Lajme

Edi Rama talli presidentin e SHBA, ngjarja po përdoret nga e majta për fushatë në SHBA

Skandali i Edi Ramës, i cili u tall publikisht me Presidentin amerikan Donald Trump, ka marrë përmasa të jashtëzakonshme dhe tashmë po përdoret edhe në fushatën e brendshme politike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, i cili shihet si kandidat potencial i Partisë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, ka postuar videon ku Kryeministri Rama tallet me Presidentin amerikan dhe ka shkruar: “Nën drejtimin e Trump, Amerikën po e përqeshin”. Talljet e Ramës ndaj shefit të Shtëpisë së Bardhë janë pasqyruar nga mediat më të rëndësishme të botës.

Mediat ndërkombëtare i kanë kushtuar vëmendje talljeve të Kryeministrit Edi Rama ndaj Presidentit amerikan Donald Trump, lidhur me lapsusin që kreu i Shtëpisë së Bardhë bëri, kur ngatërroi Armeninë me Shqipërinë. Nga të dyja anët e Atlantikut, agjencitë më të njohura të lajmeve si Politico, “The Telegraph”, La Repubblica, raportojnë se Kryeministri Rama u filmua duke u tallur me ngatërresën gjeografike të Presidentit Trump, krahas Presidentit të Azerbajxhanit dhe Presidentit të Francës.

Ndërkohë që mediat ndërkombëtare e theksojnë ngjarjen, skandali i shefit të qeverisë shqiptare është thelluar edhe më tej. Kjo tallje tani po përdoret si element fushate brenda SHBA-së. Guvernatori Newsom e ka postuar videon në prani të Presidentëve Macron dhe Aliyev, ndërsa në llogarinë e zyrës së tij të shtypit shkruan: “Nën drejtimin e Trump, Amerikën po e përqeshin”.

Kjo nuk është hera e parë që Edi Rama përfshihet në politikën interne të SHBA-së, duke sulmuar Donald Trump. Luhet edhe me profilin e Guvernatorit Newsom, i cili përmes kësaj nisje shihet si një instrument fushate. Pas shpërndarjes së videos, mediat amerikane kanë kërkuar reagim nga Shtëpia e Bardhë. Revista amerikane ‘Newsweek’ thekson se ka kërkuar koment, por, për shkak të mbylljes së qeverisë, nuk ka marrë përgjigje deri tani. Artikulli i Newsweek raporton ngjarjen me titullin: “Donald Trump përqeshet nga liderët evropianë që tallin gafën e tij.”

Tallja e Ramës dhe dialogu që pasoi mes kryeministrit shqiptar dhe Presidentëve Macron dhe Aliyev ka marrë vëmendje të madhe mediatike në të dyja anët e Atlantikut.
“Liderët evropianë tallin Trump për ngatërrimin Shqipëri–Armeni” — ky është titulli që prestigjiozit “The Telegraph” dhe “Politico” kanë përdorur për ta raportuar ngjarjen.
“Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, u filmua teksa ngacmonte z. Macron dhe Ilham Aliyev për ngatërrimin gjatë takimit të Komunitetit Politik Evropian në Kopenhagë të enjten,” raporton gazeta britanike.
Politico njofton se konfuzioni gjeografik i Presidentit Donald Trump ishte bërë objekt tallje mes liderëve evropianë gjatë samitit në Kopenhagë.
“Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u filmua duke u tallur me deklaratën, pranë Presidentit francez Emmanuel Macron dhe Presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, në takimin e Komunitetit Politik Evropian në Kopenhagë,” thekson prestigjiozja amerikane.
MSNBC News po ashtu raportoi se liderët evropianë u kapën duke ironizuar Trump për pretendimin e tij se do të arrinte paqe në një konflikt që nuk kishte ndodhur.
Tallja e Kryeministrit Edi Rama kundrejt Presidentit Trump është pasqyruar edhe nga mediat prestigjioze italiane.
“Edi Rama dhe tallja e tij ndaj Trump për ngatërrimin Armeni–Shqipëri” është titulli që i ka kushtuar Corriere della Sera. Mediat italiane vënë në dukje edhe sikletin e Presidentit Macron përballë talljeve të Ramës ndaj Presidentit amerikan.
La Repubblica nënvizon se ironia e Edi Ramës, në prani të Presidentit të Azerbajxhanit, e kapte në befasi Presidentin francez Emmanuel Macron dhe thekson se shkëmbimi i batutave mes liderëve u mbyll me të qeshura./syri.net

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button