Të gjithë “hanë në një tavë”, kush janë politikanët në opozitë që i ka “peshkuar” Edi Rama, familjarët të futur në…

Të gjithë “hanë në një tavë”, kush janë politikanët në opozitë që i ka “peshkuar” Edi Rama, familjarët të futur në poste të administratës, ja si i ka “sistemuar” kryeministri njerëzit e afërt të tyre, nga gruaja e Tedi Blushit, vëllai i Belind Këlliçit, deri te Braimllari dhe Silva Caka
Qeveria dhe opozita, sado të përplasen në podium, në realitet “hanë në një tavë”. Retorika publike është e mbushur me akuza, shfaqje force dhe fjalime për konsum elektoral, por prapa kuintave, të afërmit e politikanëve opozitarë gjejnë gjithmonë një derë të hapur në administratën e Edi Ramës. Madje kryeministri ka futur dhe shumë emra që dikur përfaqësonin opozitën, më konkretisht Partinë Demokratike dhe ish-LSI duke iu dhënë poste kyçe në qeveri. Këto lëvizje krijojnë bindjen se sistemi politik është i ndërtuar mbi marrëveshje të padukshme dhe interesa të përbashkëta, ku pozita dhe opozita janë vetëm dy krahë të së njëjtës skenë.
Të gjithë “hanë në një tavë”
Silva Caka, ish deputete e ish-LSI, është emëruar dje zv/ministre e Brendshme në mbledhjen e qeverisë. Ajo është emri i radhës që Rama peshkon në radhët e partisë që drejtohet nga Ilir Meta. Gjithashtu së fundmi pjesë e PS u bë dhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Endrit Brahimllari, i njohur si një ndër figurat më aktive të saj. Brahimllari ishte një funksionar i lartë i partisë që drejtohej në atë kohë nga deputetja Monika Kryemadhi. Së fundmi Brahimllari u përjashtua nga riorganizmi që Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta, bëri në përpara se të vihej në pranga nga SPAK. Blendi Sulaj që ka mbajtur postin e nën/Kryetarit të Partisë Republikane të drejtuar nga Fatmir Mediu. Sulaj përpara se t’i bashkohej listës së Partisë Socialiste, ka drejtuar dhe degën e njësisë 9 në Tiranë në kohën kur e drejtonte Lulzim Basha pas ngjarjeve të zgjedhjeve 2021. Rama e ka emëruar nënkryetar bashkie të Tiranës. Një emër tjetër që mori vëmendje në listat e PS ishte dhe ish-deputeti i njohur i Kukësit Albana Zeneli. Zeneli ka qenë deputet në legjislaturën 2013-2017 dhe më pas ishte një ndër deputetët që nuk pranoi të digjte mandatet në 2019 pas vendimit të kryetarit të asaj kohe Lulzim Basha. Sipas Shalsit, Zeneli i është bashkuar Kukësit si një forcë tradicionale politike e zonës. Partia Socialiste nuk mori vetëm ish-funksionar nga PD dhe PR, por edhe nga PDIU e drejtuar nga Shpëtim Idrizi, ku ky i fundit për zgjedhjet e 11 Majit i është bashkuar ‘Koalicioni Madhështor’ të Berishës. Bëhet fjalë për Nusret Avdullan i cili kandidon në listën e hapur të Fierit. Avdulla ka drejtuar degën e Fierit për PDIU dhe ka qenë deputet pas zgjedhjeve të 2021 për Qarkun e Fierit nga lista e PD-së, që asaj kohe drejtohej nga Basha Edhe një emër tjetër është dhe kandidatja për deputete në listën e mbyllur të Vlorës, Zamira Sina e cila njihet për një nga fjalimet e saj virale në 2017, kur ish-Kryetari i Partisë Demokratike i asaj kohe Lulzim Basha. Gjithashtu dhe Klevi Pojana, ish-nënkryetar i Forumit Rinor të Partisë së Lirisë si dhe ish-kandidat për deputet me këtë parti, është bashkuar me socialistët. Pojana është emëruar administrator në Njësinë nr. 8 në Tiranë. Genc Deromemaj, është emëruar në krye të Kadastrës së qytetit të Vlorës. Genc Deromemaj zëvendëson në krye të Kadastrës së Vlorës Erjon Galanxhin, i cili dha dorëheqjen pas vetëm 3 muajsh në detyrë. Ai ka mbajtur postin e kreut të Partisë Demokratike në qarkun e Vlorës, ndërsa ka qenë pjesë e PD që prej vitit 2002. Në vitin 2015, kandidoi për bashkinë e Vlorës si kandidat i PD-së, përballë kandidatit socialist Dritan Leli. Genc Deromemaj, që nga viti 2015-2018, ka qenë anëtarë i kryesisë së Partisë Demokratike. Më pas, nga viti 2018-2022, drejtoi degën e PD-së në Vlorë, ndërsa pas vitit 2022, qëndroi si anëtar i Partisë Demokratike në Vlorë.
