I drejtoi armën stafit, shkarkohet ambasadori britanik
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Meksikë u shkarkuar nga detyra pas një incidenti të pazakontë me punonjësit e ambasadës.
Tashmë janë bërë publike edhe pamjet e incidentit, ku ambasadori Jon Benjamin shihet teksa i drejton automatikun një punonjësi të ambasadës, i cili duket i tmerruar nga ajo që po ndodh.
Sipas medieve britanike, incidenti ndodhi teksa ambasadori ishte në një vizitë zyrtare në qytetet Durango dhe Sinaloa, qytete të njohura për influencën e karteleve të kokainës.
Sipas raportimeve, arma ka qenë e një prej shoqëruesve, ndërsa ambasadori Benjamin është duke “bërë shaka” me armën në dorë.
Një diplomat karriere, Benjamin u emërua në Meksikë në vitin 2021. Ai ka përfaqësuar më parë Qeverinë Britanike në Kili, Gana, Turqi, Indonezi dhe Shtetet e Bashkuara, gjatë karrierës së tij 35-vjeçare në shërbimin diplomatik.