Hegseth thërret urgjentisht drejtuesit ushtarakë amerikanë nga e gjithë bota në Quantico. ‘Askush nuk e di arsyen, ka shqetësim të madh’

Një thirrje misterioze nga Pentagoni po trondit botën ushtarake.
Washington Post raporton se më 30 shtator në Virxhinia do të mblidhen qindra gjeneralë, admiralë e komandantë nga e gjithë bota – por pa u thënë as arsyen e takimit. Një ngjarje e pazakontë, që ka ndezur shqetësime për sigurinë dhe për vetë fatin e strukturave ushtarake amerikane.
Takimi i rrallë – që sipas Washington Post ka «shkaktuar alarm dhe konfuzion» – është parashikuar në Virxhinia për më 30 shtator: «As gjeneralët më të lartë nuk e dinë arsyen e kësaj thirrjeje».
Nga korrespondentja jonë në New York – shefi i Pentagonit Pete Hegseth do të mbledhë javën e ardhshme në Virxhinia qindra gjeneralë, admiralë dhe oficerë të tjerë nga e gjithë bota, shkruan Washington Post, për një takim për të cilin «as gjeneralët më të lartë dhe stafet e tyre nuk e dinë arsyen».
Takimi, për të cilin janë thirrur me direktivë edhe drejtuesit e të gjitha komandave amerikane – në Europë, Lindjen e Mesme, Azi-Paqësor – ka ngritur disa shqetësime për sigurinë dhe largimin e drejtuesve ushtarakë nga zonat e krizës. Ai do të mbahet në bazën e Marinës në Quantico javën e ardhshme. Një zëdhënës i Pentagonit e ka konfirmuar takimin por nuk ka dhënë asnjë detaj apo shpjegim.
Është diçka krejtësisht e pazakontë (askush nuk kujton diçka të tillë) që po shkakton «konfuzion dhe alarm», sipas Washington Post, duke qenë se disa drejtues të forcave të armatosura janë shkarkuar tashmë këtë vit (në maj Hegseth deklaroi se drejtuesit ushtarakë duhen reduktuar «të paktën» me 20% dhe se duhen «hequr» rreth 100 gjeneralë e admiralë nga rreth 800 që ka në SHBA dhe dhjetëra jashtë vendit) dhe duke qenë se administrata amerikane sapo ka njoftuar synimin për të bërë shkurtime drastike të personelit federal në rast të një mbylljeje (shutdown), nëse Kongresi refuzon të financojë qeverinë nga 1 tetori.