Lajme

Reagon Qeveria, MIE: Marrëveshja me SHELL-in është në fuqi, vijojmë kërkimet për naftë në Shpirag

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bën të ditur sot se procesi i kërkimeve për naftëgazmbajtjen në zonën e Shpiragut, si një ambicie strategjike dhe program afatgjatë i qeverisë shqiptare, nisur me miratimin e kontratës me ndarje prodhimi në korrik 2009, vazhdon me vështirësitë përkatëse si pasojë e formacionit gjeologjik tejet kompleks të nëntokës së kësaj zone.

Përmes në deklarate të shpërndarë në medie, MIE informon se tanimë jemi në fazën kur është shkencërisht i provuar dhe i dokumentuar, zbulimi i një depozite të konsiderueshme prej 225 milionë barrelash rezervë nafte, si edhe një rezervë domethënëse gazi në nëntokën e Shpiragut.

Gjithashtu testet e cilësisë së naftës në këtë rezervë kanë dhënë një rezultat të shkëlqyer, me një gravitet që varion midis 35-37o API (American Petroleum Institute) ose e thënë ndryshe, një cilësi në thuajse të njëjtët parametra me naftën e vendeve avangardë në tregun e arit të zi”, citohet deklarata.

Koha e finalizimit të procesit të nxjerrjes së kësaj sasie nafte për treg, sipas MIE-s, kushtëzohet nga gjeologjia shumë specifike e nëntokës së Shpiragut dhe adoptimi i një teknologjie të veçantë për shfrytëzimin e rezervës, prandaj edhe kompania SHELL, specialistët e fushës, si edhe autoritetet shtetërore kanë qenë vazhdimisht të kujdesshëm për afatet kohore të nevojshme.

“Por në kushtet e deziformimit të ditëve të fundit, nga mungesa e informacionit të nevojshëm apo dashakeqësia me frymëzim politik, del nevoja e nënvizimit publikisht të së vërtetës se kjo është një marrëveshje hidrokarbure në fuqi dhe se nuk ka asnjë mbyllje të kërkimeve në Shpirag, por ka vetëm kërkim për zgjidhjen e duhur teknologjike për vënien në shfrytëzim të një pasurie nëntokësore tanimë të zbuluar. Është për të ardhur keq që me një ngut cinik disa burime dezinformimi kanë rendur të njoftojnë dështimin e kërkimeve në një prej vendburimeve më të rëndësishme të vendit tonë, duke u përpjekur të bëjnë politikë partiake edhe me këtë proces tërësisht teknik dhe qartësisht me interes kombëtar”, citohet deklarata e MIE-s.

MIE siguron opinionin publik, se qeveria shqiptare dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë vijojnë pa asnjë mëdyshje punën, në ndërveprim me kompanitë partnere për të bërë të finalizuar procesin e shfrytëzimit të naftës së zbuluar në zonën e Shpiragut, në pritje të lajmeve të tjera të mira në zona të tjera naftëmbajtëse në vend, ku ka të dhëna shumë inkurajuese./OraNews

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button