Erion Veliaj rrëmbehet nga burgu në 12 të natës, plasin akuzat për Edi Ramën për presion ndaj kryebashkiakut të…

Erion Veliaj rrëmbehet nga burgu në 12 të natës, plasin akuzat për Edi Ramën për presion ndaj kryebashkiakut të Tiranës, hoteli 100 milionë euro molla e sherrit
Një ngjarje e paprecedentë ka tronditur vendin, teksa kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, raportohet se është rrëmbyer nga burgu në mes të natës, ndërsa autoritetet heshtin në mënyrë të frikshme. Sipas burimeve opozitare dhe deklaratave të forta të ish-kryeministrit Sali Berisha, Veliaj është nxjerrë disa ditë më parë në orën 12 të natës, pa urdhër gjykate apo procedurë ligjore, dhe që prej asaj kohe asnjë nuk e di ku ndodhet. Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Berisha ka hedhur dje akuza të rënda ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e quajtur këtë ngjarje “akt kriminal që do të tronditë themelet e shtetit”. Sipas tij, rrëmbimi i Veliajt lidhet drejtpërdrejt me skandalin e hotelit 100 milionë euro, një projekt luksoz që sipas tij, është ndërtuar në bashkëpronësi mes familjeve Rama dhe Veliaj. “Edi Rama është i tmerruar nga Veliaj dhe kërkon ta asgjësojë, politikisht, të paktën”, deklaroi dje kreu i PD, Sali Berisha, duke shtuar se “ky hotel i qelqtë është molla e sherrit që po përvëlon pushtetin.”
Prapaskenat
Pas arrestimit të Veliajt në shkurt të këtij viti, marrëdhëniet mes tij dhe qeverisë janë kthyer në luftë të hapur, ndërsa përplasjet kanë përfshirë Gjykatën Kushtetuese, Presidencën dhe Këshillin Bashkiak të Tiranës. Presidenti Begaj dekretoi zgjedhjet për 9 nëntor, por vendimi u pezullua nga Kushtetuesja, duke shtuar më tej tensionin politik. Mirëpo në këtë klimë shpërthyese, lajmi për zhdukjen e Veliajt ka ndezur vendin dhe rrjetet sociale po vlojnë nga pyetja: “Ku është Lali Eri?” Sipas Berishës, në natën fatale janë parë automjete të panjohura pranë institucionit të vuajtjes së dënimit, ndërsa rojet janë urdhëruar “të mos flasin”. Një punonjës i burgut, nën anonimatin e plotë, ka pohuar se “Veliaj u mor me urgjencë, pa proces, pa dokument, dhe më pas gjithçka u mbulua me heshtje.” Në anën tjetër, qeveria nuk ka dhënë asnjë reagim zyrtar. Heshtja e Ramës po ushqen gjithnjë e më shumë dyshimet për një operacion të fshehtë, që sipas opozitës synon të mbyllë përgjithmonë gojën e ish-bashkëpunëtorit të tij më të afërt. Ndërkohë burime pranë PD-së thonë se rrëmbimi është “akt hakmarrjeje” për skandalet që Veliaj po përgatitej t’i zbulojë. Në Tiranë, atmosfera është elektrizuar, ndërsa qytetarët flasin për “fundin e paktit të hekurt Rama-Veliaj”. Në çdo kafene e zyrë shtetërore po pëshpëritet i njëjti mister: Kush e rrëmbeu Erion Veliajn? Ku ndodhet ai tani? Dhe çfarë fsheh hoteli 100 milionë euro që ka tronditur qeverinë? Megjithatë një gjë është e sigurt: ky nuk është më një thjesht konflikt politik, është një luftë për mbijetesë mes njerëzve më të fuqishëm të vendit. Ndërkaq më poshtë po pasqyrojmë pjesë nga deklarata e djeshme e kryetarit të Partisë Demorkatike, Sali Berisha, i cili ka hedhur akuza ndaj Kryeministrit Rama dhe institucione të sigurisë ndaj të burgosurve, se kanë nxjerrë nga ambientet e burgut ish-kryetarin e bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Sipas Berishës, kjo ka ndodhur para tre netëve dhe arsyeja kryesore sipas tij është se Kryeministri Rama ka frikë nga informacionet, që mund të nxjerrë Veliaj. Gjatë një konference për mediat Kreu i PD-së tha se për këto informacione nuk ka një burim zyrtar, por janë informacione të marra nga ato çfarë ai i quan “gosipe”. Në fund ai deklaroi se nuk e di saktësisht ku është dërguar ish-kryebashkiaku, por është në mbrojtje të respektimit ndaj të drejtave të çdo njeriu kudo që ndodhet.
