ta njohte këtë shkelje amaneti si një shërbim i paçmuar që Maks Brodi, miku më i ngushtë i Kafkës.
Krijuesi nuk mund të fitojë vlera universale, në qoftë se vendos me ndërgjegje të tejkalojë dhe mohojë një pjesë të mirë të vetvehtes. Kështu ka ndodhur me gjithë artistët e krijuesit e mëdhenj, veprat e të cilëve kanë fituar statusin e të qënit pasuri universale. Një format i tillë krijuesi është padyshim dhe Franc Kafka. Vepra e Franc Kafkës është një ndër piramidat e letërsisë së përbotëshme, megjithse sa qe gjallë nuk e kuptoi dhe përfilli njeri, përjashtuar shokët e tij të ngushtë, pa të cilët ndoshta vepra e tij do të kishte shkuar humbur.
Vepra e Franc Kafkës ishte aq origjinale, aq e freskët dhe e aq patakuar më parë, sa kritika e kohës nuk ditën çfarë të bënin me të dhe e patën më të lehtë ta linin pas dore, dmth ta injoronin. Nuk është për tu çuditur, pothujse gjithmonë kështu ka ndodhur me krijuesit e jashtzakonshëm: vepra e tyre me vlerë ka qenë telash i madh për kritikën. Gjithmonë përballë gjeniut, mediokrit, për ta kaluar lehtë e pa probleme, bëjnë kompromis mes tyre, dhe kompromisi më i suksesshëm është heshtja rreth tij.
Ndërsa Franc Kafka nuk ka ndërmend të presë kritikën. Ai ndjen e kupton se nuk ka kohë për të humbur dhe shkruan e shkruan: kur nuk ka inspirim për letërsi artistike, shkruan ditaret e tij dhe atje pa mëshirë e kompromis, bën pacientin e kirurgun me vehten. Një kritik i ashpër e i pakompromis, sa nuk mund ti gjendet shoku në historinë e letërsisë. Ai merret me vehten, përqëndrohet intensivisht aty dhe zbulon se dobësia e dhimbja e tij njerzore, është shkaku madhor që e detyron të shkruajë.
Megjithë organizmin i tij shumë delikat, Franc Kafka shfaq një forcë të jashtzakonëshme kur vjen puna të merrte penën për të shkruar. Franc Kafka njeri e krijues, është shembull i gjallë i madhështisë e heroizmit njerzor, i cili e bën vehten copë për të nxjerrë në dritë atë çfarë fsheh brenda saj. Kafka është një shembull i rrallë i vetshkatrrimit me ndërgjegje të plotë, i shkuarjes kundër jetës thjesht biologjike, i refuzimit të një jete të qetë e kënaqësive personale njerzore, me një qëllim të vetëm: në shërbim të artit të tij.
Perendia e vetme e Kafkës ishte arti i tij. E konsideronte vehten me fat që kishte mundësi të shprehej sa e si duhej, vetëm në formë e mënyrë artistike dhe kur flet diku në ditaret e tij se „ beson në diçka të qëndrueshme e të pashkatërrueshme brenda tij “, patjetër e ka fjalën për artin e tij, perëndinë e vetme. Kafka është i qartë dhe i bindur se ajo gjë nuk ishte dogmë, por i vetmi mjet, e vetmja nevojë për të tejkaluar, jetën e zakonëshme, mungesën e familjes, kohën e madje dhe vehten. Dhe vërtetë ndodhi kështu, vetëm me artin e tij ai mundi të tejkalonte vehten, mundi të transformonte përditëshmërinë banale në një plan fantastik, të vizatonte të pazakonshmen, të jashtzakonshmen në një plan krejt të zakonëshëm e normal. Vetëm kështu ai mund të spostonte te tashmen e ngrirë në një të ardhme artistike joshëse, vetëm kështu mundi që jetën ta shëndërronte në një vepër artistike të mrekullueshme.
