Romeo Kara zbulon kush është dosja “përvëluese” që nëse hapet shkakton “cunam” në politikën shqiptare, ja çfarë …

Avokati i njohur, Romeo Kara, denoncues i ish-presidentit Ilir Meta, dha detaje mbi vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke theksuar takimet e rëndësishme që zhvilloi atje. Z. Kara konfirmoi se ishte takuar me Erik Trump, djalin e presidentit Donald Trump, në një aktivitet humanitar të zhvilluar në një nga pronat e familjes Trump. Ai theksoi se mesazhi kryesor që përcolli atje ishte se establishmenti politik shqiptar e ka mbyllur ciklin e tij dhe po e mban peng shtetin ligjor dhe progresin. Në lidhje me sfidat e drejtësisë, avokati shprehu bindjen se politika është vetë koka e krimit të organizuar në Shqipëri.
Kara sugjeroi se nëse dosjet “Sky ECC” do të hapeshin siç duhet, do të zbulohej se të gjithë krerët e politikës kanë lidhje me kriminelët më të rrezikshëm në vend. Ndërkohë gjatë intervistës për “Abc News” juristi Kara trajtoi edhe deklaratat e Monika Kryemadhit se SPAK ka kërcënuar dëshmitarët, duke e kundërshtuar këtë akuzë dhe duke argumentuar se kërcënimi real vjen nga fuqia, paratë dhe lidhjet e Ilir Metës me kriminelët. Për sa i përket procesit gjyqësor të Ilir Metës, avokat Romeo Kara beson se anulimi i seancës paraprake është një teknikë e palës për të blerë kohë dhe thekson se ish-presidenti duhet të qëndrojë nën masë sigurie deri në përfundim të gjykimit për të mbrojtur dëshmitarët gojorë.
Avokat Kara, ju prej disa ditësh ndodheni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një kohë kur në fakt pritet emri i pasuesit të kryeprokurorit Altin Dumani. Por njëkohësisht, ju jeni edhe njeriu që keni marrë guximin të denonconi një prej njerëzve më të fuqishëm, të paktën politikisht, siç është Ilir Meta. Jam kurioz të di çfarë takimesh keni zhvilluar aty?
Kanë qenë disa takime të parapërgatitura. Mbi të gjitha, ka qenë një takim me një numër jo të vogël njerëzish në një nga pronat e familjes Trump, në një aktivitet humanitar që organizohet çdo vit atje. Është menduar që do të ishte dhe vetë presidenti, por u la pastaj si datë takimi i tij me mbretin e Mbretërisë së Bashkuar dhe e kemi ditur që prej dy muajsh që nuk do të takoheshin dot.
-Kush është njeriu i afërt nga familja Trump që ju keni takuar?
Djali i tij, Erik Trump. Nga këto, aty ka pasur dhe persona të tjerë. Kuptohet, ka qenë rreth 250-60 persona. Ka pasur dhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe persona të tjerë të rëndësishëm. Më pas kam pasur takime dhe me kongresmenë dhe ish-kongresmenë.
-Çfarë fokusi kanë patur këto takime, avokat?
Thelbi dhe ajo çfarë kam përcjellë unë ka qenë që establishmenti politik shqiptar e ka mbyllur ciklin e tij. Populli shqiptar është peng i këtij establishmenti politik. Duhet ta mbyllë këtë faqe historie, të hapë një faqe të re historie. Por ky establishment, duke miratuar ligje të paligjshme, të cilat kanë qenë pjesë e një pazari politik midis tyre, po e mban peng demokracinë, lirinë, shtetin ligjor, shtetin e së drejtës, meritokracinë dhe vetë progresin. Për këtë arsye kam ngritur zërin për të gjitha padrejtësitë dhe demagogjitë që po mbajnë peng Shqipërinë.
-Avokat, unë e theksova edhe pak më parë. Ju jeni njeriu që keni marrë guximin të denonconi për afera korruptive ish-presidentin e Republikës, zotin Ilir Meta. Ndërkohë që është anuluar le të themi seanca paraprake për dosjen e Ilir Metës për shkak të mungesës së avokatit mbrojtës, Kujtim Cakrani. Pse po ndodh një gjë e tillë sipas jush? Çfarë po kërkon Ilir Meta?
Ta mbyll nga pala amerikane. Në fillim është shprehur një vlerësim për kurajën dhe për qëndrueshmërinë që kam pasur në qëndrimet e mia. E kam ngritur zërin edhe për pavarësinë e sistemit gjyqësor, si dhe atë të auditimeve, që do të ishte e nevojshme për të krijuar të paktën një minimum rregullash të lojës në Shqipëri. Në lidhje me procesin në fjalë, unë nuk paragjykoj, pasi thuhet që avokati ka një operim, një ndërhyrje kirurgjikale. Nuk paragjykoj në këtë rast se cili është qëndrimi i palës, por mendoj që vetë pala mund ta përdori si teknikë zgjatjen e procesit për shumë arsye. Por në këtë rast, edhe për arsye se ka një dosje jo të vogël përpara, e cila nuk besoj se mund të përvetësohet dhe të ndihmojë përgatitjen e palës në një kohë kaq të shkurtër. Pra, mendoj ka një logjikë këtu në këtë mes që do të kërkojnë kohë për t’u përgatitur më mirë për dosjen.
