Lajme

Mustafa Nano: Loja me kandidatë të pavarur është strategji për ta mbajtur Berishën pa faj pas humbjes

Analisti Mustafa Nano, deklaratën e Sali Berishës se Partia Demokratike nuk do dalë me një kandidat të sajin, por do mbështesë kandidatët nga shoqëria civile, e sheh si strategji për ta shpëtuar atë nga llogaridhënia pas humbjes.

Ai deklaroi se është qesharake që një parti që kërkon të marrë frenat e vendit të thotë nuk ka kandidatë dhe ta presë shpëtimin nga shoqëria civile.

Opozita edhe mund t’u besojë kandidatëve të pavarur, dhe kjo do të ishte e lavdërueshme, por nuk mund të hapë lojën e kandidatëve dhe vetë të vihet në pritje. Ajo duhet ta drejtojë këtë proces dhe në fund duhet të jetë ajo që duhet ta zgjedhë kandidatin, tha Nano për MCN.

Sipas tij, shqiptarët nuk është se kanë ndonjë respekt të madh për socialistët, pasi përveç problemeve me qeverisjen shumëvjeçare për shkak të mandateve qeverisëse njëri pas tjetrit kemi arritur në pikën, ku një njeri i ka të gjitha në dorë.

“Shkak i fitores së Partisë Socialiste është Sali Berisha. Kjo është banale ta thuash, por nuk duhet të na vijë turp prej këtij pohimi banal e duhet ta themi pa reshtur këtë gjë.

Kandidati i pavarur është pjesë e një strategjie të opozitës për të mos e lënë në hall Sali Berishën pas zgjedhjeve, e për të mos e lënë atë në situatën ku do t’i duhet të japë llogari për humbjen. Posti i tij në krye të PD-së sigurisht që nuk kërcënohet. Edhe sikur PD-ja të katandiset me 5% të votave, Berisha do jetë në krye të PD-së gjithsesi, por ai nuk do donte ta ngarkonte CV-në e tij me dështime të tjera, pas të cilave votuesit e opozitës do të dërmoheshin edhe më shumë sesa janë dërmuar.

E ka hartuar vetë këtë strategji, në funksion të së cilës janë vënë të gjithë, madje edhe ata që po kandidojnë. Mund të mendohet se ndonjëri prej këtyre të fundit po e sheh këtë situatë të opozitës si një oportunitet për një karrierë të madhe të vetën, apo edhe për të krijuar një leadership të ri në opozitë, dhe sikur të ishte kështu, do të ishte lëvizje e mirëseardhur. Por nuk është tamam kështu.

Berisha nuk do lejojë asnjë kandidat që do mund ta shfrytëzonte kandidimin, dhe vizibilitetin e protagonizmin që ky kandidim dhuron, për lojra personale në dëm të leadershipit të Berishës. E kështu, në fund, ai ose do caktojë ndonjë kandidat të dobët që i ofrohet opozitës nga jashtë, ose – dhe kjo ka më shumë gjasa – ndonjë prej emrave që ka përmendur: Balliu, Paloka, etj. Ai nuk mund të caktojë kurrë një kandidat fitues, i cili pas zgjedhjeve do pretendonte të merrte të gjtha meritat e do të shfaqej automatikisht si shpresë e opozitës, duke e lënë Berishën në hije. As Rama, me që ra fjala, nuk do të pranonte kurrë një kandidat që, me fitoren e tij, do t’i bënte karshillëk apo hije Ramës. Pastaj, si do t’ia linin këta postin e kryebashkiakut të Tiranës (që është më i rëndësishmi pas atij të kryeministrit) një personi, të cilin nuk e kanë (apo rrezikojnë të mos e kenë) nën kontroll.

Të kuptohemi, kandidati për Tiranën mund të merrej edhe nga shoqëria civile, por në çdo rast do të dilte si finale e një procesi të udhëhequr nga partia më e madhe e opozitës, e cila më së paku do të përcaktonte rregullat e lojës. Mirëpo po ndodh një gjë qesharake. Një nga dy partitë më të mëdha të vendit, ajo që kërkon të marrë frenat e drejtimit të vendit, po tregon që, jo vetëm nuk sheh askënd të denjë brenda vetes për ta caktuar kandidat për Tiranën (Alimehmeti, Tabaku janë në fakt kandidatë, por ata po refuzojnë ngaqë e njohin lojën që po luhet), por nuk ka as burrërinë e këllqet për ta udhëhequr procesin e caktimit të kandidatit.

Arsyeja pra është ajo që thashë. Opozita ka vetëm një qëllim: Të bëjë çmos që të mos e lërë leadershipin e Berishës të vihet në diskutim. Ky qëllim i vlen shumë më tepër sesa fitorja e Tiranës. Është për të ardhur keq, por ja që kështu është. Asnjë qëllim tjetër nuk ka. Kush e sheh ndryshe, duhet çuar te Dr. Petrela.

Duhet kuptuar një nga të vërtetat e mëdha të politikës shqiptare: Shqiptarët i kanë mbyllur hesapet me Berishën, nuk duan më një botim të ri të librit “Berisha në pushtet”. Në opozitë ka njerëz që duket se nuk duan ta kuptojnë. Ose e kuptojnë, por ua do puna të shtiren sikur nuk e kuptojnë”, tha Nano.

Pyetjes se a nuk ka rrezik që PD-ja të bëhet edhe më evogël, nëse Berisha ikën, Nano iu përgjigj:

“Po, ky rrezik ekziston që ç’ke me të. PD-ja mund të zvogëlohet edhe më shumë, apo mund të shkërmoqet për fare, nëse ikën Berisha. Por përveçse rrezik, një situatë e tillë do të ishte edhe një oportunitet për ringritjen e PD-së. Dhe unë do të isha me idenë që më mirë të shfrytëzohej ky oportunitet, sado i pashpresë të ishte, sesa partia të mbahej peng i interesave të një njeriu, të cilit – t’i lëmë të tjerat – i janë mbyllur dyert kudo në Perëndim. U mor vesh tanimë (nga ata që “nuk e dinin”) që damka “non grata” nuk ishte një vepër e Sorosit. Edhe armiqtë më të mëdhenj të Sorosit nuk po ia heqin këtë damkë”.

“Kandidati i opozitës, edhe më i miri”, vijoi Nano, “nuk do të grumbullojë të gjitha votat e opozitës reale në vend, por një kandidat i mirë mund të arrijë një rezultat optimal, mbi bazën e të cilit, edhe në rastin e humbjes, mund të lindte shpresa për ringritjen e opozitës”.

Lidhur me kandidatët e propozuar për bashkinë Tiranë, Ermal Hasimja, Edlira Çepani, Florjan Hackaj, Florian Binaj apo Arlind Qorri, Nano vlerësoi Arlind Qorrin si të vetmen figurë alternative të paprodhuar nga sistemi.

“Kjo është pak, por është e sigurt. Por ai penalizohet ngaqë ka sistemin kundër e nuk ka mjete financiare për të ndërtuar një rrjet efektiv elektoral në terren, e ndoshta edhe ngaqë e ka burgosur veten brenda një identiteti politik të ngurtë”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button