Pjesë nga deklarata e z. Berisha:
“I gjithë qëndrimi ynë për Lali Vjedhësin ka qenë dhe është shumë i qartë. Ne protestuam ndaj një njeriu që ka firmën e tij në projektin prej 130 milionë euro dhe drejtësia shqiptare heshti, siç e dini. Dënoi dy anëtarë të KVO-së. Sepse ky akt i pashembullt është në bashkëautorësi me Edi Ramën dhe Lubi Ballukun. Janë të tre. Ne protestuam 46 javë për sipërmarrjen 5D. Mirëpo hoteli prej 20 katesh i qelqtë thuhet se ai Tivari është një prestanome, por familja Rama, sipas qytetarëve dixhitalë, është share-holder kryesor me familjen Veliaj. Në hotel. Për dijeni, hoteli nuk është sekuestruar, nuk është prekur. Për dijeni, Erion Veliaj nuk ka një akuzë të vetme për 5D, ndonëse është në disa akte kryetar i autoritetit kontraktues. Ndonëse i ka dalë emri se hoteli është i tij. Hoteli nuk është vetëm i tij. Asokohe u tha se aksioner është Olsi Rama. Tani ç’është e vërteta, hoteli shtrihet në familje. Ajo që ka rëndësi është që Skapi i partisë nuk e heton dot. Hoteli mund të shkojë në total 100 milionë euro kur të përfundojë. Gjer tani është 60-70 milionë. Mund të jetë hoteli i dytë më i shtrenjtë pas atij të Artan Dulakut, Melia. Ky hotel pra mbetet pa hetim. Kështu që Erion Veliaj u akuzua me dokumente për devijime të parave të taksapaguesve të Tiranës në familjen e tij, Velicën, vëllain etj, çka përbëjnë vepra penale. Por, duke thënë këto, del e qartë si drita e diellit se Erion Veliajn e arrestoi Edi Rama për ta hequr qafe. E arrestoi me një letër të Anesti Angonit, që ishte një pamflet që mund ta shkruante çdo njeri. E arrestoi dhe e trajtoi në mënyrën më çnjerëzore. Imagjinoni ju, të çojë policin pranë tavolinës ku operohej. Nuk e kam dëgjuar ndonjëherë në botë këtë. Në diktaturën më të zezë, ndodhte që armiqtë më të egër të partisë edhe operoheshin, por policë në sallë të operacionit nuk mund të kishte. Rrinin diku jashtë, po në sallë të operacionit nuk kishte, siç futi ky policë në sallën e operacionit të Veliajt. Tani, i tmerruar prej tij, pasi i ka mohuar, e shkarkoi se sa vlente Erion Veliaj, Erion Veliaj, domethënë krahasoni Rexhë Byberajn me Erion Veliajn. Rexhë Byberaj qëndroi 11 muaj në arrest shtëpie dhe doli e shkoi në punë. As nuk e shkarkoi Edi Rama. Kurse Erion Veliajn në një afat kohor minimal e shkarkoi, sipas ekspertëve, në kundërshtim absolutisht me ligjet si e si t’i japë duart sa më parë. Ku qëndron PD? PD qëndron se pas Edi Ramës dhe Lubi Ballukut, Erion Veliaj është hajduti më i madh i shqiptarëve në histori. Por, nga ana tjetër, asnjë njeriu, cilido qoftë ai, kurrë nuk mund t’i mohohen ato të drejta që i garanton ligji dhe Kushtetuta. Ky është qëndrimi ynë. Tani, kanë qarkulluar shumë, të themi gosipe. Njëri prej tyre është se burgu ka lajme dhe gosipe. Njëri prej tyre është se para tre netësh e nxorën nga burgu dhe e çuan në drejtim të paditur. Të kalamendur. Sa është e vërtetë, muret e burgut e dinë. Por e vërteta është se gosipi i asaj ndërtesë këtë thotë. E thashë këtë se Edi Rama është i tmerruar nga Erion Veliaj dhe do ta shohë me çdo kusht të asgjësuar. Politikisht të paktën, mos edhe për atë tjetrën, por atë nuk e di. Por ta nxjerrësh atë tjetrin në orën 12 të natës të kalamendur dhe ta nisësh në drejtim të paditur, kjo absolutisht është një aktakuzë direkt për Ramën. Ku shkoi ai? Ku e çoi atë? Mori autorizim apo nuk mori autorizim? Apo përdori vetëm këtë papagallin e Ulsiut, Lamallarin, për të urdhëruar nxjerrjen e tij në 12 të natës, këtë nuk e dimë. Megjithatë, ajo që ne qëndrojmë është respektimi i të drejtave të çdo njeriu kudo që ndodhet”, deklaroi dje Berisha./sot.com.al