Life Style

‘Film di Stato’/ Një film unik për Enver Hoxhën, per shtetin dhe pushtetin

Edhe pse janë bërë shumë dokumentarë për Enver Hoxhën, ky film flet në gjuhën më lakonike dhe universale të mundshme, pasi komunikon vetëm përmes gjuhës filmike. Ajo që e bën akoma më autorial këtë film është fakti që është bazuar vetëm mbi imazhin dhe zërin, pa asnjë ndërhyrje letrare. Nuk ka asnjë tekst “overvoice” që i mbivendoset imazheve, siç ka ndodhur në filmat e mëparshëm të Sejkos. Kemi vetëm audion origjinale ose audio të tjera të krijuara me mjeshtëri të madhe, aq sa shpesh herë imazhi kthehet thjesht në ilustrues të asaj që dëgjohet. Heshtja është shpesh protagoniste hijerëndë mbi imazhet që parakalojnë pa zhurmë.
Kemi të bëjmë me një vepër të mirfilltë filmike në kuptimin material, pasi bazohet tërësisht në materiale arkivore të realizuara në pelikul. Së dyti, Film di Stato është një vepër thellësisht autoriale filmike, si nga konceptimi ashtu edhe nga struktura kompozicionale.

Corriere della Sera: Filmi i Sejkos, ditari i një diktature

Filmi ka strukturën e një kënge: ka një fillim, disa refrene dhe një mbarim. Ai fillon me njerëz që nderojnë të përlotur mbi varrin e Enver Hoxhës. Fatin e tij e mësojmë duke ju referuar materialeve arkivore gjatë gjithë jetës së tij politike, duke filluar nga momenti i çlirimit të vendit dhe marrjes së pushtetit në vitin 1945, deri në përkeqësimin e shëndetit dhe vdekjen e tij në vitin 1985. Pikërisht planet e para të filmit korespondojnë me këtë moment, vdekjen, për të kaluar pas titrave në prezantimin e startit të tij politik, nëpërmjet planeve spektalolare arkivore.
Hapja dhe mbyllja e filmit, që tregojnë çfarë ndodhi pas vdekjes së Enver Hoxhës, përbëjnë dy kulme të forta emocionale dhe pasqyrojnë të dyja të njëjtën ngjarje, por në dy këndvështrime totalisht të ndryshme. Në të parën, në hapje, populli qan dëshpërimisht për vdekjen e tij, ndërsa në të dytën, në mbyllje te filmit, i njëjti popull përdhunon agresivisht ate cka kishte mbetur nga monumenti i tij. Në rrotullimin përpara kamerës të monumentit të varur në kavot e çelikut, kemi mundësi të shohim boshllëkun brenda guaskës së bronztë si alegori e nje pushteti kallp te cilin ai ndertoi. Midis këtyre dy pikave të fillimit dhe mbarimit të kësaj trajektoreje të jetës së tij, janë rreshtuar me kujdes momentet vizualisht më pikante, të dokumentuara në materialet e pasura të kohës.

Marshimi Politik
Filmi fillon vrullshëm me paradën e partizanëve para tij, menjeherë pas çlirimit. Fjalimi që ai mban me zë dhe figurë parathotë paradoksalisht atë që ndodhi në Shqipëri gjatë 40 viteve të mbretërimit të tij politik. Ai kërkon në atë fjalim bindjen pa kushte të popullit ndaj pushtetit që do të pasonte, sikundër ata më parë ju ishin bindur urdhërave gjatë luftës.
Në kushtet e luftës predominon e ashtuquajtura “corte marziale”. Pra në fjalimin e clirimit të vendit u komunikua vazhdimi i luftës, i asaj për pushtet politik me njëri tjetrin, që rezultoi shumë më e ashpër se sa ajo kundër okupatorit të huaj.
Parakalimi i tij triumfues me të gjithë ushtarakët e lartë që e ndjekin, parathotë gjithashtu marshimin e gjatë që ai do të bënte në jetën e tij politike, me hap të vendosur ushtarak. Herë pas here, ky marshim zëvendësohet nga një ecje me makinë, me kamerën që e ndjek nga pas, rrethuar nga turma gjithnjë e më të mëdha e më të ndezura në entuziazëm, që duartrokasin dhe brohorasin për të.

