Në 24 mars, u shënua 25 vjetori i bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë në ndihmë të popullit shqiptar të Kosovës ndaj të cilit po kryhej gjenocid.
Për të folur mbi ndërhyrjen e NATO-s dhe rrethanat që e sollën diçka të tillë, në emisionin “Zona Zero” me Milaim Zekën në Top News, ishte i ftuar eksperti i sigurisë, Ilir Kulla.
Duke e konsideruar Serbinë si një “makineri kriminale”, Kulla tha se Evropa nuk mundej më të lejonte që në qendër të kontinentit të ndodhnin masakra të tilla.
“Unë e kam pas të qartë në janar të 99-ës kur u bë masakra e famshme qëdo të kishte ndërhyrje. Nuk mundet komuniteti ndërkombëtar të lejonte edhe një masakër tjetër. Bosnja ishte e freskët. Nuk mundej më që në qendër të Europës të ndodhte diçka e tillë. Nuk kam menduar se Millosheviçi do të lejonte që pas konferencës së Raumbujesë të mos reflektonte.
Po flasim për një makineri kriminale. Nuk është se çështja e Kosovës ishte e izoluar. Çështja e Kosovës vinte pas asaj drame të madhe që ndodhi në Slloveni, Kroaci dhe Bosnje”– u shpreh Kulla.
Sipas ekspertit, ndërhyrja e NATO-s në Kosovë ishte e paevitueshme sepse vetëm ashtu mund të vendosej paqe në Evropën Lindore dhe rajonin e Ballkanit.
Nga 24 marsi, 1999 deri në 10 qershor NATO vijoi me bombardimet ndaj Jugosllavisë deri në arritjen e një marrëveshje për tërheqjen e trupave serbe nga Kosova. / Top Channel