Life Style

Roza Xhuxha dhe Dhimitër Anagnosti, si lindi dashuria ikonike e kinematografisë, që sot u nda me lamtumirë dhe lot?!

Që prej dje, më 1 shtator 2025, ata nuk janë më bashkë. Vdekja hyri mes tyre, si një ndarje e pamëshirshme që as koha, as dashuria, as arti nuk munden ta shmangnin. Por për dekada të tëra ata ndanë gjithçka: jetë dhe sfida, ëndrra dhe frymëzim, dhimbje e triumfe, dashuri dhe art.

Sot ndarja erdhi mbi një mal me lule dhe një det me lot. Ajo erdhi mes sysh të skuqur nga pikëllimi, mes duarve që dridhen në ngushëllim, mes një qyteti që u mblodh të përcjellë me nderim një nga bijtë e vet më të shquar. Erdhi kjo ditë fillimshtatori me kaq shumë lamtumira, fjalë të mallshme dhe përshpirtje, me një ikje që do të peshojë rëndë në kujtesën e njerëzve dhe në kohën që vjen.

Ikja e Dhimitër Anagnostit nuk është thjesht ndarja e një njeriu nga jeta, por mbyllja e një epoke. Ai la pas një mal të lartë me të cilin krenohemi, një kreshtë veprash dhe vlerash që shënjuan artin kinematografik shqiptar dhe më gjerë. Në filmat e tij jetojnë përjetësisht fytyrat, dilemat, shpresat dhe plagët e këtij populli.

Por kjo ikje la pas edhe një grishje, një thirrje të brendshme që troket në zemrat e atyre që janë pjesë e kësaj dite mortore, në këtë përcjellje të heshtur e plot nderim. Është një thirrje për kujtesë, për reflektim, për të mos e harruar dot atë që Anagnosti ndërtoi, si artist dhe si njeri.

Dhe ndërsa dhimbja shoqëron sot Rozën, bashkëshorten e tij të përjetshme, kujtimet zgjojnë atë çast të largët, 61 vite më parë, kur ata u njohën në një sheshxhirim, kur dashuria e tyre nisi në heshtje mes kamerave, për t’u kthyer në një udhëtim të gjatë gjashtë dekadash. Një jetë e jetuar bashkë, e skalitur në art, e dëshmuar në kujtime. Një jetë që, edhe pse sot ndahet fizikisht, mbetet e përbashkët në përjetësi.

Sot, në ditën e lamtumirës së Dhimitër Anagnostit, pranë arkivolit të tij është Roza, bashkëshortja dhe bashkëudhëtarja e pandarë e 61 viteve. Ajo shtrëngon duart e qindra njerëzve që kanë ardhur për ta nderuar, dhe ndërsa sytë i mbushen me mall e dhimbje, shfaqet ende si zonja e hirshme që dikur shndriti në ekran me rrezet e “Tokës sonë”. Ky moment është një kujtesë e fortë se historia e tyre nuk ishte thjesht një lidhje bashkëshortore, por një bashkim i ndjenjës dhe artit, që mbeti i bukur dhe i dlirë deri në fund.

Në vitin 1964, gjatë xhirimeve të filmit “Toka jonë”, fati e përplasi këtë yjësi ndjenjash për të shpërthyer në një lidhje, që zgjatoi një jetë në art. Roza, vetëm 19 vjeç, sapo kishte nisur rrugëtimin e saj kinematografik, duke luajtur rolin e Filës. Dhimitër Anagnosti, ndonëse nuk ishte regjisor i filmit (që mbante firmën e Hysen Hakanit), ishte pjesë e ekipit dhe e vëzhgonte Rozën nga syri i kamerës. Në kujtimet e saj, Roza ka treguar se ai i bënte me shenjë kur loja e saj kishte lëkundje. Ishte një komunikim i heshtur, një gjuhë e veçantë që lindi mes tyre pa fjalë. Shikimet u kthyen në ndjenjë, dhe ndjenja në dashuri.

Pas xhirimeve, ata u fejuan dhe në vitin 1965 kurorëzuan dashurinë me martesë. Filmi “Komisari i dritës” (1966), ku Roza interpretoi Rudinën dhe Dhimitri mbajti në dorë regjinë, u bë jo vetëm një sukses i kinemasë shqiptare, por edhe dëshmia e parë publike e simbiozës së tyre artistike dhe shpirtërore. Ishte fillimi i një jete të përbashkët në Tiranë, ku dashuria dhe arti nuk jetuan kurrë të ndarë.

Roza ka rrëfyer me emocion se Anagnosti e kuptonte pa fjalë, e mbështeste në çdo hap, por edhe e sfidonte me dashuri që ajo të rritej si aktore. Ai, nga ana e tij, e quante me respekt “bashkëshorte, aktore dhe bashkëpunëtore e rrallë”, duke e cilësuar frymëzim të shumë prej filmave të tij. Në çdo projekt, në çdo rol, ata krijuan një botë ku arti dhe jeta ushqenin njëri-tjetrin.

Ky çift nuk jetoi vetëm një histori dashurie. Ata ndërtuan një univers ku çdo film ishte një kapitull i përbashkët, çdo rol një dëshmi e ndjenjës, dhe çdo skenë një reflektim i së bukurës që lind kur dy shpirtra i përkushtohen njëri-tjetrit dhe artit. Sot, kur Dhimitër Anagnosti ndahet nga kjo botë, ajo dashuri mbetet ikonike dhe frymëzuese, një shembull i rrallë se si ndjenja e pastër dhe arti mund të ecin bashkë deri në fund.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button