7 SKANDALET E AHMETAJT/ Faktet flasin, propaganda bërtet!

Nga Romir Saraçi
Në intervistën e katërt në Çim Peka Live, për më shumë se 3 orë, Arben Ahmetaj publikoi të paktën 7 skandale e denoncime të forta, me një faturë qindra milionë euro, ku përfshihen Edi Rama, Belinda Balluku dhe ministra të tjerë. Hapja e 7 dosjeve të reja duket se paska shqetësuar shumë protagonistët, të cilët kanë angazhuar sërish milionat e vjedhura për të sfumuar këto skandale.
Fatkeqësisht, aksionit propagandistik të 700 përfituesve të thërrimeve të korrupsionit i janë bashkuar edhe disa kolegë e personazhe publikë, që unë besoj e bëjnë nga naiviteti apo nga mungesa e kthjellësisë momentale për të evidentuar faktet. Dhe, në vend që të merren me faktet dhe denoncimet, janë bërë pjesë e një fushate denigruese ndaj denoncuesit.
Pra, në vend të debatit për 7 aferat korruptive të denoncuara nga një prej ish-bashkëpunëtorëve të ngushtë të Edi Ramës, që përfshijnë zhdukjen e pasurisë kombëtare, vjedhjen flagrante të fondeve publike, cenimin e sigurisë kombëtare, etj., ka nisur zhvlerësimi i denoncuesit për të mbuluar provat.
Nuk e kam për shërbëtorët e parave të korrupsionit, por për kolegët që shqetësohen sadopak për këtë vend. Kur mendoni të flisni për faktin se Porti i Durrësit po ndërtohet nga kompani me influencë ruse? Pa u ndalur te çfarë po vidhet nga ky projekt apo si u zhduk porti ekzistues për llogari të Alabarit, se këto i dimë.
Kur do flisni për faktin se Smart City, 140 milionë euro, përveç abuzimit qindra milionë euro, na cenon edhe sigurinë e gjithsecilit nga ne? Kur do flisni për faktin se Edi Rama po i jep pronat e ushtrisë mikut të tij izraelit, Ron Yefet? Kur do flisni për faktin se për milionat e vjedhura nga AKSHI hajdutët nuk paguajnë as taksa, sepse Edi Rama i ngriti Duranën, që u falte taksat?
Kur do flisni për faktin se miliona euro të tjera të vjedhura nga afera e Tunelit të Llogarasë, dhe jo vetëm, janë përdorur për udhëtime luksi të Edi Ramës, Belinda Ballukut dhe Delina Ibrahimajt?
Për sa kohë që ju merreni me denoncuesin, personazhet në fjalë po vazhdojnë të firmosin edhe qindra miliona euro tendera të tjerë. Edhe sot madje, dy Lindat kanë firmosur tenderat e radhës!
Nëse Ahmetaj ju duket i pabesueshëm, bëjini një nder qytetarëve dhe opinionit publik: meqë flisni në emër të tij, hapni faqen e prokurimeve publike për të faktuar atë që ju thashë më sipër!
© SYRI.net




