Pippo Baudo i la gjithë pasurinë sekretares, pse ajo ishte e rëndësishme për të

Dina Minna ka qenë gjithmonë pranë Pippo Baudo-s, në momentet e lumtura dhe ato më të vështira, deri në fund, kur prezantuesi filloi të ndjehej keq. Ajo ishte shoqja e tij më e afërt për 36 vite, “hija” e tij, siç e përshkroi vetë pas ndarjes nga jeta e Baudos.
“Të shtunën humba një baba”, tha ajo në një intervistë për Repubblica.
Dina e shoqëroi Baudo-n edhe në udhëtimin e fundit drejt Sicilisë, ku makinat në autostradë ndaluan për të përshëndetur karrocën mortore në shenjë respekti, detaji që e preku më shumë në atë ditë të trishtë. Ajo kishte filluar të punonte me Baudo-n kur ishte ende e re, dhe në tetor do të festonte 36 vite bashkëpunim me gjigantin e televizionit që i ndryshoi jetën. Tani, në moshën 54-vjeçare, ndihet e vetmuar dhe e humbur, duke përjetuar boshllëkun e madh që la mungesa e tij.
Gjatë viteve me Baudo-n, Dina u rrit profesionalisht dhe bëri takime të rëndësishme, duke nisur nga zyrat e tij deri në studiot televizive dhe në Teatrin Ariston në Sanremo. Ajo i dedikoi jetën prezantuesit, duke organizuar punën e tij, duke mbajtur axhendën, planifikuar takime dhe marrë pjesë në vendime të rëndësishme. Me kalimin e viteve, u kujdes edhe për shëndetin e tij, duke e shoqëruar në vizita mjekësore dhe duke kontrolluar që të merrte ilaçet e nevojshme, gjithmonë me buzëqeshje.
Pas vdekjes së Baudo-s, u zbulua se në testamentin e tij, një pjesë e rëndësishme e pasurisë ishte lënë për Dinën, e ndarë në mënyrë të barabartë me fëmijët e tij, Tiziana dhe Alessandro Baudo.
Kudo që shkonte Baudo, Dina ishte me të. Nëse ai nuk përgjigjej në telefon, ajo ishte lidhja e tij. Ajo vinte herët në mëngjes në shtëpinë e tij në qendër të Romës dhe i organizonte ditën. Për Baudo-n, ajo ishte prezenca e përkushtuar dhe diskrete, e besueshme. Pas vdekjes së tij, shumë u pyetën: “E tani, Dina?”. Por Baudo kishte menduar për gjithçka në testamentin e tij, duke siguruar kujdesin për personin që i bëri jetën më të lumtur dhe më të lehtë.
Në ditën e funeralit, Dina ishte aty për të kontrolluar çdo detaj, për të përshëndetur njerëzit dhe për t’u siguruar që gjithçka të shkonte sipas dëshirës së Baudo-s. E lodhur, por perfekte, me flokët të mbledhur dhe syzet e errëta, e gatshme të falenderonte ata që qëndronin në radhë për të nderuar gjigantin e televizionit në qytetin ku kishte lindur. Si gjithmonë, ajo ndjek mësimin e ti. Çdo gjë duhet bërë mirë, madje edhe në momentin ekstrem të lamtumirës së fundit.