Life Style

Nuk u ndamë as kur shumëçka na ‘ndante’! (Artur Zhejit, në vend të kurorës) 

Nga Kim Mehmeti

Me Arturin u njoftuam në vitin 1992, kur nisi të vijë shpesh në Maqedoni që neve shqiptarëve të këtushëm të na sillte nga pakë mëmëdhe.

Dhe që atëherë e deri më sot nuk u ndamë kurrë, as atëherë kur shumëçka na ‘ndante’ si dhe, çdo gjë mbeti pjesë e një miqësie të pakushtëzuar nga asgjë tjetër përpos nga mirëmbajtja e saj e ndërsjellë.

Në të vërtet Arturi prej moti është bërë pjesë e zënkave të mia familjare, ngaqë sa herë që djemtë e mi duan ta fitojnë betejën bashkëbiseduese me mua, më thonë: “Kotë e kemi të grindemi! Ty më së miri të ka përshkuar Arturi”

Kështu ma rikujtojnë një bisedë të zjarrtë me të përderisa pinim bashkërisht kafe aty pranë Urës së Gurit të Shkupit dhe kur ai përnjëherë u heshtë, u kthye nga Semi dhe Emadi e u tha: ‘Kurrë mos debatoni me të sepse ka një vesë të keq dhe shpeshherë, nuk të dëgjon se çka i thua, por u përgjigjet pyetjeve që ia shtron vetvetes, kështu që nuk bashkëbisedon me ty, por ai bënë autointervistë!”

Sot u ndjeva shumë keq pse kurrë nuk ia pranova se mirë më kishte lexuar, ngaqë bisedat me të i doja pse ato më nxisnin t’i shtroja shumë pyetje vetvetes.

Dhe kur para dhjetë viteve mbijetova një infarkt të rëndë, ai ishte i pari që mu lajmërua dhe më tha: ‘E dija se ti nuk rrëzohesh me të parën!’

Sa keq më vjen që nuk mu dha mundësia t’ia them të njëjtën. Edhe pse e di se me të ‘parën rrëzohen’ vetëm njerëzit e mirë, vetëm ata që Zoti don t’i kursej nga të jetuarit në pritje të ‘rrëzimit’ të dytë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button