Pse keni MUNGESË të vitaminës D edhe pse ekspozoheni mjaftueshëm në diell?/Jua themi ne arsyen!

Me kalimin e viteve, aftësia e lëkurës për të sintetizuar vitaminën D zvogëlohet ndjeshëm…
Vitamina D njihet si “vitamina e diellit”, sepse trupi e prodhon natyrshëm kur lëkura ekspozohet ndaj rrezeve UVB. Megjithatë, në të gjithë botën, rreth një miliard njerëz vuajnë nga mungesa e vitaminës D dhe gjysma e popullsisë ka nivele jo të mjaftueshme, sipas të dhënave të Cleveland Clinic. Një arsye kryesore është pigmentimi i lëkurës. Melanina, që i jep ngjyrën lëkurës, vepron si një filtër natyral ndaj rrezeve UVB. Sa më e errët lëkura, aq më pak vitaminë D prodhon trupi. Këtë e ka vërtetuar një studim i botuar në Journal of Clinical Endocrinology & Metabolism nga profesor Neil Binkley dhe kolegët e tij, ku theksohet se personat me lëkurë të errët mund të vuajnë nga mungesa e vitaminës D edhe kur jetojnë në zona me shumë diell.
Me kalimin e viteve, aftësia e lëkurës për të sintetizuar vitaminën D zvogëlohet ndjeshëm. Cleveland Clinic shpjegon se personat mbi 65 vjeç kanë rrezik më të lartë për mungesë, pasi lëkura e tyre nuk është më aq efikase në shndërrimin e rrezeve UVB në vitaminë D aktive. Edhe obeziteti ka ndikim. Si vitaminë liposolubile, vitamina D grumbullohet në indin dhjamor. Kjo bën që te personat obezë ajo të mbetet e bllokuar dhe të qarkullojë më pak në gjak, gjë që shpesh kërkon doza më të larta suplementesh për të arritur nivele optimale.
Në vendet larg ekuatorit, gjatë dimrit dielli është me kënd më të ulët dhe rrezet UVB nuk janë të mjaftueshme për prodhim. Ekspozimi i moderuar gjatë muajve të ngrohtë mund të sigurojë nivele të mjaftueshme, por në muajt e ftohtë shumë njerëz kanë nevojë për ushqime të fortifikuara ose suplemente. Një tjetër element është përdorimi i kremrave solarë. Ndërsa ata janë të domosdoshëm për mbrojtjen e lëkurës nga djegiet dhe kanceri, aplikimi i kremrave me faktor të lartë mbrojtës kufizon ndjeshëm prodhimin e vitaminës D në lëkurë.
Fibroza cistike, sëmundja e Crohn-it dhe celiakia e kufizojnë thithjen e saj nga zorrët, sidomos kur janë të patrajtuara. Ndërkohë, sëmundjet e mëlçisë dhe veshkave reduktojnë prodhimin e enzimave të nevojshme për të kthyer vitaminën D në formën e saj aktive, duke e bërë atë joefikase në trup. Edhe kirurgjitë për humbje peshe, si bypass gastrik, ndikojnë negativisht. Disa ilaçe gjithashtu e ulin nivelin e vitaminës D si kortikosteroidet, barnat kundër kolesterolit, disa antiepileptikë, rifampicina apo orlistati. Kjo është arsyeja pse mjekët këshillojnë që pacientët që përdorin këto barna të monitorohen rregullisht.
Mungesa e vitaminës D nuk është gjithmonë e dukshme, por me kalimin e kohës mund të çojë në lodhje, dhimbje kockash, dobësi muskulore dhe madje depresion. Edhe pse dielli është burimi kryesor, ekspertët paralajmërojnë se nuk është i mjaftueshëm për shumë persona. Peshqit e yndyrshëm si salmoni, toni dhe sardelja, trofta, mëlçia e viçit, kërpudhat dhe të verdhat e vezëve janë burime të pasura natyrale. Vitamina D gjendet në dy forma; D2, që vjen nga bimët dhe merret me recetë, dhe D3, që vjen nga kafshët dhe është e disponueshme pa recetë. Studimet tregojnë se D3 përthithet më lehtë nga trupi.