Eurostat: Veriu i Shqipërisë, edhe pse më i varfër, ka më shumë makina në raport me popullsinë sesa jugu dhe qendra
Veriu i Shqipërisë është zona më e varfër sipas statistikave zyrtare, por tendenca është krejt e kundërt kur bëhet fjalë për zotërimin e një makine.
Eurostat ka publikuar të dhënat e shkallës së motorizimit sipas rajoneve të Europës për vitin 2022.
Nga të dhënat rezulton se në Veri të Shqipërisë, shkalla e motorizimit është 260 automjete për 1 mijë banorë, më e larta në vend.
Në zonën e qendrës ka 226 mjete për 1 mijë banorë dhe në Jug, 212 mjete për 1 mijë banorë.
Në krahasim me shtetet e tjera të Europës, Shqipëria ka shkallën e tretë më të ulët të motorizimit në Europë.
Sipas Eurostat, në vitin 2022, në Shqipëri kishte 226 automjete për 1 mijë banorë, që na vendosin në vendin e tretë më normën më të ulët për këtë tregues, duke lënë pas vetëm Kosovën (182 automjete për vitin 2021) dhe Turqinë (169).
Ndërsa në Bashkimin Europian, në vitin 2022, numri mesatar i makinave të pasagjerëve për 1 mijë banorë në BE ishte 560.
Europa
Sipas Eurostat, Në vitin 2022, 3 rajonet kryesore me shkallën më të lartë të motorizimit ishin në Itali: Valle d’Aosta me 2 339 makina për 1 000 banorë, pasuar nga Provincia Autonoma di Trento me 1431 makina për 1 000 banorë dhe Provincia Autonoma di Bolzano me 9. për 1000 banorë.
Ndër 10 rajonet me shkallën më të lartë të motorizimit, 6 ishin në Itali dhe 1 në Finlandë, Greqi, Holandë dhe Çeki.
Në kahun tjetër ndodhet rajoni francez përtej detit Mayotte (83 makina pasagjerësh për 1 000 banorë), i cili pasohet nga Peloponnisos grek (203 për 1 000 banorë) dhe Guajana Franceze (217 për 1 000 banorë).
Nga 10 rajonet me shkallën më të ulët të motorizimit, 4 ishin në Greqi, 2 ishin në Francë, 2 në Rumani dhe 1 në Gjermani dhe Austri. Veçanërisht, 2 prej tyre ishin zonat metropolitane të Berlinit (331) dhe Vjenës (366).
Normat rajonale të motorizimit (makina pasagjerësh për 1 000 banorë) janë shpesh të lidhura me kushtet ekonomike, por gjithashtu mund të ndikohen nga rrethana specifike.
Për shembull, norma rekord e Valle d’Aosta u ndikua nga rregullat e favorshme tatimore./MONITOR