Lajme

OKB miraton rezolutën për “Srebrenicën”, shpall 11 korrikun si ditën ndërkombëtare të kujtimit

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara votoi këtë të enjte me 84 vota pro, 19  vota kundër dhe 68 abstenime rezolutën për shpalljen e 11 korrikut si dita ndërkombëtare kur Përkujtohen Viktimat e Gjenocidit në Srebrenicë.

Gjermania dhe Ruana ishin bashkë-hartuese të kësaj rezolute dhe e prezantuan atë përpara vendeve anëtare të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Në tekstin e kësaj rezolute nuk përmendet Serbia si fajtore. Seanca u hap me Ambasadoren Gjermane në Asamblenë e  OKB-së  e cila deklaroi se kjo rezolutë nuk shënjestrën Beogradin Zyrtar.

Rezoluta nuk është e drejtuar kundër askujt. As kundër Serbisë – anëtare e vlefshme e kësaj organizate. Ajo shënjestron vetëm autorët e gjenocidit”, tha ambasadorja e gjermanisë në OKB, Anjte Leendertse.

Në fjalën e tij në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, Presidenti Serb Aleksandër Vuçiç u shpreh se bëhet fjalë për një rezolutë të politizuar që nuk do të ndihmojë rajonin dhe pajtimin e Bosnjë Hercegovinës. Vuçiç deklaroi se ishte ushtruar presion ndaj shumë vendeve që të votohej pro kësaj rezolute, ndërsa shtoi se është e vështirë që të flasësh pas Gjermanisë.

“Dua të nxjerr disa të pavërteta, Unë jam përkulur  para viktimave në Srebrenicë. Është e vështirë të flasësh pas Gjermanisë. Unë kërkoj një përgjigje nga të fuqishmit pse ju duhej të bënit kaq shumë presion mbi vendet anëtare të OKB-së, pse kërcënuat vendet që nuk donin ta votonin rezolutën. Shpresoj se sipas rezolutës së vitit 2015 do të dënohen të gjitha gjenocidet, përfshirë gjenocidin e kryer ndaj popullit serb. Ne kemi paguar çmimin më të lartë në Luftën e Dytë Botërore.”, tha Vuçiç.

Në mesin e vendeve që votuan kundër kësaj rezolute ishin Hungaria, Kina, Kuba dhe Azerbajxhani ndërsa Greqia, Sllovakia dhe Qiproja Abstenuan. Përveç Serbisë  e cila votoi kundër nga vendet e Rajonit duke përfshirë Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kroacinë, këto 4 shtete votuan pro rezolutës.

Sipas tekstit të miratuar të kësaj Rezolute OKB-ja dënon pa rezervë çdo mohim të gjenocidit në Srebrenicë si fakt historik dhe u bën thirrje shteteve anëtare të ruajnë faktet, përfshirë përmes sistemeve arsimore duke zhvilluar programe të përshtatshme. Në tekst po ashtu theksohet rëndësia e përfundimit të procesit të gjetjes dhe identifikimit të mbetjeve mortore të viktimave të gjenocidit në Srebrenicës, në mënyrë që ata të varrosen me dinjitet.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi në vitin 2007 se Serbia nuk ishte përgjegjëse për aktin e as bashkëpunëtore, por deklaroi se ajo nuk bëri asgjë për ta parandaluar atë. Për gjenocidin në Srebrenicë, ku u vranë të paktën 8 mijë e 372 burra, dhe për krimet e tjera të kryera në këtë rajon, janë dënuar më shumë se 50 persona me rreth 700 vjet burgim.

Ndërsa në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork votohej për rezolutën që shpall 11 korrikun si dita ndërkombëtare kur Përkujtohen Viktimat e Gjenocidit në Srebrenicë, Qeveria e Republikës Serbska në Bosnje dhe Herzegovinë njoftoi se brenda 30 ditëve do hartojë një marrëveshje për ndarje paqësore të kësaj Republike nga entiteti tjetër i Bosnjës. Sipas Republikës Sërpsaka ndarja paqësore është e garantuar me Kushtetutë./abcnews.al

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button