Diku në ditaret e tij, Kafka shkruan për vehten:
„ Nuk jam i paisur me asgjë, nuk përmbledh në vetvehte, për aq sa di unë, asgjë të fituar nga jeta, absolutisht asgjë, duke përjashtuar dobësinë universale njerzore. Por me këtë gjë, e në këtë kuptim, duhet të them se ajo është për mua një forcë kolosale. Unë kam thithur me forcë negativitetin e kohës që po jetoj dhe ai, negativiteti më rri aq afër, ngjitur fare, sa që unë nuk kam të drejtë ta luftoj, bile jo vetëm kaq, në një farë kuptimi e ndjej për detyrë ta përfaqësoj “
Franc Kafka inteligjent si rrallë kush, kupton shpejt se ku qëndron forca e tij e vërtetë, dhe me ndërgjegje e vë organizmin e vet në shërbim të krijimit të botës së tij, botës kafkiane. I përqëndron gjithë energjitë e tij drejt artit që kërkonte me forcë të shpërthente te ai dhe jeton aq intensivisht në shërbim të këtij misioni sa nuk e lë vehten me ndërgjegje te shpërqëndrohet në gëzimet që jeta i ofron një njeriu normal. Refuzon me vendosmëri, pa hezituar asnjë herë një jetë të qetë që i siguronte bashkëpunimi me të jatin, tregëtar i pasur, i cili nga ana e tij kishte varur te i biri i vetëm gjithë shpresat që një prind e fabrikuar krejt ëndërrat që një njeri me shpirt tregtari mund të bëjë për të birin.
Franc Kafka ishte njeri super i ndjeshëm jo vetëm për gjendjen e tij personale humane por dhe më gjërë. Si mund të themi ishte megjithmend një i huaj i pashoq, në tërë kuptimin e kësaj fjale, për krejt pjesën tjetër të qënies së tij, që nuk kishte të bënte me njeriun, artin e krijimtarinë artistike.
Alkimia kafkiane e dobësisë dhe dhimbjes njerzore, distilimi tyre gjatë një jetë të tërë, dhe pse ajo qe një jetë e shkurtër, bënë që vepra e Kafkës të fitojë përjetsinë.
Kafka njeri e kishte shumë më të lehtë ta administronte fatin e tij, duke pranuar apo dhe thjesht duke e ndihmuar projektin që kishin menduar prindrit e tij për të, sidomos i ati. Por jo, nuk ishte thënë të ndodhte kështu.
Në „ Letër babait „ ai sqaron gjithçka lidhur me këtë temë. Edhe se një gjë tepër e vështirë e komplekse kur vjen puna për të sqaruar mardhëniet në familje. Mund të jetë ndryshe e vërteta, sigurisht pa dyshim, por Kafka gjithë përgjegjësinë për këtë gjë e merr për vehte. Gjendjen në opozitë, gjendjen mbi gjemba në familje, ai e përjeton dhe e tregon si fajin i tij eskluziv, si pamundësi për tu sistemuar aty, si një i përzënë sepse nuk kishte forcën dhe aftësitë e duhura për tu sistemuar si donte babai i tij.
Ndërkohë që nga njëra anë Kafka refuzonte, apo nuk guxonte të hynte në botën familjare, në botën e tregëtisë, interesit, ai gati në mënyrë instinktive përqafonte vetminë e tij, mangësinë e tij dhe dalngadalë filloi të prgatisë projektin përkatës.
Projekti i tij ishte i pakonceptueshëm për kohën. Projekti i tij ishte mitizimi i njeriut të dobët, e sidomos i dhimbjes së tij. Deri në kohën kur kafka mori formë të plotë si krijues, jo vetëm në jetë por dhe në letërsi respektohej pa hezitim, pa mësyshje, vetëm miti i heroit, miti i fitimtarit, miti i njeriut që kërkon me këmbëngulje e me çdo çmim fitoren, arritjen e qëllimeve të jashtëme, mundjen e armikut dhe gjithë kush tjetër i del para.
Bashkohësi i tij i famshëm, nobeli Herman Hesse, kur ka thëne një herë se „ Nuk besoja se shpesh herë duhet më shumë kurajo për të mos bërë heroin se sa e kundërta „ pa dyshim ka patur parasyshë dhe jetën e sidomos veprën e Franc Kafkës.
