Vjen më në fund shpjegimi për sinjalin misterioz hapësinor jashtëtokësor, i kapur që në ’77

Një radiosinjal misterioz “jashtëtokësor”, i kapur në vitin 1977, ka shumë gjasa të ketë një origjinë natyrore, kanë zbuluar shkencëtarët.
Sinjali famëkeq “Wow” ndezi interesin mbarëbotëror kur u regjistrua nga projekti i Universitetit Shtetëror të Ohajos për Kërkimin e Inteligjencës Jashtëtokësore (SETI) gati 50 vite më parë.
Ekipi, i cili po skanonte qiellin për shenja të jetës inteligjente, kapi një shpërthim të fuqishëm radioje që zgjati 72 sekonda dhe ishte aq i pazakontë, saqë astronomi kryesor Jerry Ehman shkroi “Wow!” mbi fletën e printuar.
Ajo ka mbetur një nga shenjat më bindëse të inteligjencës jashtëtokësore të regjistruar ndonjëherë, por tani shkencëtarët besojnë se shpjegimi mund të jetë më tokësor.
Universiteti i Porto Rikos ka rianalizuar dekada të tëra vëzhgimesh të papublikuara më parë nga programi SETI i Ohajos dhe ka nxjerrë hipotezën se ka shumë gjasa të jetë prodhuar nga rrezatimi i një ylli të vdekur që ndërvepron me atomet e hidrogjenit.
Në hapësirë, disa atome hidrogjeni prodhojnë një sinjal të dobët që mund të kapet nga radioteleskopët, por proceset astrofizike që gjenerojnë sasi të mëdha energjie, si shpërthimet diellore, mund ta bëjnë këtë proces më të dukshëm, duke bëjë që reja e gazit të ndriçojë.
Në rastin e sinjalit Wow!, ekspertët besojnë se energjia shtesë mund të ketë ardhur nga një magnetar, një lloj ylli i rënë me një fushë magnetike jashtëzakonisht të fuqishme.
‘Synimi i vëzhgimeve të ardhshme’
“Rezultatet tona nuk e zgjidhin misterin e sinjalit Wow!,” tha autori kryesor prof. Abel Méndez nga Planetary Habitability Laboratory në Universitetin e Porto Rikos, nga Projekti Arecibo Wow!.
“Por ato na japin pamjen më të qartë deri tani për atë çfarë ishte dhe nga erdhi. Kjo saktësi e re na lejon të synojmë vëzhgimet e ardhshme më efektivisht se kurrë më parë.”
Sinjali Wow! u kap nga radio-observatori Big Ear në Ohajo, natën e 15 gushtit 1977, dhe nuk mund të identifikohej si ndonjë fenomen natyror astrofizik.
Në fakt, dukej shumë më tepër sikur ishte prodhuar nga një burim artificial. Por pas shpërthimit fillestar, ai u zhduk dhe nuk u zbulua më kurrë.

Për dekada, studiuesit debatuan nëse teleskopi kishte kapur rastësisht ndërhyrje radioje të krijuar nga njeriu, ndërsa të tjerë argumentonin se bëhej fjalë për një civilizim të përparuar alien që po përpiqej të komunikonte.
Tani, studiuesit kanë gjetur prova për sinjale të ngjashme, por më të dobëta, që burojnë nga re të hidrogjenit.
Ata sugjerojnë se një sinjal i ngjashëm mund të jetë amplifikuar nga një shpërthim intensiv energjie nga një magnetar, në një proces të quajtur “superradiancë,” duke e bërë atë mjaftueshëm të fortë që teleskopi Big Ear ta kapte.
Ekipi thotë se hipoteza e tyre e re “llogaritet për të gjitha vetitë e vëzhguara” të sinjalit Wow!, dhe forcon idenë për një origjinë natyrore astrofizike.
“Ky studim nuk e mbyll çështjen,” shtoi Méndez. “Ai e rihap atë, por tani me një hartë shumë më të mprehtë në dorë.”
Ekipi tha se arritja ishte e mundur vetëm falë pasurisë së të dhënave historike astronomike që janë mbledhur që nga vitet ’70.
“Ne shohim arkiva të vjetra me metodologji moderne shkencore. Është pak a shumë si arkeologjia hapësinore,” tha dr. Hector Socas Navarro, drejtor i European Solar Telescope Foundation dhe një nga bashkautorët e këtij studimi.
Kërkimi do të botohet në Astrophysical Journal. / The Telegraph – Syri.net