A do të largohet Berisha nga PD vitin tjetër?! Boçi: Do ta vendosin…

Deputeti dhe nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka komentuar mbi vijueshmërinë e opozitës dhe perspektivat për ndryshimet brenda PD-së, duke u ndalur sidomos te roli i kryetarit Sali Berisha dhe zgjedhjet e ardhshme në parti.
Në lidhje me spekulimet për largimin e Berishës nga drejtimi i PD-së, Boçi theksoi se kjo nuk vendoset nga individë, por nga vetë demokratët me votën e tyre. “Për sa kohë ai merr votat e demokratëve do të jetë kryetari i Partisë Demokratike, nëse është dikush tjetër mund ta bëjë këtë. Kjo tregon se çdo vendim brenda PD vendoset me votat e demokratëve,” u shpreh ai. Zgjedhjet në PD pritet të zhvillohen në prill të vitit 2026.
Duke folur për çfarë duhet të ndryshojë në PD, Boçi nënvizoi nevojën për uljen e distancës me publikun, që sipas tij është kyçe për rikthimin e besimit. “Zvogëlimi i kësaj distance bëhet me paraqitjen me seriozitet, alternativë dhe dhënia e shpresës dhe zgjidhjes për problematikat e shfaqura për të ngjallur besimin te qytetarët,” tha ai.
Ai shtoi se PD ka bërë analizat e nevojshme, duke marrë përgjegjësitë për rezultatet e fitoreve dhe humbjeve, dhe theksoi se mungesa e suksesit deri tani, e cila ka arsye objektive, nuk duhet të pengojë përmirësimin e marrëdhënieve brenda partisë dhe me publikun.
“Gjithmonë ajo që duhet të ndryshojë në opozitë është diferenca me publikun që përcakton edhe shkallën e besimet që ndërton publiku me partinë në opozitë. Zvogëlimi i kësaj distance bëhet me paraqitjen me seriozitet, alternativë dhe dhënia e shpresës dhe zgjidhjes për problematikat e shfaqura për të ngjallur besimin te qytetarët.
PD e ka bërë analizën e saj si në fitore edhe në humbje duke nxjerrë rezultatet dhe përgjegjësitë. Mungesa e suksesit që është për disa arsye objektive nuk do të thotë që të mos krijojmë një marrëdhënie më të mirë në marrëdhëniet e brendshme në PD dhe ato me publikun”, u shpreh ai.