Kafka e njohu thelbin e njeriut, sepse njohu vehten e tij shumë shpejt. Ai kuptoi se në themel të qënies së tij nuk qëndron gjë tjetër, përveçse një tension i përjetshëm kundërshtishë e përplasjesh forcash të kundërta. Kafka njeri e artist vazhdonte të transformonte vehten dhe gjatë këtij transformimi vizitonte gjithmonë e më shumë shpirtin e tij. Atij i ndodhte përditë ajo që i ndodh një njeriu të zakonshëm kur fillon e i dhemb një organ i trupit të tij i sëmurë, por me përmasa të tjera, me përmasa madhështore. Njeriut i dhemb një organ fizik i trupit të tij dhe vetëm atherë kujtohet e bëhet i ndërgjegjshëm se filan organ eksiston dhe duhet dëgjuar se çfarë po kërkon të thotë me ato sinjale të çuditëshme. Dhembja fizike njeriun e zakonshëm jo vetëm e bën të vuaj, por njëkohësisht e detyron dhe të rritet psikologjikisht pak nga pak.
Kafka kupton përditë e më shumë se njeriu i dobët, njeriu që dhemb është një mëkatar pa faj. Ai nuk mund të guxojë, ose guxon por ndryshe nga kuptimi klasik i kësaj fjale. Njeriu që dhemb e ka më të lehtë të sillet me vehten si burracak, sepse e din se sa herë i duhet të luajë, do të humbë.
Në veprën e Kafkës vërtetë dominon ankthi, por ankthi këtu nuk është aspak ndjenjë meskine. Ankthi kafkian është ankth ndryshe. Njerzit e botës kafkiane nuk kanë nevojë të presin që të hedhin vështrimin drejt të ardhmes, për tu ndjerë në ankth. Jo, ata lindin të plazmuar me ankth. Heroin kafkian e torturon natë e ditë mendimi se mos bëhet barrë për të tjerët, për jetën, dhe lufton me mish e me shpirt që kjo gjë të mos ndodhë. Ankthi i njeriut kafkian është i thjeshtë, por dhe i tmerrrshëm: ai mund të shprehet krejt natyrshëm me pyetjen e pafajshme: „ Mos nuk jam i nevojshëm? “ Dhe ky ankth zgjidhet në dy menyra ose shkrihet si qiri në mundësinë për të mos vendosur, ose vetvritet në pasivitet të plotë.
Kafka është i ndërgjegjshëm e i përgjegjshëm jo vetëm për atë çfarë bën kur shkruan e mendon, por sidomos për atë që është, atë që ndjen se është. Nuk shqetsohet tu japë domethënie veprimeve të veçanta, por mënyres të jetuarit.
Franc Kafka vetëm pasi arriti të njohë vehten e tij, vetëm pastaj ishte i sigurtë që të krijojë artistikisht njeriun si qenie e papërkryer, që nuk mund të përsoset kurrë e si e tillë i mbetet vetëm një detyrë: të përpiqet e të luftojë për ta tejkaluar vehten. Njeriu në fakt është shumë larg asaj që kujton se eshtë. Vepra e Kafkës përpiqet dhe arrin të zbërthejë këtë gjendje paradoksale të njeriut. Për fat të keq njeriu nuk është i bërë, njeriu është i mangët. Njeriu gjatë jetës së vet mund të bëjë vetëm një gjë: të përpiqet ti japë domethënie sa më shumë të jetë e mundur asaj.
Gjendja personale e Kafkës kishte ngjashmëri të madhe me gjendjen shoqërore të kohës kur jetoj ai. Negativin e kohës së tij ai e shihte në detaje, më mirë se sa shohin njerzit e zakonshëm një fotografi me ngjyra. Kafka është ndoshta krijuesi i parë që kapi, perceptoi ngrirjen e jetës së përditëshme dhe çveshjen e njeriut e reduktimin e tij në një gjë pa vlerë. Njeriu në veprën e Kafkës nuk shkon aspak drejt përsosjes por drejt gjymtimit.
Franc Kafka jetoj pak, ai vdiq pa mbushur akoma dyzetenjë vjeç. Përshkoi një jetë intensive. Jeta e tij është vepra e tij. Kush ka lexuar veprën e Kafkës nuk e ka hiç të vështirë të konstatojë se jeta e njeriut është një rrezik i qartë për tu përballuar. Siguria e njeriut, sidomos siguria morale e tij, por dhe ajo fizike janë thjesht një mit. Dhe kjo për asgjë tjetër, por thjesht sepse njeriu nuk din çfarë të bëje me jetën e vet. Njeriu nuk e di ku ka pikën e dobët dhe atë të fortë të tij, ose dhe nëse vjen një ditë dhe e zbulon këtë gjë nuk është i aftë të vërë në shërbim të jetës së tij forcën, vullnetin, inteligjencën e lirinë e tij edhe po të donte, sepse njeriu nuk jeton i izoluar.
