Ratifikohet marrëveshja e grantit prej 60,5 milionë euro të BE për hekurudhën Durrës-Rrogozhinë

Qeveria shqiptare ka ratifikuar marrëveshjen e grantit prej 60,5 milionë eurosh të Bashkimit Evropian për linjën hekurudhore Durrës-Rrogozhinë.
Lajmin e bëri të ditur, zëvendëskryeministrja e njëherësh ministrja në detyrë e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Zëvendëskryeministrja Balluku nënvizoi se linja hekurudhore Durrës-Rrogozhinë është një nyjë e rëndësishme e Korridorit VIII që lidh Shqipërinë, Italinë, Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke sjellë përfitime civile, ekonomike dhe ushtarake.
Investimi kap vlerën e 120,5 mln eurove dhe do të mbulohet me grant nga BE-ja dhe kredi nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si edhe Banka Europiane e Investimeve”, tha Balluku.
Linja hekurudhore elektrike Durrës-Rrogozhinë, segmenti i parë i Korridorit VIII, ka hyrë në rrugën e realizimit dhe pritet të shërbejë si një alternativë më shumë transporti për të gjithë qytetarët.
Projekti është i një rëndësie strategjike, si zgjerim tregues i rrjetit TEN-T dhe është pjesë e planit ekonomik dhe të investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor.
Fondet do të mundësojnë modernizimin e një linje hekurudhore me gjatësi 34 km midis portit të Durrësit dhe Rrogozhinës, e cila shtrihet në Korridorin VIII multimodal që lidh portet e Italisë Jugore, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë.
Kostoja totale e projektit është vlerësuar në 121 milionë euro, e bashkëfinancuar me një hua prej 30 milionë eurosh nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Korridori VIII, 172 km i gjatë, është një korridor që nuk i shërben vetëm Shqipërisë.
Ai është një korridor energjetik dhe infrastrukturor, që lidh Italinë, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe përfundon në Bullgari.