Nuk mund të votohesh këtu e të ‘pall*hesh’ në Bruksel, Manjani ironizon deklaratën e Manjës: Kodi Penal, pronë e shqiptarëve, jo e zyrtarëve…

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka reaguar me ironi pas deklaratës së kreut aktual të këtij dikasteri, i cili tha se “Kodi i ri Penal do të miratohet vetëm nëse merr OK nga Brukseli”.
Në një shënim të publikuar në rrjete sociale, Manjani e krahasoi këtë qëndrim me një barcaletë, duke nënvizuar se një fjali e tillë është pa sens logjik, politik dhe ligjor. “Pse, ore, ligjet tona do na i miratojë Brukseli?! Seriozisht?! Po ty pse të votuan njerëzit, për të bërë ligje apo për të bërë deklarata?! Nuk mund të votohesh e paguhesh këtu e të ‘pallohesh’ në Bruksel”, shkruan ai me tone ironike.
Sipas Manjanit, askush nuk e do Shqipërinë më shumë sesa shqiptarët, prandaj ligjet duhet të bëhen e miratohen në Tiranë dhe jo të presin vulën e zyrtarëve burokratë të pa votuar. “Kodi Penal, si çdo ligj tjetër, është pronë e Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe jo e zyrtarëve të dynjasë”, theksoi ai, duke shtuar se një mentalitet i tillë tregon papërgjegjshmëri zyrtare dhe dëmton demokracinë.
“Ministri i Drejtësisë ka thënë sot:
“Kodi i ri Penal do miratohet vetëm nëse merr ok nga Brukseli”.
E dini atë barcaletën, ku sekretarja i kërkoi drejtorit t’ia bënte rrogën sa të kryeinxhinierit të ndërmarrjes? Kur drejtori ia rrefuzoi kërkesën, me arsyetimin se smund ta ketë rrogën sa k/inxhinieri, sekretarja i tha:
“Epo ik e pallohu me k/inxhinierin pra”.
Ja, këtë barcaletë më kujtoi kjo sentencë publike, krejt pa sens llogjik, politik e ligjor të Ministrit të Drejtësisë.
Pse ore ligjet tona do na i miratojë Brukseli?!
Seriozisht?!
Po ty pse të votuan njerëzit për të bërë ligje apo për të bërë deklarata?! Nuk mund të votohesh e paguhesh këtu e të pallohesh në Bruksel!!!
Shumë i keqardhur për këtë nivel papërgjegjmërie zyrtare në këtë vend!
Askush, në asnjë kryeqytet botëror nuk e do Shqipërinë më shumë sesa shqiptarët ore, ejjj!
Shqiptarët votojnë parlamentin e tyre që ligjet të bëhen e miratohen këtu dhe jo nëpër zyra burokratësh të pa votuar askund, krejt pa din e pa iman!
Kodi Penal, si çdo ligj tjetër është pronë e Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe jo zyrtarëve të dynjasë.
Pa kuptuar këtë, nuk ka shanc të kuptohet as BE e as demokracia perëndimore.” – shkruan Manjani./TEMA