Përfundon procesi i testimit për gradat në Policinë e Shtetit, ja sa aplikantë janë shpallur fitues
Ka përfunduar procesi i tre fazave të testimit për gradat në Policinë e Shtetit, ku të gjithë aplikantët janë njoftuar për marrjen përfundimtare të pikëve.
Në urdhrin e firmosur nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit kriteri për marrjen e gradës është kalimi i pragut të 70% të pikëve.
Në total konkurruan rreth 1.012 punonjës policie për gradat, Komisar, kryekomisarë, Drejtues dhe Drejtues i Parë në Policinë e Shtetit.
Të ndarë sipas kategorisë më parë Policia e Shtetit, ka deklaruar se do të jepen gradat për 12 “Drejtues të Parë”, 40 “Drejtues”, 200 “Kryekomisarë” dhe 320 “Komisarë”, në total 572 grada.
Procesi kaloi në tre faza, e para kriteret dhe pikët e dosjes, e dyta testi me shkrim dhe faza e tretë testi me gojë, por në total nga 572 kuota që ishin përcaktuar, pragun e 70% të pikëve e kanë kaluar dhe kanë fituar rreth 676 aplikantë.
88 kryekomisarë konkurruan për gradën Drejtues dhe në total vetëm 35 janë shpallur fitues që kaluan pragun e 70 pikëve, nga 40 që ishte kuota.
Në listën e fituesve për gradën “Drejtues” janë emra të njohur si nëndrejtori i policisë së Tiranës, Alket Shatro, shefi i komisariatit nr.6 Edvin Ndreu, drejtori i policisë së Elbasanit Ilir Proda, kreu i Operacionales, Vilson Balla, gjithashtu gradën Drejtues e ka fituar edhe ish-kreu i komisariatit nr.4 Luan Hysenj, raporton gazetari Ilgi Çelmeta.
Ndërsa 20 drejtues konkurruan për “Drejtues i Parë”, nga të cilët pragun e 70 pikëve e kanë kaluar 17 aplikantë, 5 më shumë, pasi 12 ishte përcaktuar kuota.
Gradën “Drejtues i parë” e ka fituar drejtori i Policisë Vlorë, Ermal Muçaj, Mithat Tola, Ndue Doçi, Dhimitraq Ziu, Saimir Muçaj etj.
Ndërsa 621 nënkomisarë konkurruan për 320 vende komisarë, nga të cilët janë shpallur fitues dhe kanë kaluar pragun e 70 pikëve, 406 aplikantë.
Ndërsa 283 komisarë konkurruan për 200 vende kryekomisarë, nga të cilët janë shpallur fitues 215 aplikantë.
Urdhri i firmosur nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë, tregon se tashmë gradat e aplikantëve të cilët kanë kaluar pragun e 70 pikëve, por janë të renditur poshtë kuotës së përcaktuar, janë në dorë të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.
Në urdhrin e firmosur nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë që mban datën 19 shkurt 2024, thuhet se në rast të nevojave të Policisë së Shtetit gjatë konkurrimit për gradat, Rrumbullaku ka të drejtë të rrisë deri në 30% të kuotave të përcaktuara numrin e fituesve të gradës.
Po ashtu, ka të drejtë të mbajë pezull gradën e një aplikanti që ka kaluar pragun 70% të pikëve dhe është fitues, por është poshtë kuotës së përcaktuar.
Afati është deri në 1 vit, nëse nuk firmoset marrja e gradës për 1 vit, skualifikohet dhe nuk e merr gradën.
Edhe pse procesi u monitorua nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe u mbikëqyr nga AMP dhe përfaqësues të misioneve ndërkombëtare që asistojnë Policinë e Shtetit, ky proces nuk ka qenë transparent për mediat dhe publikun pasi nuk ka pasur afishim publik të rezultateve të testimeve të aplikantëve.
Në shkresën që disponon News24, thuhet se rezultatet brenda datës 20 prill do të publikohen në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit, por nëse kontrollojmë faqen online të Policisë shohim që nuk janë publikuar.
Po ashtu, edhe ankimimet e aplikantëve pas përfundimit të testimeve nuk janë vlerësuar të gjithë.
Ankimime ka pasur për testin me gojë, i cili ka qenë vendimtar për marrjen gradave, ku ka aplikantë të cilët kanë marrë vlerësim të ulët në testin me shkrim më pak se 70% të pikëve, por në testin me gojë kanë arritur të marrin vlerësim maksimal, duke qenë deçziv në marrjen e gradës.
Po ashtu, ky proces gjithashtu vjen në një fazë të rëndësishme të policisë që lidhet me vetëpastrimin e saj.
Kujtojmë që 9 muajt e fundit, hetimet e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe SPAK kanë çuar në arrestimin e shefave apo drejtues policie, të cilët rezultuan të implikuar në botën e krimit duke bashkëpunuar dhe i dhënë informacion grupeve kriminale./albeu