Oficeri i Policisë përplas për vd*kje 71-vjeçaren në aksin Gjirokastër-Kakavijë

Një aksident tragjik me pasojë vdekjen e një qytetareje është regjistruar këtë të enjte në aksin kombëtar Gjirokastër-Kakavijë, ku drejtuesi i mjetit rezulton të jetë një oficer i Policisë së Shtetit.
Viktima është Kostulla Harito, 71 vjeçe, e cila sapo kishte zbritur nga autobusi i linjës Gjirokastër–Janinë dhe po tentonte të kalonte rrugën kur u përplas për vdekje nga makina e oficerit të policisë. Ajo ndërroi jetë në vendin e ngjarjes.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur grupi hetimor dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), të cilët kanë bërë shoqërimin e efektivit për në ambientet e komisariatit, ndërkohë që policia rrugore po heton për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Aksi Gjirokastër–Kakavijë është një prej më problematikëve në vend për shkak të mungesës së mbikalimeve dhe ndërtimit të gabuar të autostradës, që në vite ka qenë skenë e dhjetëra aksidenteve me pasoja tragjike për qytetarët.
Gjirokastër/ Informacion paraprak
Rreth orës 19:00, në aksin rrugor “Gjirokastër-Kakavije”, në Grapsh, shtetasi A. M., 55 vjeç, (oficer policie në DVKM Gjirokastër i cili po shkonte për në punë) duke drejtuar automjetin e tij personal ka aksidentuar shtetasen K. H., rreth 71 vjeçe (këmbësore), e cila për pasojë ka humbur jetën në vendngjarje.
Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër për veprime të mëtejshme.
Grupi hetimor dhe AMP ndodhen në vendngjarje dhe nën drejtimin Prokurorisë po kryejnë veprimet për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.