KUR SALI PROTOPAPA I VËRTETË, I SHKOI DRITËRO AGOLLIT NË SHTËPI PAS RËNIES SË KOMUNIZMIT: A E DI KUSH JAM UNË?
Nga Eduard Zaloshnja*
Në një mbrëmje të fillimvitit 1992, në derën e apartamentit të Dritëro Agollit (te pallati përballë MAPO-s në rrugën e Dibrës), trokiti një burrë i thinjur.
Kur Dritëroi hapi derën, burri i thinjur e pyeti:
-A e di kush jam unë?.
Dritëroi ngriti supet. Dhe me të drejtë.
Burri i thinjur kishte ikur nga Shqipëria qysh në vitin e largët 1944. Kur Dritëroi kishte qenë vetëm 11 vjeç.
-Jam Sali Protopapa, i tha burri i thinjur.
Pas disa të dhjetash të sekondës hutimi, Dritëroi e ftoi Protopapën në shtëpi.
Kur Dritëroi i ofroi raki e mish, Protopapa i tha se, ndryshe nga ç’ishte portretizuar në romanin “Komisari Memo” dhe në filmin “I teti në bronz”, ai nuk e kishte vënë kurrë rakinë në gojë dhe nuk preferonte mishin, por peshkun.
Në atë takim, Dritëroi mësoi se Protopapa kishte qenë student në Itali deri në vitin 1942, dhe ishte kthyer në Shqipëri, për të luftuar fashizmin (me shokë si K. Tutulani, M. Tutulani, R. Alia etj).
Gjithashtu ai mësoi se çeta balliste e Protopapës kishte bashkëpunuar me misionin anglez, për të luftuar kundër pushtuesve nazi-fashistë deri në fund të vitit 1944.
Në fund të takimit, Protopapa i tha Dritëroit se romani i tij (dhe filmi i ndërtuar mbi atë roman) i kishte shkaktuar shumë vuajtje gjatë regjimit komunist të gjithë atyre që e kishin mbiemrin Protopapa.
Dhe Dritëroi iu përgjigj se nuk e kishte ditur që Protopapat ishin një fis i zgjeruar. I vetmi njeri me këtë mbiemër që kishte njohur ishte Xume Protopapa. I cili kishte patur ‘biografi të mirë’ para 90-ës…/vjosa.net