Franc Kafka është shembull, një shembull unik i administrimit të kohës si vlerë. Tre vlerat themelore të kohës: atë si vlerë, si pervojë dhe si vlere kreative e qëndrimore; ai i shfrytëzoi në mënyrë të përkryer. Vlerën e kohës si eksperiencë, si përvojë ai shfrytëzoi duke treguar mrekullisht atë që i ndodhte atij, përvojën e tij si njeri e krijues. Vlerën kreative të kohës, ai e dëshmoi duke e bërë që të eksistojë që të mbijetojë me aktivitetin e vullnetin e tij si krijues dhe vlerën e kohës si qëndrim ai e dëshmoi me përgjigjen e tij në rrethana ti jashtzakonëshme e kritike, siç ishte sëmundja e tij e pashërueshme.
Shpirti i tij i delikat, shpirti i tij i ndjeshëm ndjente, kuptonte intensivisht e thellë gjëra e simptoma të pakapëshme për njerzit e zakonshëm. Gjithë këto ai i pasqyron artistikisht në ditarët e veprat e tij letrare, dhe si mendimtar një pjesë të mirë në bisedat e famëshme që vazhduan katër vjet rrjesht me muzikantin slloven, Gustav Januk. Franc Kafka ishte jo i zakonshëm dhe si njeri. Gustav Janukut, asokohe 17-vjeçar, shkrimtari i famshëm e bëri për vehte që në fillim me personalitetin e tij njerzor.
Franc Kafkës i mjaftonte vehtja e tij, pena e letra për të mbushur kohën, sepse krijuesit gjenial i mjafton vetvehtja për të mbushur heshtjen dhe vetminë që e rrethon. Gjeniu kundron i shkëputur botën dhe nuk i bën përshtypje, e nuk i kushton rëndësi zhurmës e opinionit. Nuk ka nevojë për shoqata e parti, nuk ka nevojë të fluturojë me tufën siç bëjnë patat. Atij i mjaftonte shpirti i tij, talenti e arti që i vlonte. Menjëfjalë ishte një pasanik, thjesht sepse nuk kishte nevoja.
Fjalët e filozofit gjenial të lashtësisë, Sokratit, i shkojnë shumë për shtat në mënyrë të veçantë Kafkës: „ Nevojtar për shumë pak gjëra, ai ndihej si një perendi “. Talenti i tij i jashtzakonshëm e ndërgjegjsoi të zgjidhte dhe ai zgjodhi, zgjodhi kufizimin e nevojave që nuk kishin lidhje me artin, zgjodhi sakrifikimin e përditshmërisë siç e kuptojnë njerzit e zakonshëm në favor të artit. Jeta e tij mund të përkufizohet si jeta e një njeriu që kërkonte të merrte nga ajo sa më pak të ishte e mundur, e nga ana tjetër ti jepte asaj maksimumin e mundshëm.
Franc Kafkës i shkonte shumë mirë të bisedonte me vehten sepse ishte intelektual i klasit ekstra. Asnjë bashkbisedues, asnjë dialog, nuk mund të zevendsojë monologjet e gjeniut. Dialogut, dhe atij më cilësorit, i mungon thellsia e mendimi që përçon monologu. Në fund të fundit inteligjenca e gjenialiteti nuk shkojnë dhe aq dakord me shoqërinë, sepse sa më i pasur të jetë personaliteti dhe shpirti i njeriut aq më pak ka nevojë për shoqërinë, si lundër për të kaluar liqenin. Kush kultivon mendimin, i beson atij dhe nuk i pëlqen shoqëria e sidomos urren turmat e sallonet mondane. Intelektuali nuk ndalet ti japë barë kush zë rrugën i pari.
