IKMT kërcënon bizneset dhe shtëpitë në Orikum e Llogara, qytetari paralajmëron përshkallëzim të protestave: Po vijnë…

IKMT kërcënon bizneset dhe shtëpitë në Orikum e Llogara, qytetari paralajmëron përshkallëzim të protestave: Po vijnë oligarkët të ndërtojnë, jam gati të flijohem!
Një valë e re zemërimi po përfshin banorët e Orikumit dhe zonës së Llogarasë, pas paralajmërimeve për prishjen e dhjetëra bizneseve dhe banesave. Në qendër të kësaj përplasjeje është një problem që, sipas banorëve të zonës, nuk ka lidhje me zhvillimin, por me shpopullimin dhe dorëzimin e tokës së tyre në duart e oligarkëve të lidhur me pushtetin. “Jam nga Dukati. Në Orikum kam një biznes restorant në buzë të detit që prej vitit 1994. Si unë ka edhe shumë të tjerë,” shprehet për gazetën “SOT” Ardian Nezha, një ndër qytetarët që kanë ngritur zërin kundër aksionit të IKMT-së. Ai tregon se prej tre muajsh, bizneset e zonës po kërcënohen nga IKMT. “Ka tre muaj që na kërcënon IKMT sepse në Orikum e në Llogara do t’i prishin të gjitha bizneset dhe shtëpitë, sepse do të vijnë oligarkët të ndërtojnë.
” Nezha ngre një sërë pyetjesh. “Pse nuk ka një plan zhvillimi bashkia? Pse komandon qeveria edhe për njësitë administrative? Pse do vijnë ata dhe të ikim ne? Pse nuk na jepet mundësia t’i bëjmë ne këto investime?”. Sipas tij, ajo që po ndodh në Orikum nuk është vetëm një konflikt pronash apo biznesesh, por një çështje e madhe sociale që prek të ardhmen e gjithë zonës. “Këtu ka një politikë shpopullimi. Një problem shumë i madh social.” Banorët paralajmërojnë përshkallëzim të protestave në ditët në vijim, duke akuzuar qeverinë për arrogancë dhe mungesë dialogu. “Ne do të përshkallëzojmë protestat dhe unë i pari, që jam gati 60 vjeç, jam gati të flijohem. Nuk do lejojmë kurrë të na përdhunojë qeveria diktatoriale.” Zëri i Ardian Nezhës është ai i dhimbjes dhe revoltës së shumë qytetarëve që ndihen të tradhtuar nga institucionet dhe të përjashtuar nga zhvillimi ekonomik i vendit të tyre. Ata kërkojnë që shteti të mos ndërhyjë me buldozerë, por me dialog, plane reale zhvillimi dhe respekt për jetën dhe pronën e banorëve të bregdetit./sot.com.al