-Ndërkohë, avokat, shqyrtimi i dosjes, nëse do kalojë apo jo në gjykim nga gjyqtarja Irena Gjoka, është lënë data 9 tetor. Që është njëkohësisht edhe e njëjta datë kur Gjykata e Lartë do të shqyrtojë rekursin e Metës për ndryshimin e masës së sigurisë. Por çfarë mendoni ju, avokat, se do të ndodhë në këtë datë? Ka gjasa që nëse dosja e Metës do të kalojë për gjykim në datën 9 tetor, Meta ndoshta fiton lirinë?
Nuk mund të jemi të prerë, duke qenë që është një realitet për të cilin ne gjithmonë kemi pasur edhe të papritura. Kur kujtoj mesazhin e Ferdinand Xhaferit, të cilin ai bëri publik, shpërndarë nga Berisha në ËhatsApp-in e grupit të deputetëve të PD-së, që “mos bëni shumë zhurmë kundër gjykatave pasi ne shumë shpejt gjykatat do vendosin në favorin tonë”. Pra, ne akoma kemi sistem gjyqësor të ndikuar politikisht. Shpresoj që ata të japin një vendim të pavarur dhe të mos kemi një përballje të drejtësisë me krimin e lartë, që për mua është krim i organizuar dhe është vetë politika koka e krimit të organizuar në Shqipëri. Të cilët hyjnë dhe dalin në burgje sa për sy e faqe, me pasuri akoma të pakonfiskuara dhe me procese gjyqësore, si të thuash, nga më të voglat. Unë mendoj që ne duhet të kemi një rishikim të të gjithë burgjeve në tërësi. Shumë persona mbase, në pjesën e të hallexhinjve, kanë mbushur burgjet dhe është tepruar një çikë me numrin e tyre, dhe të përqendrohemi te kokët që janë në Shqipëri. Realisht do t’i kthejmë dinjitetin burgut si institucion kur këta, të cilët kanë vite që mbajnë peng shqiptarët, të shkojnë atje, dhe njerëzit të cilët mund të kenë bërë dhe ndonjë shkelje por që janë detyruar nga kjo lloj politike, të mos vuajnë kaq gjatë.
-Avokat, e bëra këtë pyetje pasi tashmë SPAK ka mbyllur hetimet për dosjen korruptive ndaj Metës dhe në momentin që kjo dosje do kalojë për gjykim, dikush do të thoshte që Meta mund të fitojë lirinë, sepse tashmë ai nuk kërcënon, nuk mund të kërcënojë dëshmitarët, apo nuk mund të rrezikojë më hetimet?
Jo, nuk e besoj këtë që ai nuk mund të kërcënojë. Kemi bërë një gabim shumë të rëndë dhe një standard dyfish nuk lejohet. Jo të dalë Meta si Berisha, por të shkojë Berisha aty ku është Meta, sepse po e përdor të gjithë detashmentin e tij politik—PD-në dhe të tjerë rreth PD-së, të cilët mbase nuk njihen publikisht—në funksion të denigrimit të gjyqtarëve, prokurorëve, por dhe të dëshmitarëve. Kur ne shohim një përballje të tillë të fortë karshi figurave publike dhe që mbrohen nga ligji, mendo për njerëz të tjerë, të cilët duhet të dëshmojnë atje. Unë mendoj që këta, me fuqinë që kanë të pushtetit, të parave, të lidhjeve të errëta me kriminelët nga më të rrezikshmit në Shqipëri, ata duhet të jenë atje dhe të krijohen kushtet për një gjyq normal.
-Po thoni që Meta ka lidhje me kriminelët më të errët në Shqipëri?
Po, patjetër. Po të hapen mirë ato Sky ECC, që nuk janë hapur mirë dhe si duket të gjitha kokët e politikës janë të interesuara të mos hapen. Me çfarë dimë (ata mendojnë se nuk i dimë), të gjithë, pa përjashtim, kanë lidhje me kriminelët më të rrezikshëm në Shqipëri. Të mos them që vrasjet kryesore janë inspiruar prej tyre.
-Ndërkohë, avokat, në Gjykatën e Posaçme sot është paraqitur edhe Monika Kryemadhi, e cila tha se është e skandalizuar nga aktet hetimore të SPAK, të dorëzuara në gjykatë. Gjithashtu, ka akuzuar SPAK se është ky institucion i cili ka kërcënuar pikërisht dëshmitarët. Por, avokat, ju si e mendoni, kush i ka kërcënuar dëshmitarët dhe pse Kryemadhi i cilëson aktet hetimore si skandaloze?
