“Krimi është ulur këmbëkryq në zemër të pushtetit”/ Shpërthen gazetari: Fërkojmë sytë, lartësohen kullat në Tiranë

Gazetari Andi Bushati i ftuar në një emision televiziv, ka theksuar lidhjet e forta mes pushtetit dhe krimit në Shqipëri.
Duke komentuar situatën aktuale, Bushati tha, se nuk ka nevojë për gazetarë të huaj për të kuptuar këtë lidhje, pasi çdo shqiptar mund ta vërë re atë vetëm duke vëzhguar realitetin e përditshëm në Tiranë.
‘Besoj se çdo shqiptar e di, që nuk ka nevojë për një gazetar të huaj për të kuptuar se sa i lidhur është pushteti këtu me krimin. Boll të fërkojë njëherë sytë kur zgjohet në Tiranë dhe të shohë kullat që lartësohen në qendër të Tiranës, për të kuptuar se, krimi është ulur këmbëkryq në zemër të pushtetit,’ deklaroi Bushati.
Gazetari shpjegoi se monumentet që po ngrihen në qendër të Tiranës dhe që janë të papërballueshme për shumicën e shqiptarëve, tregojnë qartë një anomali të thellë në shoqëri. Ai theksoi se kjo është një situatë që çdo qytetar mund ta perceptojë vetë, pa pasur nevojë për ndërhyrje nga jashtë.
‘Pra, ato monumente që ngrihen në qendër të Tiranës dhe që janë të pableshme nga asnjë shqiptar që jeton me punë të ndershme, tregon se këtu ka një anomali. Ka anomali dhe ne e shohim vetë e s’ka nevojë të na e tregojë një gazetar i huaj,’ shtoi Bushati.