Life Style

S’e mbaj mënd si sot, kur erdha në këtë botë me not’/ Florjan Binaj feston ditëlindjen, ja sa vjeç mbushi

Kandidati i pavarur në garën për Bashkinë e Tiranës, por i mbështetur nga të gjitha partitë opozitare, Florjan Binaj ka mbushur sot 40-vjeç.

Në postimin e tij në Facebook, krahas videos me tortën dhe familjen e tij të ngushtë, Binaj ka bërë një rezyme të jetës së tij që nga fëmijëria, deri sot që do kandidojë për kryetar të Tiranës.

S’e mbaj mënd si sot, kur erdha në këtë botë me not’, shkruan në fillim të reagimit të tij me nota humori Binaj.

Postimi i plotë:

S’e mbaj mënd si sot, kur erdha në këtë botë me not.

Por, në këto 4 dekada, unë nuk do isha ky që jam pa çdo bashkëudhëtar të jetës time. Shokët shoqet e fëmijërisë në periferinë e Alliasit ku hapësirat ishin të pafundme po aq sa imagjinata, ku ligjet e fizikës i mësonim duke lozur qindra lojra nga lindja e diellit deri në perëndim. Shokët e shoqet e klasës dhe mësuesit e nderuar në shkollën (8 vjeçare atëherë) Ramazan Jarani, me shumë prej të cilëve takohemi ende. Shoqërinë tek Pallati i Pionerëve i cili ishte oazi i artistëve të kohës dhe atyre që do vinin më pas me mësues të rrallë si Atixhe Arapi. Të gjithë artistët e shquar që i shihnim nëpër filma, këndonim dhe këndojmë këngët e tyre të festivaleve dhe sot, humoristët guximtarë dhe frymëzues si Koço Devole, Parodistët e Vlorës, Zef Deda, Vasillaq Vangjeli, Fadil Hasa, Muharrem Hoxha, Gëzim Kruja, Zyliha  Miloti, Marjana Kondi, e shumë të tjerë që në kanë gdhëndur shqisat. Shoqërinë e Liceut Artistik “Jordan Misja” të cilët sot i kam motra e vëllezër. Mësuesin e artit Klement Zoraqi dhe shumë mësues të tjerë të cilët na mësuan me disiplinë durimin për të  punuar shumë për të arritur në heshtje mjeshtrinë e së bukurës. Kushurinjtë e mi në Tiranë e Vlorë me të cilët kam kujtime më të bukura se të gjithë filmat vizatimorë mbledhur së bashku. Shoqërinë e Akademisë së Arteve. Bashkëudhëtarët e Portokallisë me të cilët u rrita në një tjetër përmasë që deri në atë kohë, të tjerët ma quanin “mungesë serioziteti” por që ato 18  vite punë deri në vetëmohim, sot flasin ende vetë! Përkrahësin e parë aty, Agron Llakajn i cili besoi tek unë. Çunat e gocat e talentuara në Top Albania Radio, Club FM dhe sot  PaperRadio ku RIKOSHET lindi e u rrit si emisjoni humoristik radiofonik më i dëgjuar prej 19 vitesh e gjysëm. Mësuesit dhe miqtë në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit dega Arkitekturë që sot i quaj familje. Kolegët e projekteve të shumta, ca të kryera e shumë ende nëpër sirtare ëndrrash, të netëve pa gjumë, të sakrificave të patreguara, të  plagëve të pashëruara që më mbështetën dhe më dhanë zemër edhe kur unë isha në kufijtë e mi. Njerëz të rrallë si Dritan Hoxha që krijoi kontinentin ku çelën qindra artistë të rinj si unë. I jam mirënjohës edhe atyre që në jetë kanë dashur të më bëjnë keq sepse fal tyre zbulova sa i fortë jam. Bëhesha edhe më i drejtë sa herë donin të më shtrëmbëronin. Bëhesha edhe më i fortë donin të më lëndonin. Bëhesha edhe më i dashur sa herë donin të më hidhëronin. Miqtë fotografë të botës së egër, miqtë ekologjistë, miqtë artistë. Fansat anembanë botës të cilët edhe sot më çojnë video ku më thonë: kur isha i vogël e kisha shumë qejf këtë skeçin tënd, sot e shoh sërisht por me fëmijët e mi! Emisjonin Piranjat që më bëri edhe më të pjekur edhe më pranë problemeve të njerëzve dhe që më njohu me një ekip guximtar, të rrallë për këto kohë. Gjyshërit që na rritën me urtësinë e të dashurit atdheun dhe Kombin më shumë se sytë e ballit. Prindërit e mi të cilët më mësuan që nderi dhe dinjiteti as nuk blihet dhe as nuk shitet dhe se padrejtësitë vetëm luftohen. Ndershmërinë në ADN-në e tyre e trashëguam plotësisht unë, motra ime Ada dhe vëllai im Klevin. Dhe padiskutim gjysmën time më të shtrenjtë, gruan time, Sadina e cila ka qënë në çdo hap timin këto 22 vite bashkë, edhe kur jam rrëzuar, edhe kur jam ngritur sërisht me të përkrah, ku prej dashurisë tonë erdhën në jetë 3 mrekullitë tona, Krena, Glauk dhe Vjosa!

Faleminderit që më keni bërë ky që jam. Faleminderit për urimet. Ju dua shumë!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button