Sport

Dikur ishte njeriu më i shpejtë në botë, sot i merret fryma kur ngjit shkallët

Legjenda e atletikës, Usain Bolt, ka deklaruar se jeta e qetë në Xhamajkë i ka lënë gjurmë në formën fizike.

Gjatë një interviste në Kampionatin Botëror të Atletikës në Tokio, 39-vjeçari tha se prej kohësh nuk vrapon më dhe shpesh i merret fryma kur ngjitet nëpër shkallë.

“Nuk jam fans i vrapit, por mendoj se tani duhet të filloj pak, sepse kur ngjis shkallët, më merret fryma”, tha Bolt, duke qeshur.

Bolt, i cili prej vitit 2017 ka lënë atletikën, e përshkruan rutinën e tij si të thjeshtë: dërgon fëmijët në shkollë, ndonjëherë bën palestër ose shikon seriale, ndërsa pasdite kalon kohë me fëmijët, Olympia Lightning, dhe binjakët Thunder e Saint Leo.

“Kur fillojnë të më bezdisin, thjesht largohem”, shtoi ai duke qeshur.

Edhe pse ka marrë pjesë rrallë në evente të mëdha pas pandemisë dhe një dëmtimi në tendinin e Akilit, rikthimi në Tokio i kujtoi atij peshën e trashëgimisë së vet.

Rekordet e tij botërore, 9,58 sekonda në 100 m dhe 19,19 sekonda në 200 m, mbeten të paprekura prej 16 vitesh.

Një studim i fundit sugjeron se me atlete moderne Bolt do të kishte vrapuar 9,42 sekonda.

“Është e thjeshtë: ne ishim më të talentuar”, u shpreh ai për diferencën me sprinterët e rinj.

I kujdesshëm për të mbajtur gjallë lidhjen me publikun, Bolt tregoi se karizma e tij në pistë vinte nga spontaniteti.

Ai kujtoi momentet e Londrës 2012, kur insistoi të mbante shkopin e stafetës pas rekordit botëror, suvenirin e vetëm që ruan nga karriera.

Rekordmeni premtoi se do t’u tregojë fëmijëve vendet që i ndryshuan jetën, si Pekini 2008, ku fitoi famën globale.

“Do t’i çoj në stadiumin ‘Foleja e Zogut’ në 2027, për t’ua treguar historinë time”, tha ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button