Sport

E BUJSHME/ FIFA kërcënon Serbinë me përjashtim nga kualifikueset e Botërorit nëse ka incidente ndaj Shqipërisë

Federata e Futbollit të Serbisë (FSS) ka reaguar pas lajmeve se kombëtarja serbe rrezikon përjashtimin nga kualifikimet për Kupën e Botës 2026. Sipas mediave serbe, FIFA po monitoron me kujdes situatën dhe ka paralajmëruar masa të rënda, përfshirë një pezullim dyvjeçar, nëse gjatë ndeshjes kundër Shqipërisë ndodh ndonjë incident apo skandal.

Në njoftimin zyrtar, FSS ka bërë të ditur se për ndeshjen më të rëndësishme të kualifikimeve, që do të luhet më 11 tetor në orën 20:45 në stadiumin “Dubočica” të Leskovcit, nuk do të ketë shitje të lirë të biletave për publikun.

Në përputhje me vlerësimin e FIFA-s, udhëzimet e Ministrisë së Brendshme të Serbisë, konsultimet me UEFA-n dhe përvojën e hidhur nga ndeshja e ndërprerë në vitin 2014, është marrë vendimi që për ndeshjen Serbi–Shqipëri të mos ketë bileta në shitje të lirë,” thuhet në deklaratën e FSS.

Federata sqaroi se prania në stadium do të lejohet vetëm për përfaqësues të komunitetit të futbollit – klube, akademi futbolli me fëmijët e tyre, prindër, sponsorë, media të akredituara dhe personel teknik e mjekësor. Hyrja në stadium do të bëhet vetëm me bileta të personalizuara dhe me kontrolle të rrepta sigurie.

Kjo masë vjen pas kujtesës së incidentit të vitit 2014 në Beograd, kur ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë u ndërpre për shkak të tensioneve në tribuna, çka solli pasoja të rënda për Serbinë, e cila humbi mundësinë për t’u kualifikuar në Euro 2016.

FIFA, UEFA dhe autoritetet serbe e kanë cilësuar këtë ndeshje si përballje me rrezik të lartë sigurie, ndaj në Leskovc do të jenë të pranishëm dy oficerë të sigurisë të dërguar posaçërisht nga FIFA. Po ashtu, nuk do të lejohen tifozët shqiptarë në stadium, në përpjekje për të shmangur çdo incident.

Apelojmë që të gjithë pjesëmarrësit të tregojnë respekt dhe sjellje sportive, në mënyrë që kombëtarja e Serbisë të ketë kushtet më të mira për të arritur rezultat pozitiv në fushë,” thuhet në fund të komunikatës së FSS.

Kujtojmë se Serbia u gjobit vetëm katër ditë më parë nga FIFA për sjelljen e tifozëve gjatë humbjes 0–5 ndaj Anglisë, gjë që e ka vënë Federatën nën vëzhgim të shtuar ndërkombëtar./OraNews

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button