Festë baske në Andaluzi, Athletic Bilbao triumfon në Kupën e Mbretit
Festë baske në Andaluzi.
Pritja 40-vjeçare ka marrë fund për Athletic Bilbaon, që triumfoi 4-2 me penallti ndaj Mallorcës dhe ia doli të triumfojë në finalen e Kupës së Mbretit.
Në “Estadio de la Cartuja” të Sevillas u zhvillua një ndeshje mjaft e luftuar, teksa pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal të Mallorcës, që shënoi golin me Rodriguez në minutën e 21’.
Baskët rikthyen baraspeshën në minutën e 50’ me Sancet, që shënoi pas asistit të Nico Williams, teksa rezultati 1-1 mbeti i pandryshuar jo vetëm brenda 90 minutave, por edhe në kohën shtesë.
Fituesi u përcaktua nga penalltitë, aty ku për Mallorcën gabuan Morlanes dhe Radonjiç, ndërsa baskët e Bilbaos u treguan të gjithë të saktë, ndonëse portieri Greif kuptoi krahun në 3 nga 4 goditjet.
Penalltia e Berenguer vulosi suksesin 4-2 të Bilbaos dhe bëri që të nisë festa baske në stadium dhe jo vetëm.
Mori fund kështu pritja 40-vjeçare e Bilbaos për të fituar një trofe, pasi herën e fundit e kishte fituar pikërisht Kupën e Mbretit në 1984-ën e largët.
Që atëherë ky kompeticion ishte shndërruar në një mallkim për baskët, që kishin humbur 6 finale radhazi.
Suksesi i sotëm në Sevilla, ishte i 24-i i Athletic Bilbaos në Kupën e Mbretit, kompeticion të cilit i ka shkuar 40 herë në finale dhe ka dështuar në 16 raste.
Finalja e katërt për Mallorcën, që ka fituar vetëm një herë në 2003-shin dhe ka dështuar në tre të tjerat.
Libri i Artë i Kupës së Mbretit dominohet nga Barcelona me 42 finale dhe 31 trofe, e ndjekur nga Bilbao me 40 finale dhe 24 trofe dhe më pas Reali i Madridit me 20 trofe në 40 finale./OraNews