Franc Kafka diku në bisedat me djaloshin inteligjent Januk e krahason vehten me „ sorrën e qymyrxhiut Teihhof “ . Franc Kafka, po, mund të krahasohet me një shqiponjë të vetmuar që mediton mbi një shkrep mali të thepisur, ose ose dhe me një korb që i pëlqen të rrijë i vetmuar në një degë lisi, sepse tufa e sorrave e mërzit me zhurmën e palaçollëqet që bëjnë shumicën e kohës.
Franc Kafka ishte aristokrat i mendimit, fund e krye. Ai nuk honepste banalitetet e vulgaritetet, por nga ana tjetër dëshmonte mirësi, e sjellje njerzore me njerzit që e meritonin dhe njëri nga këto ishte dhe djaloshi Januk, që pastaj, njëzet e kusur vite më vonë i bëri të njohur njerzimit vlerën e Kafkës si filozof e mendimtar.
Franc Kafka është shkrimtar i dhimbjes universale. Jo pak e konsiderojnë atë si prototipin e shkrimtarit pesimist. Por të mos harrojmë se pesimizmi i Kafkës është një pesimizëm origjinal. Pesimizmi i tij nuk ka një gram humor të keq, pesimizmi i tij (në se mund ta quaj kështu), nuk të mërzit, nuk ta bie në majë të hundës, nuk e bën depresiv lexuesin inteligjent. Pesimizmi i Franc Kafkës, është pesimizëm i „mirë“, është në fund të fundit i kthjelltë, sepse ai u çjerr maskën iluzioneve dhe zbulon i paanshëm mjerimin real të shoqërisë njerzore. Pesimizmi kafkian dhe koncepti realist i njeriut i bën optimistët të rrinë me këmbë në tokë, ta shohin realitetin ashtu si ai është. Veprën e Franc Kafkës duket sikur e ka shkruajtur një profet, një profet që nuk ka pasione, nuk ka nevoja duke përjashtuar artin e tij.
Kafka njihet si shkrimtari i situatave ekstreme ku njeriu i zakonshëm gjendet pa asnjë faj, koshient e inkoshient, i akuzuar. Prokurori i personazheve kafkianë është burokracia, jo thjesht të burokracisë shtetërore, por të burokracisë që vetë koha e shfaq. Njerzit janë në dorë të autoritetit absolut, nuk kanë mundesi e as shpresë të dinë pse jeta e tyre duhet të kalojë, dhe pse kalon në gjendje absurde.
Personazhet e Kafkës janë të ndaluar të jenë të lumtur, janë te destinuar të mos jenë të lumtur dhe kërkimi i kësaj gjëje nuk është gje tjetër veçse humbje kohe. Heronjtë kafkianë nuk mund ta bindin vehten për të bërë minimalen: të paktën të prekin iluzionin e lumturisë se janë duke sakrifikuar të tashmen e tyre për atë që vjen më pas. Një arsye tjetër mund të jetë dhe dyshimi i tyre i përjetëshëm “ se nuk janë të nevojshëm “.
Në veprën e Franc Kafkës nuk eksiston lumturia, por vetëm motive që e bëjne njeriun detyrimisht të ndjehet fajtor. Fajtor pa qënë në fakt. Fajtor sepse nuk beson dhe ndërkohë që nuk arrin të bëjë asgjë përballë mjerimit të shoqërise, mjerimit shumëplanësh. Dhe njeriu ardhur në këtë stad, nuk ka nga ja mban, nuk mund ti shpëtojë instinktit të vetshkatrrimit.
Nuk ka dallim realja nga surealja në narrativën e Kafkës, gjithçka vjen e rritet, bëhet e qartë e lakuriq jeta, ngjarjet. Githmonë ka të drejtë autoriteti, prindi, familja koha edhe kur nuk ka. Njeriu është gjithmonë i kërcënuar, gjithmonë në ankth.
Franc Kafka është një nga shembujt emblematik i njerzinit, që hetoi mbi vehten, zbuloi vlerat dhe u cfilit me ndërgjegje për të materializuar ato në artin e krijimtarinë e tij. Ndërsa vepra e tij është një shembëll brilant se çdo qenie njerzore, o rastësisht o domosdoshmërisht i jepet rasti e mundësia për tu bërë një fillim. Linda e tij, ardhja e tij në jetë duhet konsideruar si një ftesë që bashkë me kostitucionin e tij fizik të sjellë diçka të re./oranews.tv