Familjarët e opozitarëve me poste në administratë
Gjithashtu shumica e grave, burrave dhe fëmijëve të opozitarëve janë të punësuar në administratë. Ishte Monika Kryemadhi që zbuloi se sekretari ti Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka punësuar familjarë të tij në administratë. “Tedi Blushi është njeriu më i lumtur në botë sot. Deputet është, gruan e ka drejtoreshë te Ulsi Manja, vjehrrin e ka nëndrejtor te spitali i burgut. Me tri shtëpi është sot, kur ka qenë pa shtëpi”, ka thënë ajo. Një tjetër rast që ka bërë bujë është ai i vëllait të Belind Këlliçit, i cili ka qenë i punësuar si këshilltar juridik pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë gjatë kohës kur ministrja e këtij dikasteri ishte Belinda Balluku. Sipas burimeve, Reshard Këlliçi ka qëndruar në këtë pozicion deri në shkurt të vitit 2023, pra pikërisht në kohën kur vëllai i tij Belindi u emërua drejtues politik i PD-së për Tiranën. Pas dorëheqjes nga Ministria, Reshard Këlliçi u angazhua si ekspert pranë Sekretariatit të Energjisë për Bashkimin Europian, një institucion kyç për politikën energjetike në Shqipëri, ku vendi ynë mbajti edhe presidencën në vitin 2023. Ky Sekretariat është në lidhje të ngushtë me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, e drejtuar nga Balluku, duke e përforcuar kështu rrjetin e influencës dhe ndikimit mes tyre. Në këtë kontekst, pozicioni i Reshard Këlliçit është më shumë se thjesht një punësim i zakonshëm; ai është një hallkë e rëndësishme në një strukturë ku bashkëpunimi dhe ndarja e influencës shkojnë përtej interesave institucionale.
Shpërthen Murrizi
Lëvizjet e Ramës kanë ngjallur debat. Dje ish-deputeti Myslim Murrizi ironizoi emërimin e Silva Cakës. Gjatë një postimi në rrjetet sociale, Murrizi nuk kurseu kritikat për Sekretarin e Përgjithshëm të PD, Flamur Nokën për të cilin thotë se ia kishte bërë të qartë që mos bënte koalicion me Partinë e Lirisë. Sipas Murrizit, në partinë e Metës kanë ngelur shumë pak njerëz pasi të gjithë po e braktisin sapo i jepet një post nga ana e kryeministrit Rama. Gjithashtu Murrizi thekson se Flamur Nokës nuk i interesojnë demokratët, ndërsa mes enigmave thotë se bashkëshortja e një deputeti opozitar të LSI-së u mbyt në lot kur u largua Ulsi Manja si ministër i Drejtësisë. “Iku dhe Zj Silva nga “opozita” dhe but but u ul ne prehrin e Qeverisë. Se i bëtë gjyqin Endri Brahimllarit pse iku i pari! Çështje kohe ikin dhe të tjerë që kanë ngelur akoma këtu në Tiranë se në asnjë cep të Shqipërisë nuk ka me nga kjo “opozitë” pas zgjedhjeve te 11 majit. Prandaj kam thënë në shkurt 2025 në këshillin kombëtar Mul Nokës që koalicioni me LSI nuk sjell kokërr vote tek PD. Këta janë më të sinqertë në fakt se ikin drejtpërdrejt vetë. Ndërsa deputet e LSI apo ish deputet e anëtarë të kryesisë kanë të gjithë familjaret nëpër ministri në poste të ndryshme. Madje bashkëshortja e një deputeti “opozitar” të LSI u mbyt në lot kur iku Ulsiu si ministër drejtësisë. Hajde Mul “strategu” gjej ndonjë koalicion te këtij lloji edhe për zgjedhjet e pjesshme lokale sidomos për bashkinë Tiranës e rruaj ndonjë gjë po vari trapin se humb PD dhe vuajnë DEMOKRATET Në fund të fundit ju mirë i keni punët e juaja me “ beteja” madhështore në Parlament”, shkruan Murrizi. Pas emërimit si zëvendës ministre e Brendshme të ish-deputetes dhe aleates së Ilir Metës në Partinë e Lirisë, Silva Caka, reagoi dhe zëdhënësja e ish-presidentit Meta. Jasmilla Memelli ka ndarë në Facebook një video të vjetër të Cakës, ku deklaronte se njerëzit që janë bashkuar PS janë rekrutuar nga Edi Rama dhe se ‘kanë gjetur tenxherja kapaku’, duke shtuar se kjo e fundit ka ‘lëpirë aty ku ka pështyrë’. “Kur dikush zgjedh të braktisë vlerat e Lirisë dhe Demokracisë për një karrige të pa vlerë në Qeverinë e krimit dhe të korrupsionit, nuk largohet nga Partia e Lirisë, por nga morali, integriteti dhe parimet. Nuk ndalojmë askënd të lëpijë atë që ka pështyrë, apo të pështyjë fytyrën e vet. As të nëpërkëmbë edhe gjakun e familjes të derdhur për vlerat e shenjta të Lirisë. Këto janë zgjedhje personale, që flasin më shumë se çdo fjalë”, shprehet ajo. Më tej shton se Caka kur u largua nga PL, u largua me motivacionin për të ndjekur shkollën e Magjistraturës, por sipas saj rezultoi se ka “aplikuar në “Shkollën” e Korrupsionit, Krimit dhe Vesit”. “Ka mbi një vit që S.C ka dhënë dorëheqjen për të ndjekur gjoja Shkollën e Magjistraturës, që në fakt rezultoi aplikim për në “Shkollën” e Korrupsionit, Krimit dhe Vesit. Partia e Lirisë është më e vendosur se kurrë në mbrojtjen dhe jetësimin e kauzave të saj madhore ekzistenciale kombëtare, për të vazhduar pa kompromis luftën parimore dhe patriotike, krah për krah me opozitarët e vërtetë dhe me të gjithë shqiptarët e ndershëm, për t’i shkurtuar ditët regjimit kriminal të Edi Ramës që ka shpopulluar vendin dhe po rrjep pa mëshirë popullin me korrupsionin skizofrenik”, shkruan Memelli./sot.com.al