Me film di stato kinemaja e propagandës kthehet në një autodenoncim të fuqishëm
Tre momente të rëndësishme vijne në formën e refrenit në këtë marshim dhe mbajnë simbolikisht emrat Tito, Stalini dhe Mao, ku ilustrohet forca gravitacionale që këto emra kanë ushtruar në kometën politike të Enver Hoxhës. Në secilën prej këtyre tre qasjeve, si me Jugosllavinë, me Bashkimin Sovjetik dhe Republiken Popullore të Kines, kemi të dokumentuar momentet e para të atraksionit fatal, ndaj tyre, të dorëzimit pa kushte, me fjalime të zjarrta, në të cilat deklarohet një dashuri dhe besnikëri e ndjerë, për të kaluar në situatat e kthesës, të cilat shoqërohen me fjalime demaskuese dhe triumfuese mbi ta duke i konsideruar armiq dhe tradhëtarë të vijës Marksiste Leniniste sejcilin prej tyre.
Kur armiqtë e jashtëm u konsumuan, i erdhi rradha armiqve të brendshëm. Ishin pikërisht ata që e kishin shoqëruar dhe mbështetur gjithë jetën.
Janë disa plane brilante gati statike të heshtura të Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut të cilet janë xhiruar gjatë një procesioni gjuetie. Kanë armë në duar dhe janë në pritje të presë. Vetë Mehmeti në fakt ishte preja e radhës së Enverit dhe kjo kulmon vetmine e tij.

Vetmia
Filmi tregon se si kallaballëku i jetës së tij politike, i mbushur me personazhe miq, shokë, kolegë, ndjekës dhe popull, fillon ngadalë të rrallohet deri në esencë, kur Enverin e shohim të shoqëruar vetëm nga e shoqja, Nexhmija. Vetmia dhe heshtja kthehen në protagoniste hijerëndë dhe pashmangshëm na shtyjnë drejt refleksionit. Pse e gjitha kjo? Pse u krijua një shtet i tëri për ta, ndërkohë që ata ishin vetëm? Dhe mendja të shkon te “Princi i Vogël” i Antoine de Saint-Exupéry, në episodin e mbretit që kishte një mbretëri, por nuk kishte popull dhe i lutej atij, princit të vogël të mos ikte, sepse kjo do ta bënte të ndihej i vetmuar.
Personazhi kryesor, Enver Hoxha, gjithmonë e më shpesh drejt fundit të filmit, shfaqet me të shoqen, në një vetmi të dokumentuar vizualisht, ku është gjithnjë e më i plakur dhe dukshëm i sëmurë. Në këto plane konstatojmë tre elementë: vetminë, statizmin e personazheve dhe heshtjen gjithnjë e më prezente, karakteristika këto të një vdekjeje për së gjalli të personazhit kryesor dhe atyre që e rrethonin.
“Film di stato” përkthehet “film i shtetit”, por në italisht “stato” përkthehet edhe “gjendje”, dhe ky dualizëm i jep titullit një dimension të plotë sa i takon “shtetit” dhe “gjendjesèèŕ që ilustron më së miri esencën e filmit.
Pjesa dërmuese e materialeve intime familjare të Enver Hoxhës, të përdorura në këtë film, janë realizuar nga truproja dhe asistenti i tij, Sulo Gradeci. Për herë të parë, kam reflektuar mbi rëndësinë që ka një personazh i tillë në dokumentimin e prapaskenës politike dhe jetës intime të njeriut, të cilin e kemi parë shumë, por pak e njohim.

Mbështetja e Institucioneve për Kinematografinë Shqiptare
Një delegacion i përbërë nga drejtuesit më të lartë të institucioneve të kulturës dhe kinematografisë (Lira Pipa, zv. Ministre në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit; Jonid Jorgji, Kryetar i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë; Rina Plaku, Drejtore Ekzekutive në QKK dhe njëkohësisht drejtuese e Media Desk Albania Creative Europe – Programi Media; Elian Tanini, Drejtor i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit dhe Marinela Ndria, ish Drejtoresha e këtij institucioni) morën pjesë në këtë prezantim si mbështetje dhe konfirmim të një strategjie ambicioze, jo vetëm për suportin, përkrahjen dhe promovimin e kineastëve shqiptarë, por edhe si një garanci për një mbështetje financiare më të madhe të kinematografisë në vazhdim. Personalisht, e shoh me optimizëm këtë prani, sepse pa hedhur këtë hap të parë, që lidhet ngushtësisht me vëmendjen që institucionet duhet t’i tregojnë sukseseve të kineastëve dhe kinematografisë, vështirë se mund të konkretizojmë hapa të tjerë më pas, që janë të lidhur me përkrahjen më të madhe financiare, kaq të domosdoshme për të ndërtuar një histori suksesi në këtë kategori, të mundshme si në asnjë tjetër.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button