Bota

Çfarë ndodhi në Britani? Dhjetëra milionë qytetarë morën në telefona mesazhe ALARMI

Dhjetëra milionë telefona celularë në Mbretërinë e Bashkuar morën një mesazh në testin e dytë mbarëkombëtar të sistemit të alarmit publik të qeverisë.

Testi u krye në celularët e lidhur me rrjetet 4G dhe 5G rreth orës 15:00 të dielën, me tekstin që shpjegonte se sistemi do të përdorej në të ardhmen për të paralajmëruar nëse ka një emergjencë që kërcënon jetën.

Pas testit, qeveria tha se kishte një numër arsyesh pse disa mund të mos e kenë marrë alarmin, duke përfshirë edhe faktin që pajisja:
• Mund të mos ketë pasur sinjal
• Mund të ketë qenë në modalitetin e aeroplanit
• Mund t’i ketë pasur të çaktivizuara cilësimet e alarmeve të emergjencës
• Mund të mos ketë qenë i aktivizuar për 4G dhe 5G
• Mund të jetë fikur plotësisht

Qeveria kishte paralajmëruar paraprakisht për alarmin për të shmangur shqetësimin e marrësve.

“Testi zgjati vetëm disa sekonda, por do ta ndihmojë qeverinë ta mbajë vendin të sigurt 24 orë në ditë, 365 ditë në vit. Herën tjetër që dëgjoni sirenën, mund të jetë një emergjencë e vërtetë, prandaj mos harroni të qëndroni të qetë dhe të ndiqni këshillat në Alarmin e Emergjencës”, thuhet në reagimin zyrtar.

Sistemi i alarmit, i cili është menduar të përdoret në situata të tilla si moti ekstrem, përmbytjet dhe zjarret , u testua për herë të parë në prill 2023.

Ai është përdorur për të lëshuar paralajmërime të vërteta pesë herë, përfshirë në janar gjatë stuhisë Eoëyn për të paralajmëruar njerëzit në Skoci dhe Irlandën e Veriut për mot të keq, dhe në shkurt të vitit të kaluar për të paralajmëruar njerëzit në Plymouth për një bombë të pashpërthyer prej 500 kg të Luftës së Dytë Botërore të gjetur në kopshtin e pasmë të një banori vendas.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button