Unë mendoj që mund të vërtetohet mbase e kundërta. Duhet të ishin afruar fakte dhe prova kur jepen deklarata të tilla, sidomos në konsum publik. Ka vetëm një kërcënim, dhe ai vjen nga ligji për ata njerëz që japin dëshmi të rreme para prokurorit apo gjykatës. Ata dënohen, bëjnë vepër penale dhe dënohen. Dhe ne duhet të kemi parasysh: qëndrimi i Metës atje i vlen për të mbrojtur këto prova gojore, pra dëshmitarët që do të dalin dhe deklarojnë aty përpara. Ka pasur raste që kanë thënë të vërtetën para prokurorit të OPG-së, pastaj në kërcënim apo nën joshje, apo të dyja bashkë, e kanë ndërruar dëshminë e tyre përpara gjykatës. Janë gjyqe të cilat bëhen për herë të parë në Shqipëri, procese të vështira, ka ngarkesë të madhe dhe presion për jetën dhe për të tjera gjëra. Prandaj unë mendoj që duhet të rrijë aty zotëria ku është. Është mirë atje deri në përfundim të procesit.
-Avokat, Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se vëmendjen e tyre e kanë pikërisht te SPAK. E ngarkuara me punë këtu në Tiranë, zonja Nancy Van Horn, ka takuar kryetaren e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ku theksi u vu pikërisht në integritetin e procesit të përzgjedhjes së pasuesit të Altin Dumanit. Çfarë mesazhi është ky për ju?
Mesazhi është që të gjitha strukturat që marrin pjesë në përzgjedhjen e pasuesit të Dumanit t’i largohen ndikimit politik, të zbatojnë ligjin dhe të zgjedhin njeriun më me integritet dhe më të devotshëm që do t’i shërbejë një drejtësie reale Shqipërisë. Pra, ta thellojë këtë arritje që ka bërë Dumani deri tani. Ai ka vënë një tullë më shumë në këtë përvojë të re të kësaj strukture kaq të nevojshme për shqiptarët—ritmin, punën, por dhe thellësinë, domethënë, në një luftë kundër krimit të organizuar. Mesazhi është: suport i hapur dhe i fortë nga Shtetet e Bashkuara që në këtë moment ne të instalojmë drejtësinë, dhe të forcojmë atë shtetformimin tonë në këtë sektor. Të paktën duke u krijuar mirë ky sektor, do të ndikojë padyshim në krijimin e gjithë strukturës shtetërore të munguar në Shqipëri, që ekziston në letër, po jo në realitet.
-Avokat, kush mendoni ju se duhet të pasojë kreun e SPAK, Altin Dumani?
Unë jam për parime, për principe: njeriu më i devotshëm. Më me integritet, ai që ka provuar veten që është i devotshëm, që ka mbajtur ngarkesa të tilla, që nuk është joshur, që nuk ka shitur parimet e larta të drejtësisë, që ka një raport të mirë me të vërtetën, që nuk ka frikë, në fund të fundit. Ai e di që kjo është një mision; e vërteta, drejtësia, është një mision, nuk është thjesht për të bërë karrierë atje. Ai i cili do vendin e tij, do dinjitetin e shqiptarëve, t’u kthejë shqiptarëve një dinjitet. Shqiptarët meritojnë të dinë shumë vërteta që janë groposur, dhe investigimi i tyre do t’i çojë tek e vërteta, por dhe të kenë pak drejtësi. Ai njeri që e ka marrë parasysh që do përballet me të gjithë strukturën shtetërore, por dhe atë të krimit, që fatkeqësisht është bashkuar në këto momente.
-Avokat, kam edhe një pyetje të fundit për ju, por ama është një pyetje e drejtpërdrejtë që jam i sigurt se do marrë një përgjigje shteruese, sa politike aq edhe ligjore nga ana juaj: A mund të jetë pasuesi i Dumanit një grua, meqenëse sot e ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nancy Van Horn, ka takuar pikërisht kryetaren e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, zonjën Mirela Bogdani? Mund të jetë kjo kandidatura për kryeprokurore të SPAK?
Nuk e di. Besoj e ka takuar në funksionin e kryetares së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, e cila ka të bëjë me procesin e përzgjedhjes së personit në fjalë. Nuk është e thënë që ne të bëjmë dallime. Ato vlera dhe merita që duhet të ketë personi që duhet të zgjidhet atje, mund t’i ketë dhe një grua. Këtu në Amerikë kemi dy kryeprokurorët kryesorë, dhe një nga prokurorët kryesorë prapë që është vënë së fundmi para pak ditësh, janë gra. Unë mendoj, në radhë të parë, kanë të bëjnë vlerat dhe jo gjinia. Dhe jo të orientohemi drejt përzgjedhjes sipas gjinisë, por sipas devotshmërisë. Zoti i ndan njerëzit në këto raste vetëm nga devotshmëria. Kush e meriton, ai të shkojë atje. Mjafton që ta kuptojë ashtu siç unë e thashë dhe mendoj që e kam konceptuar drejt./sot.com.al