“Kërkoj falje”/ Këngëtari i njohur helen lëshon deklaratën e fortë: Disa herë Greqia ju lëndoi!
Këngëtari grek Andonis Remos ka dhënë një koncert me divën e pentagramit grek, Marinelën, dje në mbrëmje në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Në minutat e para, Remos, tepër i emocionuar ka bërë një rrëfim nga zemra për komunitetin emigrant shqiptar në Greqi.
Dua t’ju them pak fjalë që burojnë nga zemra ime. Në vitet 1995-96 unë hodha hapat e para në karrierën time si këngëtar. Në vitet 90’ filluat të vinit dhe ju në Greqi. Kaluan shumë vite që atëherë, u rritët, krijuat familjet tuaja, fëmijë, u rritën edhe ata fëmijë. U rritëm dhe ne bashkë. Ajo që dua të them nga zemra janë vetëm dy fjalë:
Faleminderit shumë! Kërkoj falje! Faleminderit se ndihmuat vërtet Greqinë tonë, në momentet që kishte nevojë.
Dhe një “Më fal” se Greqia shumë herë, jo të gjithë, por disa herë Greqia ju lëndoi!
Dhe ndjej se ju u lënduat, ashtu siç jam ndjerë dhe unë si fëmijë emigrantësh në Gjermani. U linda në Gjermani, e di çfarë do të thotë të jesh fëmijë emigrantësh në një vend të huaj. Kështu, thellë nga zemra ime, me shumë dashuri e respekt, ju them këto dy shprehje.
Sepse duke ardhur këtu, pashë një vend që tashmë ka hapur krahët e fluturon vërtet shumë lartë në hapësirën qiellore, me kaq arritje e ndryshime të bukura. Unë pashë një qytet kaq të bukur, Tirana është vërtet një qytet mrekulli. Urime dhe kryebashkiakut për sa ka bërë. Urime të gjithë juve për sa keni arritur.
Nuk dua të them më tepër, jam vërtet kaq shumë i emocionuar. Zoti të jetë pranë jush, t’ju jap kurajo, të ketë mirë ju dhe familjet tuaja, të jemi mirë, të jemi të Bashkuar, të Duhemi me njëri-tjetrin.
Vetëm dashuria na duhet, ju falenderoj kaq për dashurinë që po na dhuroni sot këtu.
Jeta është çaste, këtë të mbajmë në mendje dhe le të këndojmë sot së bashku, të kalojmë siç vetëm ne dimë së bashku!”, tha Remos nga skena.
*
Rrëfimi i Andonis Remos është duartokritur fort nga të pranishmit, si dhe është mirëpritur nga Komuniteti Shqiptar në Greqi, që ka dalë me një deklaratë dy-gjuhëshe drejtuar artistit tepër të dashur për të gjithë shqiptarët:
“Faleminderit! Kërkojmë falje!
Faleminderit për sa shumë i ofruat Greqisë!
Kërkoj falje se disa herë ju lënduam, jo të gjithë ne, por ndodhi!
Fjalë zemre nga këngëtari Andonis Remos dje në koncertin madhështor, bashkë me Divën greke Marinela, në metropolon shqiptar. Në një sallë mbushur me qindra mijra spektatorë, Andonis Remos ka hapur zemrën në një rrëfim tepër emocionues. Remos foli me fjalë që buronin thellë nga zemra e tij direkt edhe në zemrën tonë, duke krahasuar monopatin e vështirë të karrierës në pentagramin grek të njëjtat vitet kur ne, emigrantët shqiptarë luftonim të sfidonim JO-të e hekurta me të cilat përballeshim, të hapnim dyert e mbyllura hermetikisht, për të gjetur vendin tonë në shoqërinë moderne europiane.
E drejtë, Andoni, kemi ofruar shumë, ke shumë të drejtë dhe faleminderit për mirënjohjen!
Siç e thua Andoni, jemi lënduar, fyer e ofenduar pa të drejtë, por kur nuk është vonë të dëgjohet hapur një “Më fal” mëse e merituar. Po, e pranojmë dhe ecim përpara, të bashkuar, si gjithmonë!
Komuniteti Shqiptar në Greqi përmban qindra mijra faqe histori mundimi, sakrificash sublime, sfidash të jashtëzakonshme, por pa më të voglin dyshim monopati ynë do të shkruhet me shkronja të arta si Histori Suksesi!
Faleminderit Andoni, të duam shumë!”/SOT.COM.AL