Talenti i saj spikati që në fëmijëri’/ E bija e Hajrie Rondo: Ja ‘porosia’ që i dhanë para se të bëhej aktore

E ftuar në emisionin “A Show” në SYRI TV me Adi Krastën, aktorja Klea Ikonomi Rondo kujtoi në një “In Memoriam” nënën e saj, aktoren e madhe Hajrie Rondo, e cila u nda nga jeta më 9 nëntor 2017, në moshën 66-vjeçare, në Himarë.
Sipas saj, Hajria spikaste për rolet e vështira dramatike, që sipas diskutimeve të kohës vetëm pak aktore arrinin t’i realizonin. “Është diskutuar që mami, ose Hajria, bënte ato role të vështira që 80% e aktoreve nuk i arrinin dot,” – u shpreh ajo.
Klea solli edhe një episod nga rinia e artistes, kur ajo fitoi konkursin për Akademinë e Arteve dhe u përgatit të shkonte në Tiranë. “Një grua në fisin tonë, të cilën e respektonin të gjithë, i dha dy porosi: Hajrie, nderin dhe dialektin, mos i ndrysho,” – kujtoi ajo.
Në intervistë, aktorja vuri në dukje se mjeshtërinë e aktrimit e ëma e kishte mësuar nga pedagogët e njohur Drita Agolli dhe Birçe Hasko, të cilët e udhëhoqën në fillimet e saj.
“Mami ka qenë e prerë, autoritare, por edhe shumë e dhembshur. Kishte frikë gjithë kohën për fëmijët, mos sëmureshin, mos ndodhte gjë,” – tha Klea, duke shtuar se krahas seriozitetit, Hajrie Rondo kishte edhe një sens humori të veçantë, duke imituar në mënyrë të jashtëzakonshme çdo njeri që takonte.
Aktorja kujtoi gjithashtu se Hajria kishte spikatur që në gjimnaz, duke fituar konkurset e teatrit në Delvinë dhe duke u mbështetur nga mësuesi i saj i letërsisë për të ndjekur rrugën e aktrimit.
“Nga ime më kam marrë edukatën e punës,” – u shpreh Klea, duke theksuar trashëgiminë shpirtërore dhe profesionale që i ka lënë nëna e saj.
Klea Ikonomi Rondo:
Është diskutuar që mami ose Hajria, bënte ato role të vështira të cilat 80% e aktoreve nuk arrinin dot t’i bënin, karaktere shumë të forta, dramatike.
Ajo tregon ndër historitë e saj, kur u përgatit, fitoi konkursin dhe do të vinte në Tiranë për Akademinë e Arteve, një grua në fisin e saj të cilën ato e mbanin si ato zonjat që u dëgjohej fjala, i dha 2 porosi siç jepeshin në atë kohë: Hajrie, nderin dhe dialektin, të folurin, mos e ndrysho.
Mjeshtërinë e aktorit, mami thoshte se siç ta jepte Drita Agolli, nuk ta jepte njeri. Ajo ka qenë e privilegjuar të ketë pasur pedagogen kryesore udhëheqëse zonjën Drita Agolli dhe pedagogun asistent Birçe Haskon.
Ime më ka qenë e prerë, autoritare, por edhe shumë e dhembshur nga ana tjetër, e panikosur gjithë kohën për fëmijët, mos sëmureshin, mos ndodhte gjë. Sa autoritare dhe e dhembshur.
Mami dallonte në Delvinë, spikaste në konkurset e teatrove që bëheshin dhe ajo ishte e para, e kishte shfaqur talentin e saj që në gjimnaz dhe pikërisht aty kishte vënë re mësuesi i saj i letërsisë, i cili këmbënguli që mami të vazhdonte për aktrim në Akademinë e Arteve.
Kishte sens humori shumë, imituese e paparë, çdo njeri që takonte edhe rastësisht e fiksonte dhe e imitonte.
Mami kishte mbaruar vitin e parë të Akademisë së Arteve dhe me babin janë njohur në Elbasan, sepse aty jetonte motra e madhe e mamit, njohje e rastësishme.
Nga ime më kam marrë edukatën e punës.