“Përdorin Call Center për të rritur famën”, Arjon Muça i kthehet Ronaldo Sharkës: Fol me emra

Ronaldo Sharka ka hedhur hipotezën se disa personazhe të njohur të showbiz-it shqiptar po përdorin “Call Center”-a dhe profile false për të manipuluar opinionin publik.
Ronaldo pretendon se shumë VIP-a paguajnë shuma të majme mujore tek specialistë të botës online për të krijuar dhjetëra e qindra profile të rreme në Instagram. Këto llogari shërbejnë jo vetëm për të mbushur hapësirat me komente pozitive dhe për të rritur “imagjinatën” e famës së tyre, por edhe për të sulmuar publikisht këdo që hyn në konflikt me ta.
“E keni vënë re që në sondazhe apo votime online, disa prej tyre papritur marrin qindra komente identike? Janë profile robotësh, të programuar për të krijuar idenë e një fansbase të madhe që në fakt nuk ekziston,” shkruan Sharka.
Moderatori shton se këto profile nuk kufizohen vetëm në faqet e mediave apo sondazhet online, por shfaqen edhe në postimet personale të VIP-ave, madje edhe tek reklamat e tyre, duke krijuar artificialisht imazh suksesi.
Sipas tij, manipulimi nuk ndalet aty: nëse dikush bie në konflikt me ndonjë nga këta personazhe, “ushtria e profileve fallco” hidhet menjëherë në sulm, duke ofenduar e denigruar në komentet e rrjeteve sociale.
Sharka thekson se e di shumë mirë se kush janë personazhet e përfshirë, por për momentin ka zgjedhur të mos zbulojë emra. “Unë i kam identifikuar disa prej tyre,” tha ai.
Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i Arjon Muçës, i cili ka komentuar në postimin e Sharkës: I shkruar në këtë formë, materiali që ke publikuar nuk ngjall ndonjë interes të vërtetë, pasi të gjithë kemi parë që disa profile janë të çuditshme. Si person që merresh me emra dhe individë konkretë, nëse ke fakte, duhet t’i publikosh — ky është thelbi i profesionit tënd.
Ndërsa Zhaklin Lekatari kalon në emra të përveçëm: Anaid Kaloti si fillim. Mafia e rrjeteve sociale. Flm. Ditën e mirë.
Po ju, keni ndonjë emër tjetër?