Zbulimi befasues i NASA për jetën aliene në sistemin tonë diellor: Mund të jetë më pranë se e kemi menduar

Një zbulim i ri nga NASA ka tronditur komunitetin shkencor dhe ka ngritur mundësinë që jeta jashtëtokësore mund të ketë qenë shumë më pranë Tokës se sa mendohej më parë.
Një studim i publikuar në revistën Science Advances ka konfirmuar praninë e një burimi energjie kimike në Ceres, një planet xhuxh që ndodhet në rripin e asteroidëve midis Marsit dhe Jupiterit.
Ky zbulim tregon se Ceres ka pasur dikur kushtet e duhura për të mbështetur jetën.
Një botë e ngrirë me një të kaluar ‘të nxehtë’
Edhe pse sot Ceres është një botë e akullt dhe e kripur, shkencëtarët besojnë se dikur ka pasur një burim të brendshëm nxehtësie që ka zgjatur për një kohë të gjatë dhe ka furnizuar jetën potenciale me ‘karburantin’ e nevojshëm.
Ceres, e zbuluar në vitin 1801 dhe me një diametër prej rreth 950 kilometrash, ishte për një kohë të gjatë vetëm një kuriozitet kozmik.
Por misioni Dawn i NASA-s, i cili orbitoi Ceres nga viti 2015 deri në 2018, zbuloi të dhëna që ndryshuan gjithçka.
Sonda zbuloi njolla shumë të ndritshme në sipërfaqe, mbetje kripe të lëna nga uji i kripur që ngrihej nga brendësia.
nullnull
Nën sipërfaqen e ngrirë, ndodhej dikur një oqean i kripur nëntokësor, ku janë zbuluar gjithashtu molekula organike, përbërësit bazë të jetës.
Jetë mikrobiale? Të gjitha përbërësit ishin aty
Përmes modelimit termik dhe kimik, studiuesit e udhëhequr nga Sam Courville, doktorant në Universitetin Shtetëror të Arizonës, kanë simuluar mënyrën se si funksiononte brendësia e Ceres për miliarda vjet.
Rreth 2.5 deri në 4 miliardë vite më parë, çlirimi i ngadaltë i nxehtësisë nga përbërës radioaktivë brenda bërthamës shkëmbore të Ceres krijoi fluide hidrotermale, ujë i nxehtë i pasuruar me gaze dhe minerale, të cilat qarkulluan në oqeanin e brendshëm.
Në Tokë, ambiente të ngjashme (siç janë ventilet hidrotermale në fund të oqeaneve) janë vatra të jetës mikrobiale, ku mikroorganizmat mbijetojnë jo nga drita e diellit, por nga energjia kimike.
‘Kur uji i nxehtë nga thellësia përzihet me oqeanin, shpesh krijohet një ‘bufe energjie’ për mikrobet,’ shpjegon Courville. ‘Nëse diçka e tillë ka ndodhur në Ceres, ka implikime të mëdha për mundësinë e jetës.’
Ceres sot: një botë e ftohtë dhe e qetë
Ndryshe nga Hëna Europa e Jupiterit apo Enceladus i Saturnit, të cilat vazhdojnë të jenë aktivë falë forcës së gravitetit të planetëve përkatës, Ceres është tashmë e ftohtë dhe e qetë.
Ngrohja e brendshme ka mbaruar prej kohësh, dhe pak lëng që mund të ketë mbetur, ndodhet i mbyllur thellë nën shtresat e akullit dhe kripës, ku temperaturat bien deri në –63°C.
Megjithatë, ky zbulim ndryshon mënyrën si e shikojmë sistemin tonë diellor.
A jemi të rrethuar nga botë të banueshme të së kaluarës?
Ceres nuk është rasti i vetëm. Dhjetëra trupa të vegjël akullnajorë, planetë xhuxh, hëna apo asteroide, mund të kenë pasur një të kaluar të ngjashme, duke qenë dikur të përshtatshëm për jetën.
Sipas studiuesve, këto botë modeste mund të kenë qenë mjediset më të zakonshme të banueshme në sistemin e hershëm diellor.
Kjo do të thotë se jeta mikrobiale aliene mund të ketë qenë dikur e përhapur jo diku në galaktika të largëta, por pikërisht këtu, në oborrin tonë kozmik.
Ky zbulim nuk konfirmon jetën aliene, por na afron një hap më pranë kuptimit të saj.
Eksplorimi i ardhshëm mund të na çojë jo vetëm në kërkimin e të kaluarës së Ceres, por ndoshta edhe në rikthimin e historisë së humbur të jetës në sistemin tonë.