Njerku polic ngacmonte se*sualisht 16-vjeçaren, Policia: Kolegu i tij u arratis në Greqi pas publikimit të videos

Policia e Gjirokastrës ka reaguar zyrtarisht lidhur me ngjarjen e raportuar më herët në Përmet, me abuzimin ndaj një 16-vjeçareje.
Sipas policisë, në pranga është vënë njerku i të miturës, efektiv policie, e cili dyshohet se për tre vite me radhë e ka ngacmuar seksualisht. Ndërsa në kërkim është shpallur kolegu i tij, polic në Tepelenë, i cili pasi është vënë në dijeni për akuzat ia ka mbathur drejt Greqisë.
Njoftimi zyrtar i Policisë:
Duke marrë indicie nga një postim në rrjetin social Facebook, nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër filluan verifikimet dhe si rezultat u identifikuan personat e përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Duke qenë se kishte dyshime se ishin të përfshirë edhe punonjës policie, është kërkuar bashkëpunimi i strukturave Rajonale të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër. Në drejtimin e Prokurorisë Gjirokastër, në bashkëpunim me AMP-në, shërbimet e Policisë kanë shoqëruar personat e dyshuar dhe dëshmitarë në ambientet e DVP Gjirokastër.
Në vijim të hetimeve për këtë rast, në zbatim të urdhrave të prokurorit:
-u vu në pranga njerku i 16-vjeçares, shtetasi P. B., 55 vjeç, banues në Këlcyrë, punonjës i Komisariatit të Policisë Përmet, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht, për rreth 3 vjet, të miturën;
-u vunë në pranga shtetasi K. P., 46 vjeç (i cili dyshohet se ka pasur lidhje intime me 16-vjeçaren) dhe shoku i tij, shtetasi I. P., 27 vjeç, të dy banues në Këlcyrë, pasi dyshohet se kanë kanosur 55-vjeçarin, që t’iu jepte 1 000 000 lekë, për të mos i publikuar video me përmbajtje intime. 46-vjeçari u kap në Tiranë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2;
-u shpall në kërkim shtetasi A. A., 53 vjeç, banues në Këlcyrë, punonjës i Komisariatit të Policisë Tepelenë (të cilit i referohet informacioni i postuar në rrjete sociale), pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht 16-vjeçaren. Punohet intensivisht, në bashkëpunim me homologët grekë, për lokalizimin dhe kapjen e 53-vjeçarit, i cili nga verifikimet rezultoi se është në Greqi.
Gjithashtu, në lidhje me këtë rast, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër ka bërë pezullimin e menjëhershëm nga detyra të punonjësve të Policisë, Inspektor P. B., me detyrë trup shërbimi “Patrullë e Përgjithshme” në Komisariatin e Policisë Përmet dhe Inspektor A. A., me detyrë trup shërbimi “Patrullë e Përgjithshme” në Komisariatin e Policisë Tepelenë.
Më tej, me qëllim trajtimin e plotë ligjor dhe të paanshëm të këtij rasti, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetim disiplinor për të dy punonjësit e Policisë.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 5 celularë.
E mitura aktualisht është në kujdesin e familjarëve të saj, si dhe në monitorim të vazhdueshëm të psikologes.
Në drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me AMP-në, Policia e Gjirokastrës vijon hetime të thelluara për të individualizuar dhe provuar përgjegjësinë penale të të gjithë shtetasve të implikuar në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.